Tregu i Fundvitit

Interesim i lartë i bizneseve për Tregun e Fundvitit, komuna bën zgjedhjen me short

Si shkak i numrit të madh të aplikimeve nga ana e bizneseve për ushtrim të veprimtarisë në shtëpizat për Tregun e Fundvivit në sheshin ‘Xhorxh Bush’ në kryeqytet, komuna ka bërë zgjedhjen e fituesve përmes një procesi transparent të hedhjes në shortit në sallën e seancave gjatë ditës së premte.

Nga 222 biznese sa kanë plotësuar kriteret në shortin për shtëpiza, 58 janë përgjedhur si fituese, derisa bizneset me mjete lëvizëse nuk i janë nënshtruar shortit, për shkak se nuk ka qenë numër i kufizuar për përzgjedhje në këtë kategori, gjithsej janë 4 biznese.

Gjatë hedhjes së shortit në sallën e Kuvendit Komunal kanë qenë të pranishëm të gjithë pronarët/përfaqësuesit e bizneseve që kanë plotësuar kriteret e thirrjes së komunës për këtë treg.

Ndërsa, bizneset të cilat nuk i kanë përmbushur kriteret, rrjedhimisht nuk janë ftuar në porcesin e shortit dhe kanë të drejtë ankese tri ditë.

Tregu i Fundvitit ka qenë në plan të hapet më 24 nëntor, por ishte shtyrë për 28 nëntor, derisa pas përzgjedhjes së bizneseve fituese më 1 dhjetor nuk është bërë ende e ditur data e hapjes.

Bizneset aplikuese për shtëpiza kanë pasur kriter të jenë me adresë operimi në Komunën e Prishtinës; derisa për bizneset mobile apo lëvizëse, ka mundur të mos e kenë adresën e operimit në Komunën e Prishtinës.

Sipas thirrjes së komunës, bizneset e përzgjedhura për shfrytëzimin e shtëpizave janë të obliguara të paguajnë paraprakisht shumën prej 1,400 euro, për shfrytëzimin e shtëpizës në hapësirën publike.

Bizneset mobile apo lëvizëse janë të obliguara të paguajnë paraprakisht shumën prej 1,100 euro, për shfrytëzimin e hapësirës publike.

“Tregu i Fundvitit” është aktivitet i ideuar dhe organizuar nga Komuna e Prishtinës për të festuar festat e fundvitit në hapësirë publike me muzikë, ushqim, pije dhe aktivitete argëtimi.

Tregu i Fundvitit do të organizohet deri me 7 janar 2024 nga biznese të cilat do të shfrytëzojnë shtëpizat e destinuara për këtë aktivitet dhe biznese mobile apo lëvizese, që nënkuptohen bizneset që do të vendosen në kamioneta apo mjete te ngjajshme.

Gjatë këtyre ditëve bizneset e përzgjedhura lejohen të punojnë çdo ditë, nga e hëna në të dielën, duke filluar prej orës 10:00 deri në orën 24:00. Përjashtim janë datat 24 dhjetor, 31 dhjetor dhe 1 janar ku mund të punohet  deri në orën 03:00.