Fetahu: Neni 7 i Planit franko-gjerman thotë autonomi për serbët

Avokati Faton Fetahu në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se ka mospajtim të thellë sa i përket pikave 7 dhe 10 të Planit franko-gjerman. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën, pas takimit me presidentin serb në Bruksel, tha se është pajtuar me Planin.

Fetahu pyeti se pse kjo pikë bën pjesë në këtë Plan.

“Pika 7 po thotë një autonomi për serbët në Kosovë. Dhe si e lexojmë ndryshe unë nuk e kam të qartë. Problematike mbetet çështja e financimit të serbëve në Kosovë, ku po bëhet përmes nivelit të ri, pra përmes autonomisë” – ka thënë Fetahu.

Neni 7 i Planit thotë se “të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës. Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.

Ndërsa neni 10 thotë se “Palët do të krijojnë një komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje. Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese”.

Ndërsa pas takimit, Bashkimi Evropian ka publikuar planin e njohur si Plani franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky plan përmban 11 nene, si dhe një deklaratë në fillim të tij.

Escobar: Detajet e planit franko-gjerman pritet të bëhen publike shpejt