Komuna e Prishtinës rrit numrin e kompanive për mirëmbajtje të rrugëve gjatë dimrit

Në gjithë territorin e Kosovës tashmë kanë filluar reshjet e para të borës dhe bashkë me to ka filluar edhe mirëmbajtja dimërore e rrugëve.

Medina Braha, Drejtoreshë e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës ka bërë të ditur se ekipet janë në teren duke hedhur kripë dhe po kryejnë ndërhyrjet tjera të nevojshme.

Ajo potencoi se këtë vit kanë rritur numrin e kompanive të angazhuara në 11 nga 9 sa kanë qenë vitet e kaluara.

“Ekipet i kemi në teren duke hedhur kripë e rërë si dhe duke bërë intervenimet tjera të nevojshme. Këtë vit e kemi rritur numrin e kompanive të angazhuara në 11 nga 9 sa kanë qenë viteve të kaluara”, ka thënë Braha.

Prej këtyre kompanive, 3 janë të angazhuara në zona rurale, kurse tjerat në zonë urbane.

Sipas komunës, përkundër këtyre masave, qytetarët duhet të kenë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.

Komuna e Prishtinës ka përgjegjësi të mirëmbajë vetëm rrugët lokale, kurse ato magjistrale dhe rajonale janë në kompetencë të Ministrisë së Infrastrukturës.