FOTO : Baleti Kombëtar i Kosovës

‘O. Taka’ e Sinan Kajtazit përfundon në Komisionin e MKRS-së për Parandalimin e Konfliktit të Interesit

Solisti i Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi ka qenë pjesë e takimit ku është vendosur për fatin e projektit të tij. Kolegët e tij kanë vendosur që ta përkrahin shfaqjen e baletit “O. Taka”, në kohën kur ky si kryetar i Këshillit Drejtues ka qenë i pranishëm në mbledhje.

Por, Kajtazi ka thënë se prania e tij në mbledhjen e Këshillit derisa votohej edhe projekti i tij nuk përbën konflikt interesi.

Përkundër që shfaqja është vënë në skenë dhe paratë i janë derdhur në llogari Kajtazit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ende nuk i ka mbyllur ‘hesapet’ me të.

Ministria e Kulturës e ka dërguar në Komisionin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit për të vërtetuar nëse përfshirja e balerinit Sinan Kajtazi në realizimin e shfaqjes së baletit “O. Taka” përderisa ka qenë pjesë e Këshillit Drejtues të Baletit Kombëtar të Kosovës (BKK) përbën konflikt interesi.

Premiera e fundit për vitin 2018 nga Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës ishte shfaqja “O. Taka”. Koreografia, libreti dhe muzika e shfaqjes që pati premierën më 6 dhjetor 2018 i ishte besuar për herë të parë balerinit Sinan Kajtazi. 6 dhjetori shënoi ditëlindjen e 65-të dhe njëkohësisht pensionimin e drejtorit të deriatëhershëm të Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj.

Që nga muaji dhjetor BKK ka mbetur pa drejtor. Më 17 janar 2019, Sinan Kajtazi ka dhënë dorëheqje nga Këshilli Drejtues i BKK-së dhe më 1 shkurt 2019, Këshilli Drejtues i Baletit Kombëtar të Kosovës e ka emëruar Kajtazin, Ushtrues Detyre i drejtorit të BKK-së, deri në zgjedhjen e drejtorit të ri.

Vendimi që shfaqja “O. Taka” të jetë pjesë e planit vjetor për vitin 2018 ishte marrë qysh në dhjetor të vitit 2017. Në atë kohë Sinan Kajtazi ka qenë solist i baletit dhe kryetar i Këshillit Drejtues të Baletit Kombëtar të Kosovës.

Sinan Kajtazi ka qenë në krye të Këshillit Drejtues kur i ishte sjellë për votim projekt-propozimi në të cilin radhitej edhe njëra ndër shfaqjet të cilës do t’ia realizonte koreografinë, libretin dhe muzikën.

Tashmë si U.D. i drejtorit të BKK-së, Sinan Kajtazi ka thënë se kjo nuk përbën konflikt interesi sepse sipas Ligjit për Filarmoninë, Operën dhe Baletin Kombëtar të Kosovës, anëtarëve të Këshillit Drejtues të BKK-së, përfshirë edhe kryetarin e KD-së, në asnjë nen nuk ju ndalohet pjesëmarrja në shfaqjet e Baletit Kombëtar të Kosovës, qoftë si balerinë, qoftë si koreografë.

Sipas po këtij ligji, organ ekzekutiv i BKK-së është drejtori i përgjithshëm i cili e harton planin vjetor të BKK-së dhe e paraqet para KD-së për aprovim. Këshilli Drejtues i BKK-së përbëhet nga 5 anëtarë, dy anëtarë, punëtorë të rregullt të BKK-së (balerinë), një anëtar nga Akademia e Arteve, një anëtar nga shoqëria civile, një përfaqësues nga Ministria e Kulturës.

FOTO : Baleti Kombëtar i Kosovës

Në mbledhjen e mbajtur në muajin dhjetor të 2017, ku është diskutuar edhe projekt-propozimi i drejtorit të BKK-së, Ahmet Brahimaj, për vitin 2018, Kajtazi ka treguar se nuk ka votuar as diskutuar rreth projekt-propozimit.

“Katër anëtarët tjerë të Këshillit Drejtues të BKK-së, kanë votuar pro miratimit të projekt-propozimit për 2018 dhe rrjedhimisht vota ime ka qenë e pavlefshme në atë rast, për shkak se sipas ligjit, vendimet e KD-së kalojnë ose jo me shumicë votash, dmth me tre vota të anëtarëve. Pra unë si kryetar i Këshillit Drejtues, nuk kam marrë pjesë në votim”, ka deklaruar Kajtazi për Gazetën JnK.

