Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Fetahu: Në rrethana normale Besnik Bislimi do të duhej të shkonte në ndalim për 48 orë

Për avokatin Faton Fetahu, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi sonte nuk do të duhej të bënte gjumin në banesën e tij por duhej të shkonte në ndalim për 48 orë, për shkak të ngjarjeve që ndodhen sot në Kuvendin e Kosovës.

Avokati Fetahu tha se ishte zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ai që provokoi sot situatën në Kuvendin e Kosovës.

Seanca e Kuvendit sot u përcoll me grushte dhe përleshje mes deputetëve të PDK-së dhe deputetëve të LVV-së dhe ministrave të Qeverisë Kurti.

“Ishte veprimi i zëvendëskryeministrit që provokoi situatën. Deputetët e opozitës nuk u lejuan në shtruarjen e pyetjeve. Sot nuk patëm as gaz lotsjellës, as vezë e as mollotov. Shyqyr që qytetarët sot i kanë parë pamjet. Së pari me pasë qenë në një vend demokratik zëvendëskryeministri sonte nuk duhej ta bënë gjumin në banesën por duhej të shkonte në ndalim së paku 48 orë ndalim. Deputetët e opozitës mbrojtën veten dhe në një masë të caktuar mund ta kenë tepruar. Ata janë opozitarë. Aty dikush më shumë, dikush më pak. Deputetët e opozitës të vetmit mekanizma i kanë pyetjen parlamentare, ndonjëherë edhe demonstrim të tillë që nuk mund të krahasohet me veprimet që ka pasur në të kaluarën. Nuk mendoj që është e parëndësishme që mos me ditë një pyetje që e kanë pasur opozita” – tha Fetahu në emisionin “Kallxo Përnime”.

Situata e sotme në Kuvendin e Kosovës kaloi me tensione të vazhdueshme, rrahje e kacafytje.

VIDEO – Si nisi përleshja fizike në Kuvendin e Kosovës