Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryetari i Apelit përplaset me ministren e Drejtësisë për Komisionin e Jurisprudencës

Kryetari i Gjykatës së Apelit Hasan Shala, ka kritikuar ministren e Drejtësisë për emërimet e anëtarëve të Komisionit për Provimin e Jurisprudencës.

Shala në emisionin “KallxoPernime” tha se është larguar nga Komisioni për Provimin e Jurisprudencës pas pazareve politike.

“Kam qenë i propozuar por jam larguar, jam i larguar për shkak të pazareve politike që i bëjnë në qeveri, unë e di që vetëm për pazare politike më keni larguar”, tha Shala.

Ai tha se në vend të tij është emëruar gjyqtari që ka marrë vendim të kundërligjshëm për familjaren e ministres së Drejtësisë.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i ministres Haxhiu e cila i tha Shalës se e di pse e ka larguar nga Komisioni.

“Zoti Shala, e di që ministri i kaluar ju ka propozuar, por unë nuk kam mundur të ju dërgoj juve në atë Komision sepse e dimë për çka”, tha Haxhiu.

Ajo tha se gjyqtari të cilin e ka emëruar, kishte vendosur kundër burrit të saj dhe kjo për të, ka treguar se ai gjyqtar qenka me integritet.

Në lidhje me emërimin e Komisionit të Jurisprudencës ka reaguar edhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

Ai i ka bërë kritika ministres për emërimin e një prokuroreje me masë disiplinore si anëtare e Komisionit për Provimin e Jurisprudencës.

“Bashkëpunimi duhet me qenë shumë i sinqertë, ju keni emëruar në Komisionin për Jurisprudencë prokuroren me masë disiplinore. A është e vërtetë? Nëse është në rregull për ju grahni, për neve nuk është në rregull”, tha Isufaj.

Pas kritikave të Isufajt ka reaguar ministrja Haxhiu e cila ka thënë se ka shumë prokurorë pa masa, por që janë shumë problematik.

“Ka plotë të tillë që nuk kanë masa disiplinore, por që janë shumë problematik. Është e vërtetë që një prokurore nga Peja, e cila është me masë disiplinore, kur e kam ftuar të jetë pjesë e Komisionit më ka njoftuar se ka masë disiplinore dhe i kam thanë mirë shumë. E vlerësojë punën e saj si prokurore, që asnjëherë edhe përkundër kërcënimeve që ka pas ajo, nuk është ndalur”, tha Haxhiu.

Përplasja në mes tyre u bë gjatë emisionit “KallxoPernime” ku u shpalos raporti i monitorimit të organizatave “BIRN” dhe “Internews Kosova”.

Raporti i këtyre organizatave tregon të dhënat e analizimit të 40 aktgjykimeve dënuese të korrupsionit të vitit 2020. Raporti i titulluar “Përkëdhelja e Korrupsionit” tregon se në 80% të rasteve të vitit 2020, gjykatat e Kosovës kanë shqiptuar dënime më të ulëta se sa minimumi i dënimit për veprat të korrupsionit të cilat parashihen në kodin penal.