Ilustrim

Prishtinë, arrestohet një i dyshuar për kontrabandë më barna

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për kontrabandë me barna. I njëjti sipas Policisë rezulton se ka qenë i përfshirë në një vepër të njëjtë penale edhe në maj të këtij viti.

“Mbi bazën e këtyre veprimeve është krijuar dyshimi se i dyshuari  Sh .I., (1985),  mashkull kosovar, dyshohet se ka kryer veprën penale ‘prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’ nga neni 260 i KPRK-së” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Polica thotë se arrestimi i të dyshuarit u bë i mundur pas një kontrolli që kanë bërë organet e rendit në një lokacion dhe barnatoren në pronësi të të dyshuarit ku edhe është gjetur një sasi e barnave pa banderola.

“Gjatë kontrollit është hasur  një sasi barnash (lloje të ndryshme) pa banderola të Republikës së Kosovës, të cilat dyshohet se në vendin tonë kanë hyrë në formë të kontrabanduar andaj të njëjtat janë evidentuar në procesverbalet e Inspektoratit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe janë konfiskuar në bazë të procedurave të tyre të punës” – thuhet në njoftim.

Sipas policisë, i dyshuari me vendim të prokurorit kujdestar është ndaluar për 48 orë.