A ka raste që në QKMF shkojnë pacientë që kanë përdorur barna të blera online e që u kanë bërë dëm?

Drejtori i QKMF-së në Prishtinë, Bujar Gashi, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se kujdesi parësor shëndetësor e jep një kontribut të mirë në ndalimin e dezinformimit në fushën e shitjes online të barnave.

Ai shtoi se ndonëse ka suplemente të cilat janë të lejuara për t’u shitur dhe tregtuar në Kosovë, pacienti duhet t’i marrë këshillat nga mjeku apo farmacisti për to.

“Pacienti duhet të njoftohet se çka janë ato suplemente nga doktori dhe pastaj normalisht edhe nga farmacisti. Mënyra e dhënies së suplementeve në këtë formë duhet të bëhet me anë të sanksioneve ligjore të cilat nuk janë në kompetencën tonë mirëpo kontributi i komunitetit shëndetësor mund të jetë në këtë drejtim me një marketing për produkte farmaceutike që kanë substanca aktive që janë të nevojshme” – tha Gashi.

Ai shtoi se sikur Kosova të kishte një sistem të mirëfilltë të informimit shëndetësor do të minimizoheshin këto dukuri, si shitja online e produkteve shëndetësore.

“Nuk po them që do të zhdukej por do të ndihmonte shumë që recetat të shkonin në formë elektronike dhe pacienti të mos ketë fare qasje në recetë, vetëm do të shkonte në farmaci e merr produktin dhe kjo do të ishte një zgjidhje”, – shtoi Gashi.

www.kallxo.com