Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komuna e Prishtinës anulon konkursin për 200 zyrtarë administrativë pak ditë para testit me shkrim

Me vendim të Komisionit për zgjidhjen e ankesave dhe kontesteve, Komuna e Prishtinës ka anuluar konkursin e datës 25 gusht për pranim të 200 zyrtarëve administrativë.

Komuna ka potencuar se për hapjen e konkurseve të reja qytetarët do të njoftohen me kohë.

Paraprakisht, më 15 shtator, Komuna kishte shtyrë testin me shkrim për më 1 tetor për shkak të afatit të ankesave të verifikimit paraprak të numrit shumë të madh të dokumentacionit të aplikuesve, si dhe kohës që u nevojitej për t’u përgatitur për mbajtjen e testit.

Konkursi për zyrtarët administrativë është i ndarë në dy pjesë, në njërin prej këtyre konkurseve janë të hapura 142 pozita si nëpunës dhe mbështetës administrativë nën mbikëqyrje të drejtorive përkatëse të kryeqytetit.

Në konkursin me 142 pozita të lira theksohet se kandidatët preferohet të kenë aftësim profesional në fushat: ekonomik, juridik, administratë publike, marrëdhënie me publikun, edukatë fizike, arkiv, gazetari, sociologji, psikologji dhe pedagogji.

Derisa edhe në konkursin e dytë kërkohen nëpunës administrativë për 58 pozita.

Në konkursin e dytë preferohen diploma universitare në fushat: arkitekturë, ndërtimtari, elektroteknikë, hidroteknikë, gjeodezi, makineri, komunikacion, IT, mjedis

Derisa, nevojiten edhe njouri të programeve të MS Office.

Sipas të dhënave, kontrata do jetë për 1 vit me pagë 420 euro (bruto). Në konkurs theksohet se përvoja e punës nuk kërkohet.

Komuna e Prishtinës hap konkurs për 200 zyrtarë administrativ