Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryetari i gjykatës Supreme kritikon dënimet me kusht në rastet e korrupsionit

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, gjatë emisionit “KallxoPernime” ka hedhur kritika në drejtim të gjyqtarëve që po gjykojnë rastet e korrupsionit.

Këto deklarata i pari i gjyqësorit në vend i bëri pas publikimit të raportit të monitorimit të Organizatave “BIRN dhe “Internews Kosova”.

Raporti i titulluar “Përkëdhelja e Korrupsionit”, shpalos detaje interesante të aktgjykimeve dënuese të cilat kanë përfunduar me dënime të ulëta.

Ky raport tregon se gjykatat e Kosovës prej 40 rasteve vetëm në 3 prej tyre kanë vlerësuar më shumë rrethana rënduese se sa lehtësuese.

Peci deklaroi se vetë si gjyqtar nuk di të gjejë ndonjë rrethanë që të shqiptoj një dënim me kusht në raste të tilla.

“Disa vepra penale nuk jepen me kusht, unë si gjyqtar që 30 vjet që punoj nuk di ku të gjejë një rrethanë që mundet të arsyetohet me dënimin me kusht, nuk di, nuk mund ta imagjinoj”, tha Peci.

Ai kërkoj nga të gjithë gjyqtarët e Republikës së Kosovës që të zbatojnë udhëzuesin e politikës ndëshkimore në mënyrë që t’i harmonizojnë dënimet për vepra të njëjta penale.

Gjatë emisionit kryetari i Supremes nuk la pa folur edhe për procesin e vettingut.

Ai tha se sistemi i drejtësisë nuk ka kohë për vetting dhe se duhet të veprohet shpejtë në forcim të mekanizmave ligjore.

“Ministre nuk kemi kohë shumë të presim për vetting, mos më keqkupto, duhet të veprojmë shpejt, nëse e lëmë në të bëjmë ndryshime kushtetuese, do mbesim edhe 2 vjet. Mirëpo mekanizmat e brendshëm urgjentisht duhet me t’i forcojmë nëse duam t’i heqim të këqijtë prej sistemit, përndryshe nëse presim me i verifiku me rend, nuk e kam për vete sepse deri të më verifikoni unë shkoj, mekanizmat duhet t’i forcojmë, po edhe ministria të na ndihmojë ne”, tha Peci.

“BIRN” dhe “Internews Kosova” përmes emisionit “KallxoPernime”, shpalosën raportin e 15-të të monitorimit të sistemit të drejtësisë.

Raporti i titulluar “Përkëdhelja e Korrupsionit” u shpalos në praninë e krerëve të institucioneve kryesore të drejtësisë në vend.

Të pranishëm në konferencën për publikimin e raportit përpos kryeprokurorit Lumezi ishin edhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku, Kryesuesi i KGJK-së, Skender Çoçaj, Kryetari i Gjykatës Supreme Enver Peci, Kryetari i Gjykatës së Apelit Hasan Shala dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj.

Gjatë emisionit ministrja Haxhiu i konsideroi shqetësuese të gjeturat e raportit dhe deklaroi se sistemi i drejtësisë ka nevojë për reformë të thellë.

“Sistemi gjyqësor dhe prokurorial ballafaqohet me probleme të shumta dhe padyshim që raporte si ky me të gjetura shqetësuese tregojnë se sistemi gjyqësor dhe prokurorial kanë nevojë për reformë të thellë dhe kemi nisur punën në këtë drejtim”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se dënimet e ulëta të korrupsionit nuk shërbejnë si parandalim por si stimulim i kësaj dukurie.