Kontributi i diasporës në luftën e Kosovës

Në 25 vjetorin e sakrificës së betejës së Jasharajve, në emisionin #KallxoPernime u diskutua për kontributin e diasporës në luftën e Kosovës.

Duke marrë parasysh që shqiptarët kanë qenë të shpërndarë nëpër botë e edhe në republikat e ish-Jugosllavisë në të 70-t dhe 80-t, ata kanë pas rast që para se të ndodhte lufta në Kosovë, të përfshiheshin në luftën e parë të vërtetë të ish-Jugosllavisë e që është lufta në Kroaci.

Ushtarë shqiptarë që luftuan në Kroaci erdhën e ndihmuan UÇK-në në Kosovë qysh në fillet e saj, e kontributi i tyre ishte tejet i dobishëm sepse ata e dinin se si funksiononte ushtria serbe dhe se si mund të mposhtej.

Tom Kaqinari, kryetar i Bashkësisë së Shoqatave vullnetare të luftës në Kroaci, ka rrëfyer se si iu bashkua luftës së Kroacisë në mënyrë vullnetare.

Ai ka thënë se drejtësia e shtyri atë të behet pjesë e kësaj lufte.

“Meqë jetoja në Kroaci u bëra pjesë e luftës por kam thënë disa herë edhe nëse baba jem, baba Zef me pas kanë në anën tjetër, kisha luftu kundër tij, se e kam ditë që isha në anën e drejt. Në kohën e Jugosllavisë, aty kurrfarë e padrejte serbëve sju ka ba. S’kanë mujt me thanë që kanë qenë të diskriminuar”, ka thënë Kaqinari.

Ai ka shtuar se në luftën e Kroacisë, kundër Serbisë kanë luftuar edhe mbi 30 mijë serb, përderisa ka thënë që brenda një nate janë formuar 10 brigada të ushtarëve të Kroacisë.

“33 mijë serb kanë luftuar në gardën kroate kundër Serbisë, rreth 3 mijë shqiptar kemi luftuar si vullnetar për Kroacinë, prej tyre, 87 janë dëshmorë, 37 janë të zhdukur, 250 invalidë të luftës”, ka thënë më tej ai.

Ferid Berisha, i cili kishte ardhur nga Holanda për t’iu bashkuar luftës së Kosovës, ka thënë se kanë mësuar shumë nga përvoja e shqiptarëve që erdhën nga Kroacia.

“Kur kam ardh në Kosovë, njëri nga eprorët e parë që kam taku që ka ardh nga Kroacia ka qenë Bekim Berisha, prej të cilit kemi mësuar shumë gjëra të luftës më pas kam takuar Esatin, i cili ishte oficer i lartë në Kroaci, mësimet e të cilit ishin të jashtëzakonshme”, ka thënë Berisha.

Esat Çollaku, që është kryetar i Unionit të Shqiptareve në Kroaci, ka rrëfyer momentin që ishte bërë pjesë e policisë kroate në mes të vitit 1991.

Deri në at kohë ai merrej me boks.

“Kam pritë gjatë për t`u bërë pjesë e policisë kroate, pas shkollimit e trajnimeve të shumta u plagosa, shumica e trajnerëve që na kanë trajnuar, kanë qenë në luftëra botërore, të cilët e sollën përvojën e tyre krejt ndryshe nga ajo jugosllave”, ka thënë Çollaku.

I riu që kishte lënë Zvicrën për t’iu bashkuar UÇK-së

Vrasja e Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës e Hakim Zejnullahut e kishte shtyrë Bekim Shytin të vinte në Kosovë dhe t`i bashkohet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shyti, që ishte komandant i Njësisë Speciale në UÇK, atë kohë si 22 vjeçar kishte braktisur Zvicrën për t’iu bashkuar UÇK-së.

