Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Fetahu: Procesin zgjedhor në veri mund ta quajmë improvizim zgjedhor
Avokati Faton Fetahu mendon se zgjedhjet e fundit në veri nuk mund të quhen proces zgjedhor por improvizim zgjedhor.
Kjo, sipas tij, është rezultat i dështimit të Qeverisë së Kosovës, i paraprirë nga vendimi i presidentes Vjosa Osmani për shtyrjen e zgjedhjeve dhe i paraprirë nga largimi kolektiv i serbëve nga institucionet në veri.
Këtë largim, ai thotë se e konsideron faj të kryeministrit Albin Kurti.
“A keni dëgjuar të flitet për integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës? Fatkeqësisht sot po flitet vetëm për rehabilitimin e reputacionit të këtij kryeministri” – tha ai.
Fetahu shtoi se tani po flitet vetëm se si të shpëtohet fytyra e Kurtit dhe për statusin politik, autonominë politike, territoriale të serbëve. Për këtë, ai tha se është dështimi më i madh që ka pasur Kosova ndonjëherë.
Madje, avokati tha se këto zgjedhje janë të diskutueshme edhe për legalitetin e tyre.
Argumenti i tij është se Ligji për zgjedhje dhe Ligji për zgjedhjet në nivel lokal nuk e përcaktojnë një prag minimal për pjesëmarrje në zgjedhje.
Ai përmendi një raport të quajtur Raporti i Venecias për anulim të zgjedhjeve.
Komisioni Qendror Zgjedhor, sipas tij, ka dështuar duke rënë në grackë të Albin Kurtit.
“Një nga rastet kur duhet të anulohen zgjedhjet është kur ka dështim të përmbushjes së kërkesës së nevojshme për pjesëmarrje në zgjedhje. Kjo kërkesë në bazë të praktikës evropiane shkon nga 20 deri në 50% të një pjese. Sepse ka interpretime të ndryshme” – u shpreh Fetahu, duke treguar se çka thotë ky raport.