Gashi: Punëdhënësi duhet ta nxjerr për veshi jashtë punëtorin nëse nuk i ka pajisjet mbrojtëse

Kryeredaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi thotë se është përgjegjësi e pronarit të kompanisë që të ketë vend punishten e sigurt për punëtorët.

Gashi në emisionin #KallxoPërnime” tha se punëdhënësi duhet “ta nxjerr për veshi jashtë punëtorin nëse nuk i ka pajisjet mbrojtëse”.

“Është përgjegjësi e punëdhënësit edhe menaxherit, pronarit të kompanisë që me e pasë vend punishten e sigurt, pra nuk mundet ai me thënë “punëtori valla nuk e ka marrë pajisjen mbrojtëse të cilën ia kemi dhënë dhe ai ka hi në vendpunishte edhe është rrëzu dhe ka vdekë”. Pronari i biznesit është përgjegjës se cka ndodhë brenda objektit të tij dhe ai nëse i ka hy dikush pa pajisje mbrojtëse duhet me e nxjerrë për veshi jashtë edhe nëse është punëtori i vetë”- ka deklaruar Gashi.

Ai shpjegon se biznesmenët duhet të jenë të vetëdijshëm se janë përgjegjës nëse punëtorët ia shkelin rregullat.

“Pra biznesmenët duhet me qenë të vetëdijshëm që janë përgjegjës edhe nëse punëtorët ia shkelin rregullat dhe nuk i nxjerrin prej vendpunishtes, edhe nëse punëtorët nuk i veshin pajisjet ata janë përgjegjës me ua veshë, me zor, nëse nuk pranojnë me i heqë prej punës. Pra nuk tolerohet punëtori me ia lënë në vullnetin e vet me i respektu rregullat e sigurisë dhe shëndetit në punë dhe kjo është tu na ndodhë neve” – thotë kryeredaktori i KALLXO.com.

“Tash biznesmenët ka fillu me kriju njëfarë narrative që punëtorët i kanë pajisjet por nuk po i përdorin, në fakt punëtori e ka përgjegjësinë me e veshë mirëpo, ai që e menaxhon vendpunishten duhet me u siguru që njerëzit i respektojnë rregullat te cilat i ka vendosë dhe këtu përgjegjësia e parë bie mbi ata që janë pronarë të biznesit dhe ata duhet me e kuptu këtë përgjegjësi. Nuk munden me thënë se “ia kemi ble pajisjet por nuk po i veshë”, nëse nuk i veshë duhet larguar nga puna dhe mos me shkaktu aksidente” – thekson ai.

Brahim Selimaj, Naim Bajraktari, Zijavere Keqmezi, Kreshnik Gashi po debatojnë për mungesën e investimeve në siguri.

BIRN Kosova të premten publikoi raportin “Menaxhimi i Punëtorëve pa Procedura”.

Raporti i prezantuar nga BIRN trajton çështjet e menaxhimit të punëtorëve nga bizneset, sigurinë dhe shëndetin në punë si dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara.