Deputetja Kearns për Millan Radoiçiqin: Pse ai është ende në Serbi?

Deputetja në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns është shprehur e shqetësuar për faktin që lideri i grupit që kreu sulm terrorist në Banjskë më 24 shtator, Millan Radoiçiq po qëndron ende në Serbi dhe nuk gjendet në burg.

Ajo shtoi se Radoiçiq, duhet të ekstradohet në Kosovë dhe të përballet me institucionet e drejtësisë.

“Pse ai është ende në Serbi? Pse nuk po mbahet në burg derisa t’i nënshtrohet një lloj drejtësie? Komuniteti i BE-së, komuniteti i SHBA-së, Britania e Madhe, nuk ka qenë mjaftueshëm të zëshëm për faktin se Milan se… mua nuk më intereson nëse Radoiçiqi nuk i njeh gjykatat e Kosovës, por ne i njohim si bashkësi ndërkombëtare, dhe ai duhet të dërgohet në Kosovë për t’u përballur me drejtësinë sapo Qeveria e Kosovës të jetë e gatshme për të nisur ndjekjen penale” – tha ajo.

Ndonëse ka thënë që e mbështet vazhdimin e dialogut, deputetja Alicia Kearns ka shtuar  se shpreson që bashkësia ndërkombëtare do t’i thotë ‘mjaftë më’, Beogradit.

“Unë gjithmonë do të mbështes vazhdimin e dialogut, sepse ne duhet të parandalojmë llogaritjet e gabuara. Dhe në fakt, frika ime e madhe është se për shkak se ne e kemi lejuar Beogradin të përshkallëzojë, të përshkallëzohet dhe të vazhdojë të përshkallëzohet gjatë vitit të kaluar pa ndonjë pasojë, ne nuk e dimë se nga mund të vijnë llogaritjet e gabuara. Ajo që unë shpresoj se do të shohim tani, është që bashkësia ndërkombëtare të thotë mjaft më, gjithçka ka ndryshuar, gjendja e sigurisë ka ndryshuar, dhe duhet të ketë përgjegjësi dhe duhet të ketë drejtësi, sepse të gjithë e dimë se nuk mund të ketë pajtim pa pasur drejtësi. Nuk mund të ketë dialog politik që sjell ndryshim të mirëfilltë drejt asaj që duam para se të ketë përgjegjësi”- ka thënë Kearns.

Më 24 shtator 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Sekuestrimi i armëve të tjera po vazhdon që nga 24 shtatori, të cilat janë braktisur nga grupi terrorist në Banjskë dhe në zonën përreth.

Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Është ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe – Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.

Radoiçiq tha se të gjithë skenarin e kishte bërë vet dhe askujt nuk i kishte treguar. Këto pretendime i njëjti i bëri përmes një letre të cilën e lexoi të premten pasdite avokati i tij i autorizuar, Goran Petronijeviq.

Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.