Ramush Haradinaj | Foto: Atdhe Mulla
Haradinaj nuk e Di a Janë Siguruar Votat për Demarkacionin
Kryeministri Ramush Haradinaj pas pauzës në Kuvend deklaroi për media se nuk e di nëse duhen dy apo më shumë vota për kalimin e marrëveshjes së demarkacionit.
“Nuk e dimë a janë dy a ma shumë. Jemi në seancë seanca do ta vërtetojë”, tha Haradinaj.
Demarkacioni duhet të kalojë në Kuvend me dy të tretat e votave të deputetëve, ose 80 vota, por dje u tha se janë konfirmuar 78 nga to.
Ai tregoi se disa nga deputetët e koalicionit qeveritar ndodhen në Podgoricë, ndërsa deklaroi se shpreson që ata të kthehen para nxjerrjes në votim të marrëveshjes.
Haradinaj deklaroi se AAK-ja është unike për votim të marrëveshjes.
Kryeministri foli edhe për Listën Serbe.
“Jemi në diskutime, nuk e kanë definitiv qëndrimin. Janë në Prishtinë në ndërtesë të parlamentit”, tha Haradinaj.
Sot është përpjekja e tretë për t’u zhvilluar seanca në lidhje me ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit.