Trajkoviq: Në veri të gjithë njerëzit që janë besnik ndaj Millan Radoiçiqit

Kryetarja e Partisë së Lëvizjes Evropiane të Serbëve si dhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq, në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se Millan Radioçiq ka ndikim të plotë dhe absolut në të gjitha institucionet në veri të vendit.

Ajo ka shtuar se ish-nënkryetari i Listës Serbe, Radoiçiqi ka ndikim në universitetin e Mitrovicës Veriore e në Qendrën Klinike Spitalore në veri.

“Të gjithë njerëzit që janë lojalë ndaj tij mund të punësohen. Paramendoni një intelektual që duhet të jetë lojal ndaj një krimineli, në mënyrë që të fitojë një post!” – tha Trajkoviq në Kallxo Përnime.

Trajkoviqi ka deklaruar se Radoiçiqi e ka shuar plotësisht sektorin privat serb.

“Ai e ka vetëm një ndërmarrës përmes të cilit shkojnë të gjithë tenderët dhe merren paratë. Pra pjesëtarët serbë të institucioneve të Kosovës (të Millanit/Listës Serbe) i kanë ndërmarrësit e vet nëpër enklava që kryesisht janë shqiptarë dhe funksionojnë në këtë mënyrë. Këto janë shantazhe të njerëzve në pushtet që t’i kontrollojnë ndërmarrësit dhe në atë mënyrë të financohen. Për shembull në Beograd, Radojçiqi dhe Vesellinoviqi i kanë projektet më fitimprurëse. Më falni ju lutem ata janë nën sanksione të qeverisë amerikane dhe të gjithë heshtin, derisa Bërnabiq ju jep projektet më fitimprurëse” – tha mes tjerash ajo.

Kush është Millan Radoiçiq, lideri “nën hije” i serbëve të Kosovës?