“Unë vij prej një familje me edukatë patriotike kombëtare sepse fshati jonë e kam shpjegu edhe më herët është buzë malit dhe shtëpia e fundit në fshat jemi ne, nga shpia jonë duhet me hi n’mal kshtu që ka qenë një shtëpi që vazhdimisht kanë ardh ata ‘kaqakat’ dhe janë strehu, deshtë s’deshte ti dhe gjatë gjithë kohës jam rrit në një frymë të tillë”, ka thënë Shyti.

Ai kishte fotografuar edhe masakrën e Prekazit.

“Kam shku në Shqipëri i kam zhvillu ato fotografi dhe i kam plasu në internet”, ka  shtuar më tej Shyti.

Në Qeret të Shqipërisë kishte takuar Binak Gashin, i cili po ashtu ishte shkolluar dhe kishte luftuar në Kroaci.

Ai ishte kthyer në Kosovë për ta sjell përvojën e tij.

“Aty në Qeret kam takuar Binakun. Edhe disa ushtarë të tjerë që ai grup është quajtur formacioni i 7. Ishim 7 veta në këtë trajnim”, ka rrëfyer më tej Shyti.

Binak Gashi si trajner në atë trajnim, kujton që i kishte kërkuar fillimisht Shytit t`i shkurtonte flokët.

“Ishte i vetmi Bekimi me flok të gjata. Për shkak të higjienës nuk bënte që ti mbanim flokët e gjata sepse sishin kushtet e përshtatshme. Çka më ka bërë përshtypje është që disiplina që kishin ata djem për të mësuar dhe më pas gjithë atë praktikë e kanë sjell në UÇK e të cilat ishin shumë të suksesshme”, ka thënë Gashi.

Arrestimi i mërgimtarëve në Durrës, në kohën që po sillnin armë UÇK-së në ‘98

Esat Çollaku, kryetar i Unionit të shqiptarëve veteranë të Kroacisë, i cili kishte ardhur nga Kroacia për të kontribuar në luftën e Kosovës ka rrëfyer momentin e arrestimin në Shqipëri.

Çollaku ka thënë se at çfarë kanë kërkuar nga Shqipëria nuk e kanë gjetur atë kohë.

“Ne kishim nevojë sidomos për hapjen e rrugëve, shtigjeve të reja drejt kufirit tonë apo drejt Kosovës, kam kërkuar që të më lirojnë nga detyra në Kroaci dhe në Kosovë kam mbërri në ’98. Kroacia më ka dhënë edhe armë dhe me atë maune me armë janë nisur për në Durrës, ne u arrestuam aty në portin e Durrësit për kontrabandë me armë dhe na rrahën”, ka thënë Çollaku.

Ai ka shtuar se pastaj ai ka arritur të largohet nga porti dhe Ibrahim Hoxha, me të cilin ishin, ishte arrestuar.

“Ibrahimin e kishin arrestuar për kontrabandë me armë pasi që unë munda të iki nga trageti dhe pas tre ditës arrita që ta shpëtoj edhe Ibrahim Hoxhën me të cilin ishim bashkë. Ai pas kësaj ishte i vrarë moralisht e psiqikisht dhe i lënduar fizikisht. Ai është ende gjallë dhe vuan edhe nga lufta e Kroacisë por më shumë nga ajo çfarë na kishte ndodhur në Durrës”, ka thënë Çollaku.

Ai ka thënë më tej që mauna me armë ishte vjedhur.

“Shumë persona kishim grumbulluar para që t`i paguanim ato armë. Pas disa ditës kam marr rrugë përsëri për në Shqipëri ku kam stërvitur ushtarë të shumtë”, ka thënë ai.

Padrejtësi e ka quajtur Çollaku, faktin që kishin dashur ta poziciononin në shtab të përgjithshëm të UÇK-së.

“Unë ju thash dy gjëra i keni me mua, o të më vrisni o të më dërgoni tek Njësia Speciale, aty ku edhe besoja që i takoja. Këtë njësi e kishte formuar Bekim Berisha, e i cili ra dëshmor në gusht të 98-s dhe unë dëshiroja pikërisht që të vija në këtë njësi”, ka shtuar Çollaku.

