Xhaferi: Albin Kurti po përzihet në politikën e Maqedonisë së Veriut
Kryeministri Talat Xhaferi thotë se homologu i tij nga Kosova, Albin Kurti, po “përzihet” në politikën e Maqedonisë së Veriut.
Në emisionin “Kallxo Përnime” Xhaferi tregon përse “përzierja e Kurtit” nuk i bën mirë as Kosovës por as edhe subjektit që ai drejton, Lëvizjes Vetëvendosje.
“Nuk mund të definohet ndryshe përpos përzierje atë, përderisa një kryeministër qoftë edhe nën pretekstin si kryetar i një subjekti politik në çfarëdo aspekti, mund të edhe të përceptohet si përzierje. Nuk mendoj që i bën mirë Kosovës dhe vetë subjektit që udhëheq, për shumë arsye. Kjo sepse hap dyer që nuk duhen hapur. Ne jemi për të bërë ndryshime për të mirë”- deklaroi Xhaferi.
Dallimi është rrënjësor mes mes pushtetit shtetëror dhe të qenit kryetar subjekti politik, thotë kryeministri maqedonas.
“Ne jemi bartës të institucioneve shtetërore dhe përkushtimi parësor duhet te jetë për mirëqënien e institucioneve që udhëheqim ne shtetet përkatëse dhe duhet të bëhet dallimi mes pushtetit shtetëror dhe të qenit kryetar subjekti politik, është dallim rrënjësor. Komunikimi ndërpartiak, ndërinstitucional janë disa çështje që duhet ndarë dhe bëjmë mirë t’i ndajmë këto punë”- ka shpjeguar ai.
Xhaferi tregon se kur ka qenë në vizitë zyrtare në Kosovë, si kryetar i Parlamentit, nuk ka bërë dallime duke zhvilluar takime edhe me opozitën dhe me pushtetin.
“Unë për vete kam qenë në vizitë zyrtare në Kosovë si kryetar Parlamenti dhe nuk kam përjashtuar takime me opozitën apo me pushtetin, pa marrë parasysh se kush është bartës i funksionit institucional shtetëror, për faktin që kemi obligim edhe ndërkombëtar, edhe diplomatik”- ka thënë Xhaferi.
Ai ka folur edhe për vizitën e presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në Kosovë, pak ditë para emërimit të tij si kryeministri i parë shqiptar.
“Është kompetencë e kryetarit të shtetit sipas protokolleve dhe planeve, nuk ka arsye të bëjë me mua”- u shpreh Xhaferi.
“Nuk e kam atë informatë se çfarë është kërkuar apo diskutuar, dhe nuk kam arsye ta kërkojë atë informatë për faktin që kryetari i shtetit ka agjendën dhe kompetencat e veta”- shtoi ai.
Prej verës së kaluar, kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ishte parë si “kërcënim” për partitë politike në Maqedoni të Veriut, ani pse në takimin e krerëve të Ballkanit Perëndimor në Shkup më 22.01.2024, Kurti deklaroi që Lëvizja Vetëvendosje “nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet atje dhe nuk ka të regjistruar parti”, krahas asaj që mbështet partitë shqiptare opozitare atje.
Pendarovski pati kërkuar sanksionimin e drejtuesve të komunës së Çairit dhe Tetovës për ato siç kishte cilësuar “provokime nacionaliste që propozojnë ide shoviniste të shteteve të mëdha” për tubimet e përmasave madhore gjatë vizitës së Albin Kurtit në këto komuna më shumicë shqiptare.
Tri ditë para se në Maqedoni të Veriut në krye të Qeverisë të vinte Talat Xhaferi, më 26.01.2024, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski zhvilloi një takim të heshtur në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Pazakonshëm, asnjë fjalë nuk u tha për media as para e as mbas takimit të Kurtit e presidentes Osmani me Pendarovski, se cilat ishin synimet e një vizite të tillë pikërisht në këtë momentum kur kryetari i parë shqiptar i Parlamentit, Talat Xhaferi, pritej të emërohej kryeministër i Qeverisë teknike.
Më 28.01.2024, Talat Xhaferi është zgjedhur kryeministër i Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, duke u bërë shqiptari i parë që mban këtë post në këtë shtet.
Qeveria teknike do të funksionojë për 100 ditë dhe do të ketë mandat organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare, që pritet të mbahen më 08.05.2024. Pro zgjedhjes së ekzekutivit votuan 65 deputetë, 3 ishin kundër dhe asnjë abstenim.
Udhën për t’u kurorëzuar Xhaferi kryeministër e hapi dorëheqja e Dimitar Kovaçevskit më 25.01.2024, Qeveri të cilën e ka udhëhequr nga 11.01.2022.
www.kallxo.com