Hivzi Islami Rizgjedhet Kryetar i Akademisë së Shkencave të Arteve të Kosovës

Akademik Hivzi Islami është rizgjedhur në krye të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në Kuvendin e kësaj akademie të mbajtur të mërkurën në Prishtinë.

Në këtë kuvend Akademik Pajazit Nushi është zgjedhur nënkryetar, ndërsa Akademik Isuf Krasniqi Sekretar i Përgjithshëm i AShAK.

Sekretar i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë është zgjedhur Eqrem Basha; Sekretar i Seksionit të Shkencave Shoqërore është zgjedhur Fejzullah Krasniqi ndërsa Sekretar i Seksionit të Arteve është zgjedhur Luan Mulliqi.

Menjëherë pas zgjedhjes së kryesisë së re, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka uruar kryesinë e re të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

“Dëshiroj t’ju shpreh urimet më të përzemërta për zgjedhjen Tuaj në udhëheqjen e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës”, thuhet në urimin e ministrit Bajrami.

“Puna juaj në lëmin shkencor dhe të arriturat në fusha të ndryshme të studimeve, më bëjnë të besoj fuqishëm se AShAK do të vazhdojë të jetë institucioni më i respektuar i shkencës në Republikën e Kosovës. Jam i sigurt se, me njohuritë dhe përvojën tuaj, do ta ngritni edhe më lartë Akademinë dhe punën shkencore që bëhet në këtë institucion të dijes, kulturës dhe shkencës”, thuhet në urimin e ministrit Arsim Bajrami.

Kryesia e AShAK ka mandat trevjeçar.