
Foto: Fatrion Ibrahimi - Kallxo.com
Fetahu: Projektligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme amniston kriminelët
Avokati Faton Fetahu në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se Projektligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme do të amnistojë kriminelët.
“Ky Projektligj i amniston kriminelët, sepse nëse dikush ka fitu pasuri të pajustifikueshme ai do të amnistohet nga përgjegjësia e tij penale”, ka thënë ai.
Tutje ai ka shtuar se nëse një person i caktuar nuk ka një procedurë penale me të cilën ai do të shpallej fajtor, ai është i amnistuar.
Të njëjtit i është kundërpërgjigjur Lyra Çela nga Ministria e Drejtësisë.
Ajo ka thënë se Projektligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme nuk ka për synimin pasurinë e paligjshme.
“Ju po flisni për pasuri të paligjshme, ndërsa Projektligji ka për synim pasurinë e pajustifikueshme, ta bëjmë këtë dallim”, tha Çela.
Tutje, juristi Labinot Leposhtica shtoi se ky Projektligj nuk do të amnistojë askënd.
Sipas tij, qëllimi i këtij Projektligji është që të konstatojë nëse pasuria e një personi është apo nuk është e justifikuar.
“Nëse nuk është pasuria e justifikuar, ajo i konfiskohet dhe aty përfundon procedura”, tha Leposhtica.