Komisioni thekson problemet e 'Trainkos' në raportet e pasqyrave vjetore financiare

Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike janë theksuar problemet e raporteve të pasqyrave vjetore financiare të Ndërmarrjes Publike Hekurudhat e Kosovës  – Trainkos, të evidentuara në raportin e auditimit për vitin 2017.

Deputetja raportuese për raportin e ‘Trainkos’, Emilija Rexhepi ka përmendur problemet me bilancin financiar, pranimin e punëtorëve dhe borxhet e mëdha që asnjëherë nuk janë paguar dhe që nuk figurojnë në pasqyrat vjetore financiare.

“Auditori tregon se ka menaxhim të keq financiar dhe ka mangësi të mëdha sa i përket pasqyrave financiare vjetore. Por ka përparim te rekomandimet e viteve të kaluara. ‘Trainkos’ duhet t’i përgatis raportet e pasqyrave financiare vjetore sipas standardeve ndërkombëtare”, ka thënë Rexhepi.

Sadik Kryeziu nga ‘Trainkos’ ka thënë se janë ndërmarrja e parë publike që ka pasë një raport nga Audiori i Përgjithshëm. Ai ka deklaruar para Komisionit se kanë arritur t’i plotësojnë 74 për qind të rekomandimeve.

“Ka pasur probleme me pasqyrat vjetore financiare që janë të trashëguara, askush nuk ka marrë përgjegjësi me i shlye këto borxhe. Gjatë vitit 2017 çka janë dhënë rekomandime ne i kemi kryer. E kemi marrë Trainkosin në gjendje të vështirë në vitin 2016”, ka thënë Kryeziu.

Kryeziu numëroi disa probleme që i ka pasur ‘Trainkos’ duke  përmendur se që nga viti 2008 nuk ka pasur transport të mallrave në veri, po ashtu problemin e Feronikelit, hapjen e autostradës me Shqiperinë, etj.

Deputetja Rexhepi ka kërkuar sqarime për borxhet milionëshe, por Kryeziu sqaroi se nuk janë miliona por janë 523 mijë euro borxhe që janë trashëguar që nga viti 2002.

“Është problemi edhe që nuk kemi investime të mjaftueshme kapitale. Ne i kemi 1 mil gjatë gjithë vitit, a vetëm me ble një tren kushton 5 mil euro”, është shprehur Kryeziu.

Durim Krasniqi, zyrtar kryesor financiar në ‘Trainkos’ ka dhënë shpjegim për arsyen që ky borxh nuk figuron në pasqyrat vjetore financiare duke thënë se për të mos dhënë pasqyrë të rrejshme është propozuar që të hiqen këto borxhe prej pasqyrave.

“Heqja nga raportin vjetor financiar nuk ka qenë si duhet dhe kemi rënë dakord që këtë vit ta përmirësojmë”, ka deklaruar Krasniqi.

Gjatë diskutimit deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka theksuar se të gjitha këto shifra financiare e bëjnë këtë ndërmarrje jo kredibile.

“Mos përputhja e stoqeve me çmimin kontabël, kjo bashkë me aktivitetet operative që janë prezantuar si investime, për mua ato kuptohen si jo profesionalizëm i kontabilistit”, ka potencuar Hoti.

Sipas Hotit ka thënë se i gjithë raporti i ‘Trainkos’ është fiktiv.

“Nuk kam pa kontabilist që guxon me shku deri në këtë nivel me i prekë shifrat. Krejt raporti është fiktiv se nuk besohet asnjë shifër. Vazhdon punësimi pa konkurs. Jeni ndërmarrje publike por menaxhoni resurse shtetërore”, ka theksuar Hoti.

Zyrtari kryesor financiar i ‘Trainkos’ iu përgjigj deputetit Hoti duke i thënë se ka një keqkuptim për shkak se ndërmarrja ‘Trainkos’ ka pajisje e nuk ka stoqe.

“Numërimi i stoqeve është krahasuar me evidencën kontabël, iu ka dalë me pak, e keni debitu kapitalin edhe i keni barazu kontot”, ndërhyri përsëri Avdullah Hoti.

Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, Driton Selmanaj morri fjalën duke thënë se konfirmohet se ka borxh por në ‘Trainkos’ nuk deklarohet.

Deputetja Rexhepi iu drejtua zyrtarëve të ‘Trainkos’ për t’i pyetur nëse ata kanë ndonjë strategji për rritjen e funksionalitetit të kësaj ndërmarrje nëse qeveria nuk dëshiron.

Sadik Kryeziu nga ‘Trainkos’ deklaroi se hekurudhat duhet me qenë prioritet i shtetit. Ai tregoi se në këtë ndërmarrje punojnë 230 punëtorë dhe posedojnë 8 deri në 12 trena që sipas Kryeziut janë të vjetër.

“7 deri në 8 vagonë janë riparuar, teknologjia është e vjetër”, theksoi Kryeziu.

Avdullah Hoti u pajtua se qeveria duhet ta subvencionoj ndërmarrjen ‘Trainkos’, por tha që nuk pajtohet me menaxhimin jo të mirë të shpenzimeve.

Përfaqësuesi i ‘Trainkos’, Sabit Kryeziu tha se kjo ndërmarrje ka dhënë 5 milionë euro prej rezervave të veta për të mbajtur gjallë transportin e udhëtarëve në vend se ato para t’i investonte diku tjetër.

Pas shqyrtimit të raportit të auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Ndërmarrjes Publike Hekurudhat e Kosovës – Trainkos për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2017, në Komision u bë shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimeve nga raporti i auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitin 2017.

Kryetari Dritan Selmanaj deklaroi se MKRS-ja është ndër institucionet shtetërore që ka dalë më së keqi sa i përket pasqyrave vjetore financiare. Ai tha se problemet ishin të mëdha dhe të llojllojshme.

Prej diskutimit të raportit të auditimit të MKRS-së që është zhvilluar në mbledhjen e kaluar të këtij Komisioni është nxjerrë një listë me rekomandime. Ky raport i auditimit dhe rekomandimet u procedua për në seancën e Kuvendit pas vendimit unanim të anëtarëve të Komisionit.

Në javën  e ardhshme në këtë Komision është thirrur për të raportuar ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq. Deputet raportues do të jetë Ali Lajçi.

Më poshtë mund të lexoni analizën e Kallxo.com për raportin e auditimit për vitin 2017 të ‘Trainkos’.

Të Gjetura Skandaloze nga Auditori në ‘Trainkos’