Më 3 janar 2018, pasi paraprakisht në dhjetor të vitit 2017, projekt-propozimi i drejtorit të BKK-së ishte miratuar me shumicë votash nga KD i BKK-së, drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj, e kishte autorizuar Kajtazin që ta përgatiste koreografinë, libretin dhe muzikën e shfaqjes “O. Taka”.

Ish-drejtori i BKK-së, Ahmet Brahimaj ka deklaruar për Gazetën JnK se kompetencat për përzgjedhjen e bashkëpunëtorëve në lidhje me shfaqjen i ka pasur ai si drejtor.

“Projektin për një vjet e kam bërë unë, cilat shfaqje kanë me u luajt, kush ka me luajt. Atë projekt e kam bërë unë, për çdo vjet nga katër shfaqje premiera, i kam dorëzu në Ministri të Kulturës, normalisht që formalisht është dashtë me ia dorëzu me i pa, pa emra veç buxhetin edhe Këshilli me aprovu”, ka thënë Brahimaj.

Po ashtu Brahimaj ka shtuar se ky nuk është konflikt interesit për shkak se me ligj nuk ka kufizime në balet.

“Gjithashtu Ministria e Kulturës e ka Zyrën Ligjore kur ia kam dërgu unë projektin se kush ka me i bo shfaqjet. Në Ligjin e Baletit, Operës dhe të Filharmonisë nuk ka kufizime te artistat, nuk është si në Teatër, konflikt interesi. As në rregullore të baletit nuk ka konflikt interesi, as në statut”, ka theksuar ish-drejtori i BKK-së, Brahimaj.

FOTO : Baleti Kombëtar i Kosovës

MKRS e dërgon në Komisionin për parandalimin e konfliktit të interesit

Duke qenë se BKK është institucion vartës i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) edhe rrjedhimisht financohet prej saj. Këshilltari politik i ministrit, Samir Hoxha ka thënë se në kohën kur është paguar një pjese e parave për shfaqjen “O. Taka”, Sinan Kajtazi ka qenë pjesë e Këshillit Drejtues të BKK-së.

Hoxha ka treguar se për të vërtetuar nëse përfshirja e Kajtazit në realizimin e shfaqjes “O. Taka” përderisa ka qenë pjesë e Këshillit Drejtues të BKK-së është dërguar në Komisionin e MKRS-së për parandalimin e konfliktit të interesit.

“Lidhur me atë që a përbën konflikt interesi, ne, këtë rast e kemi iniciuar te komisioni i Ministrisë për parandalimin e konfliktit të interesit dhe jemi në pritje të marrjes së këtij njoftimi sipas afateve të parapara ligjore”, ka shtuar Hoxha.

Më tej ai ka thënë se në rast se ky komision do të konstatonte që ky ka qenë konflikt i interesit atëherë, Ministria do të kërkojë nga Kajtazi që mjetet e marra t’i kthej në llogarinë e MKRS-së.

Gazeta Jnk ka kërkuar qasje në Dokumente Publike në MKRS në lidhje me atë se sa ka kushtuar gjithsej shfaqja “O. Taka” dhe se sa para janë paguar në llogari të Kajtazit derisa ai ende ka qenë pjesë e Këshillit Drejtues të BKK-së por ende nuk ka marrë përgjigje.

Hoxha ka shpjeguar se sipas Ligjit të ri për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, institucionet obligohen që të shqyrtojnë fillimisht konfliktin e mundshëm të interesit dhe pastaj palët e pakënaqura mund të kërkojnë opinion në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

“Ne tani ketë kërkese e kemi drejtuar në komisionin brenda MKRS-së dhe presim përgjigjen e tyre brenda afateve të parapara ligjore”, është përgjigjur Hoxha për Gazetën JnK.

FOTO : Baleti Kombëtar i Kosovës

BKK pa Këshilli artistik

Në bazë të Ligjit për Filarmoninë, Operën dhe Baletin Kombëtar të Kosovës, Baleti Kombëtar duhet të ketë Këshillin Artistik. Baleti Kombëtar i Kosovës ende nuk ka arritur të formoj Këshillin Artistik sipas ligjit, për shkak të mungesës së kuadrove. Duke u bazuar në nenin 54 të Ligjit, Këshilli Artistik i BKK-së duhet të përbëhet nga 9 anëtarë.