Ferid Berisha, që ishte epror i njësisë speciale ‘111 Adem Jashari’ në UÇK, ka thënë se nuk ka pasur përvojë ushtarake ndonëse ka treguar çfarë ka mësuar nga Esat Çollaku, i cili ishte edhe në luftën e Kroacisë.

Ai ka rrëfyer edhe kur është dëshpëruar nga ○ollaku, pasi që ky i fundit kishte bërë krahasimin mes pajisjeve ushtarake që posedonte UÇK-ja dhe ushtria kroate në kohë të luftës.

“Gjatë luftës thojke na kur këna luftu në Kroaci kemi pas disa topa, disa tanke, e kaniherë u dëshprojsha por sju tregojsha ushtarëve. Prej tij kemi mësuar shumë gjëra më së pari vendosshmërinë duke e krahasur me Kroacinë. Ndërsa çka ka qenë shumë e rëndësishme për ushtarin me i msu është ushqimi, maskimi dhe normal njohja e armatimit”, ka thënë Berisha.

Ai ka rrëfyer edhe rastin kur njësia e tij ishte rrethuar nga forcat serbe në fshatin Obri në 99-ën.

“Edhe pas luftës e kam hulumtu se kush na kishte rrethu dhe e ka qenë brigada e 37 e gjeneral Dikoviqit, ai ka ardhur në prill në pjesën e Drenicës është vendos, që i ka pasur më shumë se 4 mijë ushtarë. Ka qenë luftë shumë mendoj kulminante e njësisë tonë, por na ka ndihmu NATO se kemi qenë në rreth të jashtëzakonshëm”, ka thënë më tej Berisha.

Ai ka shtuar se po të mos bombardonte NATO ato momente ne menduam se do të vriteshin.

“NATO ka bombardu dhe ne kemi shpëtu pas dy ditë luftë, besoj që ata kishin informata të sakta sepse intervenimi ishte qaq preciz, ne kemi qenë diku rreth 60 veta, s’ka qenë as 100 metra afër që kanë borbardu”, ka shtuar më tej Berisha.

Ai ka thënë gjithashtu që Esat Çollaku, i cili përvojën e tij në luftën në Kroaci e solli në Kosovë e sot është kryetar i Unionit të shqiptarëve veteranë të Kroacisë pas kësaj beteje i kishte thënë ushtarëve që as në Kroaci skishte parë luftime të tilla.

“Kur e krahasojke luftimin tonë me at të Kroacisë na jepke vullnet. Qudia ka qenë kur ata i nxorrën tanket. Atë ditë kanë vdekur 3 ushtarë e janë plagosur disa të tjerë. E aty jemi përgatit për momentet e fundit”, ka thënë Berisha.

Berisha, që ishte epror i njësisë speciale ‘111 Adem Jashari’ në UÇK, ka rrëfyer edhe rastin si i kishin ndihmuar civilët atyre që të bartnin municion nga Sllatina.

Krejt kjo ngjarje dhe rrethimin në Obri të Drenasit është edhe pjesë e skenarit që Berisha është duke e përgatitur për një film.

“Në skenar jam mundu me i pasqyru tri gjëra, si ka filluar lufta, qysh është zhvillu dhe si ka përfundu. Pjesë e tij është edhe ajo se si kemi hi në tunelet e Sllatinës, realisht te magazinat e aeroportit që e kemi marr municionin, janë njerëzit gjallë dhe sot e dëshmojnë atë. Luftë në Sllatinë s’ka pas por municion po megjithëkëtë municioni kishte mbaruar pothuajse. Kemi qenë bashkë me njësinë “Arbri”, por edhe na u kanë bashkangjitë edhe një grup civlësh prej 250 vetave apo më shumë”, ka thënë Berisha.

