Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Leposhtica: Korrupsioni në Kosovë po përkëdhelet nga Gjykatat

Koordinatori i zyrës ligjore të KALLXO.com, Labinot Leposhtica gjatë shpalosjes së raportit të monitorimit të sistemit të drejtësisë, ka deklaruar se Gjykatat e Kosovës po e përkëdhelin korrupsionin.

Ai tha se në 40 aktgjykimet e korrupsionit të cilat “BIRN” dhe “Internews Kosova” i kanë analizuar kanë ardhur në përfundim se gjykatat po shkelin Kodin e Procedurës Penale në rastet kur po i dënojnë të akuzuarit pasi rrethanat rëndësuese dhe lehtësuese të rastit nuk po arsyetohen.

“Pas analizës tonë, kemi vërejtur disa gjetje të cilat nëse i përmbledhim, dërgojnë në përfundimet se nuk është zbatuar Kodi i Procedurës Penale dhe Kodi Penal, si dhe është injoruar në tërësi Udhëzuesi i politikës ndëshkimore e po ashtu shqiptimi i dënimeve me burg, kusht dhe me gjobë në shumicën e rasteve, është bërë pa asnjë arsyetim e as në lartësinë e tyre”, tha Leposhtica.

Ai shtoi se vetëm në 3 prej 40 aktgjykimeve, kanë parë se gjykatat kanë vlerësuar më shumë rrethana rënduese se sa lehtësuese, e të cilat kanë dërguar në dënime jo adekuate.

Leposhtica tha edhe në 80% të këtyre rasteve, dënimet janë shqiptuar nën kufirin minimal që parashihet me Kodin Penal, pra dënime më të ulëta se sa minimumi i paraparë ligjor.

Sipas tij këto dënime dërgojnë mesazhe se korrupsioni po përkëdhelet nga gjykatat në Kosovë.

“Të dhënat e këtij raporti tek qytetarët dhe tek të gjithë njohësit dërgojnë në një mesazh, atë se këtu kemi një lloj përkëdhelje të korrupsionit”, tha Leposhtica.

“BIRN” dhe “Internews Kosova” përmes emisionit “KallxoPernime”, shpalosen raportin e 15-të të monitorimit të sistemit të drejtësisë.

Raporti i titulluar “Përkëdhelja e Korrupsionit” u shpalos në praninë e krerëve të institucioneve kryesore të drejtësisë në vend.

Të pranishëm në konferencën për publikimin e raportit ishin ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, Kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi, Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku, Kryesuesi i KGJK-së, Skender Çoçaj, Kryetari i Gjykatës Supreme Enver Peci, Kryetari i Gjykatës së Apelit Hasan Shala dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj.

Gjatë emisionit ministrja Haxhiu i konsiderojë shqetësuese të gjeturat e raportit dhe deklaroi se sistemi i drejtësisë ka nevojë për reformë të thellë.

“Sistemi gjyqësor dhe prokurorial ballafaqohet me problem të shumta dhe padyshim që raporte sikur ky, me të gjetura shqetësuese, tregojnë se sistemi gjyqësor dhe prokurorial kanë nevojë për reformë të thellë dhe kemi nisur punën në këtë drejtim”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se dënimet e ulëta të korrupsionit nuk shërbejnë si parandalim por si stimulim i kësaj dukurie.