Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Fetahu: PDK-ja e bindur se Ligjin për KPK-në Vetëvendosje e ka bërë për qëllime politike

Faton Fetahu, avokat i PDK-së, është shprehur i bindur që Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës Qeveria e ka bërë vetëm për qëllime politike.

Në emisionin ‘Kallxo Përnime’, Fetahu ka theksuar se kur ka shkuar Ligji në Kuvend nuk janë marrë parasysh as mendimet e deputetëve nga shumica.

“Mund t’i pyesni deputetët e shumicës parlamentare, as nuk i kanë dëgjuar deputetët e vet në vërejtjet që i kanë pasur, si i tillë s’guxon të preket dhe duhet të kalojë. Kjo ka qenë qasje shumë e gabuar” – ka thënë Fetahu.

Fetahu ka treguar se PDK-ja nuk ka dërguar fare komentet e saj lidhur me Ligjin për KPK-në.

Avokati ka shtuar se sipas tij dy nene të këtij ligji, 16 dhe 18, ia kanë përforcuar bindjen atyre se ky Ligj është me motivacion politik.

“Procedurat disiplinore ndaj anëtarëve të Këshillit nuk e zbatojnë parimin e trajtimit të barabartë para ligjit të këtyre anëtarëve. Mbrojtje ligjore i ka ofruar për anëtarët prokurorë por jo edhe për ata që i zgjedh me një fjalë ka imponuar të zgjidhën njerëz të politikës” – ka thënë Fetahu.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë, të ushtruar nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, vitin e shkuar.