Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lumezi: Vettingun ta bëjmë ne, e jo ministria

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi në emisionin “KallxoPernime” ka folur për procesin e vettingut në sistemin e drejtësisë.

Ai ka dal kundër ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për formën e vettingut, pasi sipas tij, vettingu duhet të bëhet nga vet sistemi i drejtësisë dhe jo nga ministria.

Lumezi tha se as ministria, as kryeministria, as presidenca dhe askush tjetër nuk mund të bëjë më mirë vettingun sesa vet Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

“Non stop po flitet për vetting, atë duhet ta bëjmë ne, bartësit e institucioneve të drejtësisë, po edhe neve dikush të na mbikëqyrë dhe të shihet a jemi të pastër, a kemi integritet, a kemi profesionalizëm, nëse nuk e meritojmë të jemi në këto pozita, duhet të shkojmë në shtëpi, po nëse e meritojmë, duhet ta bëjmë ne vettingun, sepse më mirë se ne as ministria as kryeministria as presidenca, as askush nuk mundet, sepse nuk e dinë çfarë është komuniteti i prokurorëve dhe gjyqtarëve”, tha Lumezi.

Sipas tij, Kosova ka pasur praktikë të vettingut nga e cila kanë vuajtur për shkak se kanë mbetur pa gjyqtarë dhe prokurorë me ç’rast shumë raste janë parashkruar.

“E kemi pas praktikën e vettingut, e që kemi vuajtur për numër të vogël të gjyqtarëve dhe pas 10 viteve ende jemi duke e plotësuar numrin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, kjo ka qenë arsyeja se pse nuk kemi pas efikasitet në trajtimin e lëndëve, sepse jemi të stërngarkuar me lëndë”, tha Kryeprokurori.

Ai shtoi se vet, Këshilli Prokurorial dhe gjyqësor duhet t’i pastrojë prokurorët dhe gjyqtarët e ndikueshëm nga sistemi i drejtësisë.

Këto deklarata kryeprokruroi i shtetit i bëri gjatë emisionit “KallxoPernime” në të cilin u diskutua për raportin e monitorimit të sistemit të drejtësisë nga organizatat “BIRN” dhe “Internews Kosova”.

I pari i Prokurorisë foli edhe për hetimin e qytetarëve që nuk kanë të ardhura dhe kanë vetura, shtëpi dhe villa të shtrenjta.

Sipas tij është detyrë e Administratës Tatimore të Kosovës që në procedurë administrative të verifikojë pasurinë e qytetarëve dhe në momentin kur ka mospërputhje dhe del se pasuria është e dyshimtë duhet të ftohet për hetim Prokuroria e Shtetit.

Ai shtoi se duhet një bashkëveprim në mes të të gjitha institucioneve duke përfshirë Doganën, Agjencionin Civil dhe Kadastrën e Kosovës, në mënyrë që të luftohet krimi i organizuar në vend.

Në fund kryeprokurori tha se paratë e krimit në Kosovë po investohen jashtë vendit.

“BIRN” dhe “Internews Kosova” përmes emisionit “KallxoPernime”, shpalosën raportin e 15-të të monitorimit të sistemit të drejtësisë.

Raporti i titulluar “Përkëdhelja e Korrupsionit” u shpalos në praninë e krerëve të institucioneve kryesore të drejtësisë në vend.

Të pranishëm në konferencën për publikimin e raportit përpos kryeprokurorit Lumezi ishin edhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku, Kryesuesi i KGJK-së, Skender Çoçaj, Kryetari i Gjykatës Supreme Enver Peci, Kryetari i Gjykatës së Apelit Hasan Shala dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj.

Gjatë emisionit ministrja Haxhiu i konsideroi shqetësuese të gjeturat e raportit dhe deklaroi se sistemi i drejtësisë ka nevojë për reformë të thellë.

“Sistemi gjyqësor dhe prokurorial ballafaqohet me probleme të shumta dhe padyshim që raporte si ky me të gjetura shqetësuese tregojnë se sistemi gjyqësor dhe prokurorial kanë nevojë për reformë të thellë dhe kemi nisur punën në këtë drejtim”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se dënimet e ulëta të korrupsionit nuk shërbejnë si parandalim por si stimulim i kësaj dukurie.