Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryeprokurori i shtetit flet për hetimin e qytetarëve me shtëpi dhe vetura të shtrenjta

Ai tha se ka njerëz që shihen me vetura, orë dhe shtëpi të shtrenjta që kushtojnë mbi 300 mijë euro ndonëse nuk kanë kurrfarë veprimtarie ekonomike.

Hetimi i këtyre personave, sipas Kryeprokurorit të Shtetit duhet të bëhet fillimisht nga Administrata Tatimore e Kosovës në procedurë administrative, ndërsa në rastet kur vërtetohet nga ATK-ja nëse ka pasur të hyra të kundërligjshme, rasti duhet të trajtohet nga Prokuroria e Shtetit.

“U tha që shihen njerëz me vetura të shtrenjta, ora të shtrenjta me shtëpi me nga 300 mijë euro, me vikendica me jahte edhe nuk kanë kurrfarë veprimtarie, pse këtu ATK-ja nuk i thirrur ata njerëz t’i pyes a i keni paguar tatim shtetit, ku i keni marrë ato para, në procedurë administrive, dhe nëse aty vërtetohet se nuk kanë pasur të hyra, është një indicie e mirë t’i hetojmë ato raste”, tha Lumezi.

Ai shtoi se duhet një bashkëveprim në mes të të gjitha institucioneve duke përfshirë Doganën, Agjencionin Civil dhe Kadastrën e Kosovës, në mënyrë që të luftohet krimi i organizuar në vend.

Kryeprokurori në emisionin “KallxoPernime” tregoi se kanë lidhur marrëveshje me një institut ndërkombëtar për verifikimin e pasurive të zyrtarëve të lartë jashtë vendit, pasi sipas tij, paratë e fituara nga krimi, janë duke u investuar jashtë vendit.

“Zyra ime ka nënshkruar një memorandum me një institut ndërkombëtar, i cili do të bëjë identifikimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë shtetëror që gjendet në evropë edhe jashtë saj”, tha Kryeprokurori.

“BIRN” dhe “Internews Kosova” përmes emisionit “KallxoPernime”, shpalosen raportin e 15-të të monitorimit të sistemit të drejtësisë.

Raporti i titulluar “Përkëdhelja e Korrupsionit” u shpalos në praninë e krerëve të institucioneve kryesore të drejtësisë në vend.

Të pranishëm në konferencën për publikimin e raportit përpos kryeprokurorit Lumezi ishin edhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku, Kryesuesi i KGJK-së, Skender Çoçaj, Kryetari i Gjykatës Supreme Enver Peci, Kryetari i Gjykatës së Apelit Hasan Shala dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj.

Gjatë emisionit ministrja Haxhiu i konsideroi shqetësuese të gjeturat e raportit dhe deklaroi se sistemi i drejtësisë ka nevojë për reformë të thellë.

“Sistemi gjyqësor dhe prokurorial ballafaqohet me probleme të shumta dhe padyshim që raporte si ky me të gjetura shqetësuese tregojnë se sistemi gjyqësor dhe prokurorial kanë nevojë për reformë të thellë dhe kemi nisur punën në këtë drejtim”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se dënimet e ulëta të korrupsionit nuk shërbejnë si parandalim por si stimulim i kësaj dukurie.