Izmir Zeqiri: Nuk do të dal në votime sepse do të krijoja huti te qytetarët

Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, thotë se nuk ka dalë e as nuk do të dalë në votime gjatë ditës “për” ose “kundër” shkarkimit të kryetarëve shqiptarë në komunat veriore të Kosovës, pasi sipas tij, kështu do të krijonte huti te qytetarët dhe do t’i përgjigjej “narrativës së Listës Serbe”.

“Po të isha pyetur unë nuk do të kishte nevojë për votim. Është bërë një votim për t’u zgjedhur kryetarët dhe nuk ka nevojë më… Më shumë është narrativa e këtyre të Lista Serbe a ku ta di unë- kundërshtarëve. Kështu që nuk do i përgjigjem që me kriju huti te qytetarët”- tha Zeqiri në një intervistë për  KALLXO.com.

Për të kjo është hera e parë që nuk voton, edhe pse thotë se e di se ekziston mundësia të votojë kundër.

Zeqiri thotë se që nga viti i kaluar kur është folur për Udhëzimin Administrativ ka qenë kritik ndaj këtij udhëzimi, sepse sipas tij, ky udhëzim krijon precedent edhe për komunat tjera.

“Por, unë e respektoj çdo udhëzim që del nga institucionet e Kosovës. Kam qenë skeptik rreth daljes së njerëzve në zgjedhje. Kur është në pyetje Lista Serbe që merret me ato retorikat e veta se gjoja është një faktor i fortë, flas me bindje se kurrë as vet nuk e dinë sa është në raport me votën e qytetarëve. A e dini pse? Sepse Lista Serbe, sa herë ka pas votime komisionerët kanë votuar e jo qytetarët. Nuk ka pasë komisionerë tjerë, nuk ka pas monitorim as vendor as ndërkombëtar dhe për atë bënë këto kalkulime”- shtoi Zeqiri.

Sipas tij, Lista Serbe frikësohet të ballafaqohet me të vërtetat, sepse ushqehet me të pavërteta.

“Kështu që kësaj radhe është një konsolidim i mirë. Ka komisionerë të të gjitha subjekteve. Dhe, kur e ka pa Lista Serbe që nuk votojnë komisionerët, por qytetarët… Unë mendoj që nuk do të ketë rezultat”- tha ai.

Ndërkaq për mbarëvajtjen e votimeve, Zeqiri tha që gjithçka ka nisur në kohë, megjithëse interesi i qytetarëve për të votuar është shumë i vogël.

“Në bazë të informacioneve, telashe nuk ka. Vetëm koha se po bie borë dhe është pak më ftohtë”- tha ai për qendën e votimit në afërsi të Bërnjakut.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar që deri në orën 11:00 kanë shfrytëzuar të drejtën e votës 85 persona në të katër komunat veriore, në të cilat po votohet për ose kundër shkarkimit të kryetarëve shqiptarë.

Sipas të dhënave që KQZ ka pranuar nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, rezulton se në Leposaviq kanë votuar deri tani 46 votues, në Zubin Potok 7 dhe në Mitrovicë e Veriut 32 votues.

Ndryshe nga komunat tjera, në pjesën e parë të ditës, saktësisht deri orën 11:00, asnjë person nuk ka votuar në Zveçan.

Nga liderë institucionalë dhe faktorë ndërkombëtarë është bërë thirrje që qytetarët të dalin për të votuar, ndërkohë që Lista Serbe ka bërë thirrje për të kundërtën. Dhe, nëse ky proces dështon, atëherë iniciativë e ngjashme nuk mund të bëhet para 12 muajsh.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat në veri të vendit është 46 mijë e 556, apo 1 mijë e 461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e fundit të mbajtura më 23.04.2023.

Udhëzim Administrativ i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal i cili i ka hapur rrugë këtij procesi e përcakton që kryetari i komunës konsiderohet i larguar nga posti nëse 50 për qind +1 e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të tij.

Por, nëse konstatohet përfundimisht që iniciativa për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, apo ka dështuar për shkak të mosplotësimit të kushtit për votimin e 50%+1 të votuesve për largim e kryetarit nga funksioni, iniciativa tjetër me kërkesë të njëjtë, nuk mund të iniciohet para kalimit të afatit prej 12 muajsh.

Numri i Qendrave të Votimit në komunën e Leposaviqit është 8, në Zubin Potok 5, në Zveçan 5 dhe në Mitrovicën e Veriut 5.

Në Leposaviq janë 13 mijë e 674 votues, në Zubin Potok 6 mijë e 877 votues, në Zveçan 7 mijë e 209 votues dhe në Mitrovicën e Veriut 18 mijë e 796 votues.