Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Supremja miraton udhëzuesin “Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare”

Gjykata Supreme e Kosovës në një seancë të përgjithshme të gjyqtarëve ka miratuar udhëzuesin e veçantë “Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare”.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi të bërë nga ana e kësaj Gjykate.

“Kryetari i Gjykatës Supreme Enver Peci, ka sqaruar para gjyqtarëve nevojën e hartimit të këtij dokumenti, i cili është përgatitur me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë dhe UNDP-së”, thuhet në njoftim të gjykatës.

Ndryshe, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN dhe Internews Kosova muajin e kaluar kanë publikuar raportin e 15-të të monitorimit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë.

Raporti titullohet “Përkëdhelja e Korrupsionit” dhe në të janë analizuar aktgjykimet dënuese të 40 rasteve të korrupsionit të nxjerra gjatë vitit 2020, ku edhe është rekomanduar nxjerrja e një udhëzuesi të veçantë për rastet e korrupsionit.

Ky raport i monitorimit është fokusuar në analizimin e politikës ndëshkimore në rastet e korrupsionit të shqiptuara nga gjykatat e Kosovës gjatë vitit 2020 dhe gjithashtu në analizën e performancës së gjyqësorit në trajtimin rasteve të korrupsionit.

Raporti qet në pah dënimet e ulëta të korrupsionit dhe rrethanat të cilat janë marrë parasysh për shqiptimin e dënimeve më të ulëta.