VIDEO - ‘Gratë shqiptare janë si lavatriqe’ - Trajkoviq flet për deklaratën e saj të dikurshme

Kryetarja e Partisë së Lëvizjes Evropiane të Serbëve si dhe ish deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq, në intervistën për emisionin “Kallxo Përnime” është pyetur se çfarë ka menduar kur ka thënë se “gratë shqiptare janë si lavatriqe”, në kuptimin se bëjnë shumë fëmijë.

Ajo ka thënë se ndonëse në Kosovë është arritur shumë me emancipimin e grave, kjo shprehje sipas saj i ka ardhur pas një ankete që ajo e kishte bërë në spitalin e lindjes në Prishtinë.

“Kur i kemi pyetur lehonat shqiptare dhe serbe se pse lindin, gjatë atij hulumtimi, shqiptaret lindnin fëmijën e 4, 5, 6, 7, të gjitha thonin se kishin presion nga bashkëshortët e tyre për të lindur fëmijë”, shpjegoi ajo

Ndërë tjerash ajo tha se kur e ka thënë këtë gjë ka qenë në vitet 97 – 98 dhe kjo ka rrjedhë nga dëshira për t’i mbrojtur gratë shqiptare sepse sipas saj ato nuk kishin të drejtë të vendosin se sa fëmijë duhet t’i kenë.

“Kjo nuk ka qenë me qëllim të kurrfarë diskriminimi sepse kjo nuk është mënyra ime e të menduarit. Ndoshta kjo është thënë në mënyrë të pakujdesshme, por thelbi ka qenë që të përpiqemi të ndikojmë që nënat shqiptare të mund të vendosin vetë se sa fëmijë dëshirojnë t’i kenë. Sot nuk do të kishim varfëri të tillë dhe largim të këtyre fëmijëve të cilët po heqin dorë edhe nga pasaportat e Kosovës. Nuk ka qenë tendenca ime ti ofendojë, unë jam mjeke që i ka operuar me mijëra si shqiptarë ashtu edhe serbë. Por mënyrë se si shprehem nganjëherë keqkuptohet sa i përket mesazhit thelbësor që dua ta përçoj”, tha ajo