Ai ka shtuar se operacioni ka zgjatur më shumë se 24 orë.

“Civilët kanë ndihmuar në bartje të municionit. Aksioni kishte nisur nga Kleqka, aty kanë qenë më shumë se 60 mijë civilë të strehuar, dhe kjo ka qenë edhe pjesa e më problematike për UÇK-në”, ka shtuar Berisha.

Fehmi e Xhevë Lladrovci luftuan deri në 93-n për Kroaci

Tom Kaqinari, kryetar i Bashkësisë së Shoqatave vullnetare të luftës në Kroaci, në emisionin #KallxoPernime, ka thënë se në Kroaci është formuar një brigadë e veçantë e shqiptarëve në ’91-n.

“7874 shqiptarë të cilët kanë ikë nga ushtria jugosllave kanë shku në Kroaci dhe kanë formuar një njësi etnike shqiptare që është quajtur brigada e Gospiqit, ku pjesë e saj ishte Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, deri në 92-ën kanë luftuar si brigadë mandej brigada është zhduk, pasi ishte formuar politikisht për mu ba trajnimi i atyre ushtarëve e me u terhek në Kosovë e mu formu vija e jugut, të cilët kanë luftuar me shenjën e UÇK-së në krah”, ka thënë Kaqinari.

Kroacia me ministri të veçantë për veteranët

 Tom Kaqinari, kryetar i Bashkësisë së Shoqatave vullnetare të luftës në Kroaci, ka thënë se në këtë shtet ekziston ministria e Veteranëve.

“518 mijë veteran i ka Kroacia apo 12% e popullatës. Por aty hynë edhe të punësuarit në ministri, psh policët që e kanë rujt kufirin ua kemi njohur statusin e veteranit por të drejtat ndryshojnë. Deklarim të rrejshëm të veteranit ka pasur por kemi kontrolluar regjistrat secili të njësisë së vet, nëse ska figuru emri atëhërë ashtu është pastru lista. Më shumë se 3 mijë persona i kemi nxjerr nga regjistri”, ka thënë Kaqinari.

Ai ka shtuar se në Kroaci ka edhe spital të veçantë për veteranët, ku shërimi i tyre bëhet pa pagesë.

“Në Kroaci nuk marrin veteranët pare, pos atij që ka mbetur invalid edhe ai që është zënë rob si ushtar dhe familjet e dëshmorëve. Dmth nuk japin pare veç pse kanë luftu, sepse ai duhet me punu”, ka thënë Kaqinari.

Kaqinari ka treguar gjithashtu që edhe nga privatizimi i fabrikave në Kroaci nëse një ushtar ka qenë punëtor aty, i ka takuar një përqindje.

“Ministria e Veteranëve i ka dhënë atij 20 mijë marka. Ne kur e kemi formuar ministrinë kemi dalë në rrugë i kemi thënë politikanëve që ne jemi ata që ne e kemi formu këtë shtet”, tha ai.

Veteranët në Kroaci kanë kërkuar që për çdo fabrikë që privatizohet, atyre t`u takoj 7%, prej tyre veteranët e kanë krijuar edhe fondin.

“500 milionë euro i kemi nxjerr nga privatizimi në 2002, këto i kemi ndarë në 3 pjesë, 1/3 u nda si divident për çdo veteran një herë në vit, 1/3 riinvestim, ndërsa pjesën tjetër e kemi ndarë për shkollimin e fëmijëve të veteranëve edhe ndajna ndihma kur ka rast vdekje, rast shërimi jashtë shtetit”, ka thënë më tej Kaqinari.

Bekim Shyti që ishte komandant i Njësisë Speciale në UÇK, ka thënë se një veteran në asnjë mënyrë nuk mund të mbijetoj me 170 euro social që i jep shteti.

“Po harrojmë që Kosova nuk e ka buxhetin e Kroacisë, edhe nuk mundemi me shkop magjik me i rregullu gjërat, por kanë fillu me lëviz edhe besoj që në të ardhmen këto gjëra do të ndryshojnë”, ka thënë Shyti.

