Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryeprokurori i Speciales, kritikon politikën: Po na dekurajon

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj ka hedhur kritika në drejtim të politikanëve. Ai tha se është dekurajuar kur qeveria e Kosovës kishte thirrur konferencë dhe kishte akuzuar Prokurorinë për aktakuza tendencioze kur kishin akuzuar për korrupsion një ish ministër.

“Një rast që më ka lanë shije të keqe e që nuk kam për ta harruar është kur ne e kemi ngrit një aktakuzë për korrupsion për një ish ministër dhe në vend se të vlerësohemi dhe inkurajohemi, qeveria thërret konferencë për media dhe na akuzon neve duke na thënë se akuza është e pa bazuar dhe me tendencë”, tha Isufaj.

Kryeprokurori që udhëheq Prokurorinë Speciale deklaroi se puna e prokurorëve nuk po vlerësohet nga institucionet vendore sikurse nga ato ndërkombëtare.

“Unë dua ta bëjë një apel për të gjithë këtu që kur punojmë mirë, është mirë edhe institucionet ta na vlerësojnë, nuk kërkojmë mëshirë, ka ndodhë na kanë vlerësuar institucionet ndërkombëtare po kurrë vendorët”, tha Isufaj.

Ai nuk la pa folur as për vettingun e paralajmëruar, duke thënë se vettingu duhet të ketë për qëllim të krijojë organizma dhe jo të ndërroj emra.

“Vettingu duhet të bëhet për të krijuar organizma serioz që e kontrollojnë punën e prokurorit dhe gjyqtarit në çdo kohë e jo të ndërrojmë njerëz”, tha Isufaj.

Pas këtyre fjalëve reagoi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se vettingu po bëhet për ta kthyer besimin në institucionet e drejtësisë.

“Vettingu nuk është me qëllim hakmarrës por ka për qëllim të kthej besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë, i vetmi qëllim është ky dhe nuk është mirë si zoti Isufaj që e paragjykoni me ndryshu emra, për besë jo, nuk është qëllimi që të eliminojmë dikë e të vendosim dikë tjetër, jo se nuk i hyj asaj pune hiq”, tha Haxhiu.

Këto deklarata u bënë në emisionin “KallxoPernime” ku u shfaq raporti i monitorimit të sistemit të drejtësisë nga organizatat “BIRN” dhe “Internews Kosova”.

Raporti i këtyre dy organizatave titullohet “Përkëdhelja e Korrupsionit” dhe tregon se në 80% të rasteve të vitit 2020, gjykatat e Kosovës kanë shqiptuar dënime më të ulëta se sa minimumi i dënimit për veprat të korrupsionit të cilat parashihen në kodin penal.