Deklarata në Këshillin e Etikës së UP-së e profesorit të denoncuar për ngacmim seksual

Pesë javë pasi denoncimit të studenteve ndaj profesorit të Shkencave të Matematikës, Xhevat Krasniqi për ngacmim seksual, më 04.042024 u mbodh Këshilli i Etikës së Universitetit të Prishtinës.

Në këtë mbledhje u paraqit edhe vetë Krasniqi, ani pse me gjithë insistimin e Jeta Xharrës, refuzoi të përgjigjet lidhur me pretendimet ndaj tij.

Në emisionin KallxoPërnime, Xharra tregon se çka thuhet në deklarimin 45-minutësh të Krasniqit.

“Nga ajo se çka u dëgjua në atë mbledhje, Këshilli i Etikës as nuk e quante ngacmim seksual, por vetëm ngacmim dhe se shumë pak u morën me fjalët që i kanë shkruar 27 studentet që e denoncuan Krasniqin.”

Sipas Xharrës, e cila e ka dëgjuar deklarimin e tij, profesori nuk është pyetur për çështjen e masazhit dhe se shumica e kohës ishte koncentuar në mënyrën se si Krasniqi e bën vlerësimin.

Megjithatë, ai e ka pranuar se e mundëson komunikimin me telefon dhe është pyetur në lidhje me organizimin e provimeve porse nuk është pyetur se përse e mbanë derën mbyllur kur i mbanë konsultimet.

“Unë aq e kam të vështirë notimin dhe vlerësimin, sa që mua vazhdimisht më kanë dërguar intervenca, por unë përkëtë nuk kam fakte sot, por unë kam pasë kryetar komune, zëvendës komandantë të Policisë e deputetë që kanë dërgu intervenca e më kanë kërcënu se e kam vlerësimin shumë të vështirë”- citohet të ketë thënë Xhevat Krasniqi para Këshillit të Etikës.

Në fjalën përfundimtare, ai ka kontestuar 27 nënshkrimet e studenteve, duke thënë se në atë listë ka studente prej viteve tjera. Kryesisht, vija e mbrojtjes së tij ishte se për shkak që është i vështirë në vlerësim, ai shantazhohet nga studentët.

Gjithashtu, Krasniqi ka kontestuar një nga tri vajzat që ka dhënë deklaratën që është ngacmuar, duke thënë se “ky nuk është nënshkrimi i saj sepse unë e kam fotografuar nënshkrimin e saj dhe dallon”.

Në shkurt të vitit 2024, 27 studente dorëzuan ankesë për ngacmim seksual nga profesori Xhevat Krasniqi.

Lidhur me pretendimet e disa studenteve se janë ngacmuar seksualisht nga profesori i rregullt i UP-së, Fakulteti i Mjekësisë thotë se fillimisht është informuar gojarisht. Kurse, denoncimin me shkrim studentet e Fakultetit të Mjekësisë e kishin dorëzuar zyrtarisht më 27.02.2024 në Fakultet.

Ndonëse, Krasniqi ende figuron si profesor i rregullt në Fakultetin e Edukimit, e njëjta nuk është konfirmuar se qëndron në Fakultetin e Mjekësisë.

Pas denoncimit të studenteve, i gjithë menaxhmenti i Mjekësisë, dekan e prodekan, janë mbledhur më 04.03.2024, me ç’rast kanë ftuar edhe profesorin Krasniqi për t’ia kumtuar me gojë denoncimin e studenteve ndaj tij dhe ndërprerjen e bashkëpunimit me të.

Fakulteti i Mjekësisë e ka konfirmuar se profesori Krasniqi ka qenë i angazhuar në këtë Fakultet përafërsisht nga viti akademik 2016/2017, ku ka ligjëruar lëndën e matematikës në programin e Farmacisë.

Sipas Fakultetit të Mjekësisë, Krasniqi nuk e ka pranuar se i ka ngacmuar seksualisht studentet.

“Në këtë takim Prof. Xhevat Krasniqi i është komunikuar me gojë denoncimi i studentëve të Farmacisë për të. Në këtë rast Prof. Xhevat i ka mohuar akuzat për ngacmim seksual. Në fund të takimit Menaxhmenti i FM-së e ka njoftuar Prof. Xhevat se për shkak të natyrës së denoncimit dhe për shkak se rasti duhet të përcillet në Këshillin e Etikës, atij i ndërpritet angazhimi i mëtutjeshëm në Fakultetin e Mjekësisë” – kanë thënë nga Fakulteti i Mjekësisë.

Pas këtij takimi, dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu, denoncimin e studenteve e ka përcjellë me shkresë zyrtare në Këshillin e Etikës të UP.

Në vend të profesorit Krasniqi, në FM është angazhuar një profesor tjetër i matematikës nga Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore.