Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Avokati Faton Fetahu: Deputeti Lushtaku bëri akt simbolik kur spërkati me ujë kryeministrin
Avokati Faton Fetahu e ka quajtur skandalin më të madh që nga paslufta audio-incizim e publikuar ku janë duke folur shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lilës dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq.
“Skandali më i madh që ka ndodhur që nga pas lufta është komunikimi i Mimoza Kusari Lilës me Slavko Simiqin dhe Radojiqin. Të jemi të saktë komunikimi nuk është problem por problem është komunikim me një njëri që është në listën e zezë të Amerikës dhe akuzat që rëndojnë mbi të” – tha Fetahu.
Fetahu në emisionin Kallxo Përnime ka komentuar tensionet që përcjellën sot Kuvendin e Kosovës dhe përleshjen në mes deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, zëvendëskryeministrit Bisnik Bislimi dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Mbrojtësi Ligjor i PDK-së tha se e gjithë ngjarja ka nisur për shkak të një provokimi të hapur të zëvendëskryeministrit, Bisnik Bislimi.
Ndërsa e ka quajtur “akt simbolik” hedhjen e ujit nga deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku në drejtim të kryeministrit Albin Kurit.
“Deputetët e PDK-së dhe grupeve të tjera sot ngritën këto çështje dhe kur filloi kryeministri fjalën e tij pati një protestë shumë demokratike nga deputeti Lushtaku, ishte tejet akt simbolik, le të themi spërkatje me ujë të zotit Kurti. Por e mira ishte që Kurti nuk reagoi e as zotëri Lushtaku por reagoi një person i tretë. Kjo përbënë herën e parë që në Kuvendin e Kosovës një anëtar i Qeverisë që e heq një diçka që e vendos një deputet. Provokimi i hapur ishte nga ana e Besnik Bislimit”- tha ai.
Situata e sotme në Kuvendin e Kosovës kaloi me tensione të vazhdueshme, rrahje, kacafytje bllokada.