Ka Vdekur Profesori Basri Çapriqi
Në moshën 58-vjeçare ka vdekur profesori universitar Basri Çapriqi.
Lajmin e kanë bërë të ditur kolegë të tij të letrave.
Njëri prej tyre, Halil Matoshi, ka shkruar se sot ka dashur ta thërriste për t’i uruar ditëlindjen kur mori kumtin e zi.
“Ishte ndër poetët ma t’ mirë në Kosovë, qe u shfaqen në vitet ’80, në kulmin e robnisë dhe shtetrrethimit”, ka shkruar Matoshi në një postim në profilin e tij në “Facebook”.
Edhe kryeministri Ramush Haradinaj ka reaguar pas lajmit për vdekjen e profesorit Çapriqi.
“Shuarja e Basri Çapriqit, njeriut të letrave shqipe, është humbje e madhe për letërsinë, kulturën dhe publicistiken shqiptare. Universiteti i Prishtinës ka humbur një punëtor të madh, një njeri të vlerave mbarëkombëtare dhe një studiues e poet të njohur në botë”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke theksuar se në këto çaste të dhimbjes është me familjen Çapriqi dhe me miqtë e tij.
Profesori universitar Basri Çapriqi ishte studiues e kritik i letërsisë, poet e veprimtar.
I lindur në Ulqin më 1960, Basri Çapriqi është autor i shumë librave me poezi e kritikë letrare.