Foto: KALLXO.com

Gjakovë, Gjykata cakton masë siguruese në kontestin e familjes Zajmi

Gjykata e Gjakovës ka marrë vendim që të caktojë masë siguruese për tjetërsimin e pronave që familja Zajmi i përfiton nga ndërtimi i një banese në Gjakovë.

Sipas vendimit, kompanisë që po i ndërton banesat i ndalohet që banesat të cilat kjo familje i pranon t’i tjetërsojë.

Më 24 nëntor 2022, Gjykata ka vlerësuar si të drejtë propozimin e propozuesve Nazire Zajmi dhe Gazmend Zajmi nga Gjakova për caktimin e masës së sigurisë.

“Caktohet masa e sigurisë në 3/4 e pjesës ideale të patundshmërisë të ngastrës me numër 5851 të sipërfaqes 0.05.35 ha. I ndalohet kundër-propozuesit të tretë “Real Construction Group A&SH” SHPK që të ndërmarrë çfarëdo veprimi procedural dhe ligjor që ka të bëjë më bartjen e të drejtës së pronësisë më pjesën ideale prej 3/4 të patundshmërisë të sipërfaqes së lartcekur. I ndalohet edhe kundër-propozuesit të parë, Malush Krushës nga Gjakova që në pjesët e lartcekura të ndërmarr çfarëdo veprime procedurale dhe ligjoren bartjen në pronësisë” – thuhet në vendimin e Gjykatës.

Si pronarë legjitimë të parcelës, paditësit kanë ushtruar kërkesë për masën e sigurisë kundër propozuesit të parë Malush Krusha dhe kundër propozuesit të tretë “Real Construction Group A&SH” .

I autorizuari i masës së sigurisë, Besnik Haxhijanuzi, ka kërkuar ndalimin e çdo aktiviteti nga kundërpropozuesi i parë dhe i tretë që ta bëjë tjetërsimin e patundshmërisë lëndore.

Propozuesit e kësaj mase kërkesën e tyre e kanë arsyetuar me aktvendimin T.nr.62/60 të vitit 1961, aktvendimi E.nr. 613/64 të vitit 1965 dhe me aktvendimin e trashëgimisë T.nr. 112/2002 të vitit 2004 si pronarë legjitimë mbi bazën e procedurës trashëgimore.

Më 31 tetor 2022, Gjykata ka dalë në vendin e ngjarjes me eksperten e gjeodezisë, ku është identifikuar gjendja ekzistuese e ngastrës me ndryshime.

“Sipas gjendjes parcelat kanë pësuar ndryshime kufizim nga pjesa veriore, konkretisht në parcelën  1093-0-ZK tani është formuar parcela me numër 5851-0-ZK në Gjakovë. Në këtë parcelë, nga pjesa veriore është ndërtuar një objekt banesor B1+B2+P+4 kate e cila është në ndërtim e sipër” – thuhet në arsyetim.

Sipas vendimit, objekti është duke u ndërtuar nga kundërshtari i tretë i masës së sigurimit së bashku me kundërshtarin e dytë dhe parë të masës së sigurimit në bazë të kontratave si në shkresat e lëndës.

Kontrata është përpiluar mes Amir Xharrës dhe Malush Krushës në cilësi të bashkëpronarit të paluajtshmërisë dhe  “Real Construction Group A&SH’ SH.P.K. e përfaqësuar nga pronarët Shpejtim Stuja dhe Arit Xharavina.

Qëllimi i palëve kontraktuese sipas Gjykatës është dhënia me kompensim e palujtshmërive nga ana e pronarëve Amir Xharra si pronar i 1/1 pjesë e pronës dhe bashkëpronar  1/4.  Kurse, Malush Krusha si bashkëpronar 3/4 pjesë të pronës e cila do t’i kompensohet me pjesë reale të pronave si pronarë me qëllim të ndërtimit të objektit kolektiv banesor.

Por, pas daljes në vend ngjarje Gjykata ka konsideruar se propozuesit e sigurimit e kanë bërë të besueshëm masën e sigurimit të kërkesë-padisë.

“Gjykata pas ndryshimeve të evidentuara vendosi që kundër propozuesit të parë në pjesën ideale prej 3/4 të ngastrës së lartcekur t’i ndalohet ta bëjë tjetërsimin ndaj personave të tretë në çfarëdo baze. Po ashtu i ndalohet kundër-propozuesit të tretë “Real Construction Group A&SH”, SHPK që të marrë çfarëdo veprimi procedural dhe ligjor që ka të bëjë me bartjen, tjetërsimin e të drejtës së pronës në pjesën ideale prej 3/4 të patundshmërisë që evidentohet me numër 1098-1”- thuhet në vendimin e marrë nga Gjykata e Gjakovës.

Bazuar në këtë, kundërpropozuesit të parë dhe të tretë u është ndaluar tjetërsimi i asaj prone.

Ky vendim është marrë nga gjykatësja e rastit, Afijete Sada-Gllogjani.

Kjo masë e sigurisë, sipas Gjykatës, do të vlejë deri në vendosjen në mënyrë të plotfuqishme të çështjes.

Ankesa kundër këtij vendimi nuk e ndalon ekzekutimin e këtij aktvendimi.

Shënim: Artikulli është edituar në titullin e tij pasi punimet në ndërtimin e banesës nuk janë ndaluar me vendimin e gjykatës