Sami Lushtaku, kryetar i komunës së Skënderajt. Foto: Kallxo.com

Përgjimet e EULEX-it dhe Roli i Hajredin Kuçit në Emërimet në Burgje

Në aktakuzën prej mbi 160 faqe në rastin e arratisjes së vitit 2014 nga burgu të kryetarit të Skënderajt, Sami Lushtaku, prokurori i EULEX-it Romulio Mateus pretendon se ka prova se Ministria e Drejtësisë e udhëhequr në atë kohë nga Hajredin Kuçi e shpërbleu me pozitë Emrush Thaqin pas skandalit të arratisjes.

“Është e qartë se Emrush Thaqi ishte shpërblyer për përfshirjen e tij në trajtimin e të akuzuarve, e cila çoi në fund në ikjen e tyre më 20 maj 2014”, pretendon prokurori Mateus.

Sipas aktakuzës, Ministria e Drejtësisë kishte hapur konkursin për drejtor të SHKK-së.

Siç shkruhet në aktakuzë, për pozitën e të parit të shërbimit korrektues kishin aplikuar tre kandidatë e të cilët ishin, Emrush Thaqi, Sokol Zogaj dhe Shemsi Hajrizi, ndërsa procedura e rekrutimit u monitorua edhe nga EULEX-i përmes shefit të njësisë korrektuese Marko Hokkanen.

“Kandidatët e listës së ngushtë u intervistuan nga paneli rekrutues dhe u vlerësuan individualisht për përvojën, edukimin, performancën, shkathtësitë, vizionin dhe CV”, përshkruhet procedura e rekrutimit në aktakuzën e siguruar nga KALLXO.com.

Pas vlerësimit me pikë të të gjithë kandidatëve, Sokol Zogaj u vlerësua me 475 pikë i përcjellë nga Emrush Thaqi me 451 pika dhe Shemsi Hajrizi me 438 pikë, ndërsa ky vlerësim dhe procedura u vlerësua e drejtë sipas monitoruesit të EULEX-it.

Prokurori më tej tregon se lista me tre kandidatët iu dërgua Ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçit, i cili sipas aktakuzës më 5 nëntor 2014 i propozoi Qeverisë Emrush Thaqin si kandidatin për Drejtor të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues.

“Ai e bëri këtë përkundër faktit që komisioni i vlerësimit si dhe EULEX-i rekomanduan dërgimin e vetëm një emri, atë të fituesit Sokol Zogaj”, përshkruan prokurori Mateus.

Mateus përmend faktin se Zogaj kishte një eksperiencë të gjatë dhe karrierë po ashtu në Shërbimin Korrektues, ndërsa Emrush Thaqi kishte vetëm 3 vjet që i ishte bashkuar SHKK-së dhe nuk kishte përvojën e duhur për atë pozitë.

Prokuroria e Speciale njoftoi dje se ka ngritur aktakuzë ndaj 24 personave për arratisjet e Sami Lushtakut dhe pjesëtareve të grupit “Drenica”.

Sipas pikëpamjes së EULEX-it në të përshkruar në aktakuzë, ikjet e fundit që ndodhën nën mbikëqyrjen e tij dhe mungesa e përvojës së tij, e bënin atë të pazgjidhshëm për të marrë kreun e SHKK-së.

Prokurori Mateus gjithashtu përmend edhe nenin 216 të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, ku ndër kushtet për caktimin e Drejtorit të Përgjithshëm të SHKK-së, i njëjti duhet të ketë 8 vjet përvojë profesionale, prej të cilave së paku 5 vite në pozita drejtuese.

Përkundër se EULEX-i kishte qenë i përfshirë në gjithë këtë proces, sipas prokurorit Mateus, ata nuk ishin informuar për ndërrimin e fituesit, ndërsa për këtë i kishin shprehur shqetësimit në Ministrinë e Drejtësisë për përzgjedhjen e kandidatit të dytë, e jo atij të parit.

Megjithatë kjo nuk e pengoi Thaqin që më 11 nëntor 2014 të merrte pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të SHKK-së.

Lidhur me pretendimet e prokurorit të EULEX-it, për procesin e përzgjedhjes drejtorit të Shërbimit Korrektues, KALLXO.com, kontaktoi edhe me ish-Ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili përmes telefonit tha se rasti është në procedurë dhe se nuk dëshiron të komentojë.

Prokuroria e Shtetit njoftoi dje se ka ngritur aktakuzë ndaj 24 personave për arratisjet e Sami Lushtakut dhe pjesëtareve të grupit “Drenica”.

Emrush Thaqi është njëri nga të akuzuarit e  kësaj aktakuze voluminoze, për të cilën dje KALLXO.com raportoi ekskluzivisht.

http://kallxo.com/pergjimet-e-eulex-lushtaku-jam-ne-skenderaj/

http://kallxo.com/aktakuze-gjigante-per-arratisjen-e-sami-lushtakut/

Arratisja e Lushtakut e Emëroi Thaqin Drejtor Burgu

Para e Banesa për Blerjen e Dëshmitarëve për Grupin ‘Drenica’