Kur do të shkojë në objektin e komunës kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri?

Janë bërë gati një muaj që kur kryetarët e 4 komunave me shumicë serbe kanë marr mandatet e tyre, e për të cilët është duke u protestuar nga banorët serb në Zveqan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Kryetari i komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, i cili është duke punuar në një objekt tjetër afër komunës, ka thënë se objektet komunale i takojnë administratës shtetërore të Republikës së Kosovës.

Ai në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se kur është zgjedhur kryetar nuk e ka ditur që do të ballafaqohet me revolta të tilla.

“Objektet komunale i takojnë institucioneve të Kosovës e qytetarëve të saj. Objektet komunale po tentojnë t`i mbajnë ata persona të cilët nuk janë të njohur për institucionet e Kosovës. Mos të them shërbime të shtetit serb por mund të ketë edhe shërbime të shteteve të tjera siç po shfaqen përmes grupeve kriminale edhe ruse e të tjera. DMTH këto objekte po mbahen nga këto shërbime”, ka thënë Zeqiri.

Ai më tej shtoi se këto probleme po krijohen nga grupe që dëshirojnë ta pengojnë funksionimin normal të shtetit të Kosovës.

“Serbia ka arrit me i instrumentalizu një pjesë të qytetarëve serb që jetojnë në Kosovë. Një pjesë edhe i financon që të punojnë sipas direktivave të Serbisë dhe synimet i kanë me i marr objektet”, ka thënë kryetari i ri i komunës së Zubin Potokut.

Ndryshe po bëhen një muaj që kur banorët serb po protestojnë para objekteve komunale duke kundërshtuar zgjedhjen e kryetarëve shqiptar.

Përgjatë kësaj kohe, pati përleshje mes protestuesve dhe KFOR-it, por edhe gazetarët u sulmuan duke pësuar lëndime trupore.