Shyti ka shtuar që kur ka dalë nga TMK-ja shteti i ka dhënë atij një subvencion prej 2500 euro për të nisur një biznes.

“Unë kam qenë në TMK deri më 2009 dhe kur kam dalë nga aty, kam pas 2500 euro subvencion nga shteti, për të filluar ndonjë biznes, çfarë do që unë kam pasur ide dhe jo vetëm unë po secili që ka qenë pjesë e UÇK-së”, ka thënë Shyti.

Ai ka shtuar se një ushtar i UÇK-së sot lutet që të trajtohet dinjitetshëm nga shteti i Kosovës.

 

 

 

Esat Qollaku, kryetar i Unionit të shqiptarëve veteranë të Kroacisë ka thënë se janë shoqata e vetme që kanë marr fond prej rreth 300 mijë euro nga Bashkimi Evropian për risocializim e ushtarit dhe familjës së tij.

 

“Unë kam shumë miq ushtar që kanë bërë vetëvrasje në Kosovë. Në Kroaci ka kaluar numri përmbi 3 mijë. Risocializimi bëhet përmes shoqatave të veteranëve, përmes kolegëve të luftës, duke ia ditë njëri-tjetrit dhimbjen e nuk bëhet asesi përmes muzikës e koncerteve të ndryshme, ato përkundrazi janë më të rënda që e bjen veteranin në një depresion”, ka thënë Qollaku

 

Ai ka shtuar se për këto probleme ka folur qindra herë me secilën shoqatë të veteranëve në Kosovë por që asnjëra nuk ia ka vërë veshin.

 

“Kam fol me qindra mijëra herë, me secilin kryetar të secilës shoqatë por nuk janë marr për bazë”, ka thënë Qollaku

 

Qollaku, ka thënë se edhe Serbia ka bërë më shumë për veteranët e saj sesa Kosova.

 

Çka kanë kërkuar veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?

 

Binak Gashi, i cili ka qenë pjesëtar i UÇK-së, ka thënë se në Kosovë ende mungon

ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës.

 

Ai ka shtuar se deri më sot ky ligj do të duhej të miratohej.

 

“Kisha kërku që ai ligj të votohet sa më parë dhe të mbrohen të gjitha vlerat me ligj”,

ka thënë Gashi

 

Gashi ka treguar që kanë qenë edhe në Kroaci dhe kanë marr të gjitha materialet se si

ai shtet ka vepruar me veteranët.

 

“Përvojat e tyre dhe ligjet e tyre duhet me i marr dhe me i jetesu në Kosovë sepse ne

dijmë më së miri me pastru shtëpinë tonë edhe e kemi gatishmërinë si të diasporës si

më herët sidomos të Kroacisë ashtu edhe ne”, ka thënë Gashi.

 

Ai ka shtuar se shoqatat e veteranëve nuk janë duke i përfaqësuar vetëranët më së

miri.

 

“Nuk jam i kënaqur aspak me to. Prandaj ne kemi formu një shoqatë, “Operacioni

Shigjeta”, që jemi vëllazëru me një shoqatë nga Kroacia me të cilën jemi duke

bashkëpunuar mirëpo nuk kemi përkrahje prej shtetit së së pari duhet të mbrohemi

me ligj’, ka shtuar Gashi

 

Ferid Berisha, që ishte epror i njësisë speciale ‘111 Adem Jashari’ në UÇK, ka thënë që

veteranët nuk kanë kërkuar asgjë nga shteti i Kosovës.

 

“Unë ju garantoj që veteranët nuk kanë kërkuar asgjë hiç. Çka ka ndodh, dikush në

politikë ka thënë hajde ta bëjmë një ligj, po i regjistrojmë veteranët, si ide në rregull por forma ka qenë e gabuar e ligji nuk është askund”, ka thënë Berisha