“Baleti Kombëtar i Kosovës është një institucion kulturor i cili është ende në konsolidim. Në mungesë të Këshillit Artistik, Drejtori i BKK-së, Brahimaj në konsultim me balerinët dhe sipas hapësirës që i ka ofruar ligji, ka kontraktuar koreografë nga e gjithë bota”, ka thënë Sinan Kajtazi për Gazetën JnK.

Përveç koreografëve ndërkombëtarë gjatë vitit 2018 dhe 2019, tri shfaqje janë realizuar nga tre balerinë të Trupës së Baletit Kombëtar.

Në projekt-propozimin për vitin 2018, të hartuar nga ish-Drejtori i përgjithshëm i BKK, Ahmet Brahimaj i ka besuar koreografinë e shfaqjes “Pa mure”, solistes së BKK-së, Teuta Krasniqi. Kjo premierë është realizuar në muajin shkurt të vitit 2018.

Viti 2018 është mbyllur me premierën e shfaqjes “O. Taka”, koreografia, libreti dhe muzika e së cilës i është besuar balerinit tjetër të Trupës së Baletit Kombëtar, Sinan Kajtazit. Shfaqja e baletit “O. Taka” e ka marrë emrin nga Osman Taka. Vallja e Osman Takës është një nga më të bukurat në trojet shqiptare. Osman Taka ishte një nga luftëtarët kryesorë të degës çame të Lidhjes së Prizrenit me qendër në Prevezë që u kap rob në luftë me osmanët. Hijeshia me të cilën e ka luajtur këtë valle përpara se të varej në litar ka bërë që t’i falej jeta e vallja të marrë emrin e tij.

Po ashtu, në projekt-propozimin për vitin 2019, ish-drejtori Ahmet Brahimaj, për premierën e parë për vitin 2019, për shfaqjen me titullin “Andërr”, i ka besuar libretin dhe koreografinë balerinit Kreshnik Musolli, me ç’rast ka marrë aprovimin e Këshillit Drejtues të BKK.

“Të tre ne balerinët që kemi realizuar koreografi me Baletin Kombëtar të Kosovës, me kërkesën e tyre, kemi qenë asistent-koreograf në prej shfaqjeve që kemi realizuar bashkërisht. Si rrjedhojë e punës sonë në asistimin e koreografisë, Drejtori i BKK-së ka besuar në punën tonë për të realizuar koreografi”, ka thënë U.D i drejtorit të BKK-së, Sinan Kajtazi.

Tashmë ish-drejtori i BKK-së, Ahmet Brahimaj ka thënë se balerinët që sot janë në Trupën e Baletit Kombëtar i kanë luajtur nga 40 premiera, 600-700 repriza, më shumë se 75 shfaqje nëpër Evropë.

“Edhe sot ata që ua kam dhënë besimin ja janë bërë koreograf ja kurrë nuk kishin mujtë me u bo. Unë mburrem që kam pas sukses me formu një Trupë të Baletit e cila njihet nëpër krejt Evropën dhe në Amerikë edhe prej tyre kanë dalë tre koreograf të shkëlqyeshëm, siç janë Teuta Krasniqi, Kreshnik Musolli dhe Sinan Kajtazi, i cili e ka kompozuar edhe muzikën e shfaqjes”, ka thënë Brahimaj për Gazetën JnK.

Por realizimin e koreografive të tri premierave të Baletit Kombëtar nga balerinët Teuta Krasniqi, Kreshnik Musolli dhe Sinan Kajtazi e ka kritikuar edhe koreografi Robert Nuha. Nuha përmes një opinioni i ka quajtur këta të tre, fillestarë në lëminë e koreografisë.

“Në harkun kohor të një viti, çuditërisht në mënyrë të papritur, shfaqen në skenën e koreografisë sonë jo një por tre persona të pa certifikuar, të panjohur, pa përvojën minimale koreografike për të ndërtuar shfaqje të plota të dramaturgjisë së lartë të baletit”, kishte shkruar Nuha.

Nuha ka vlerësuar koreografitë e shfaqjeve “Pa mure”, “O. Taka” dhe “Andërr” si pikën më të ulët të krijimtarisë koreografike në Kosovë.

“Në këto shfaqje reflektohet niveli gati amator i këtyre “krijuesve”, bie në sy mungesa e ideve, varfëria e gjuhës koreografike, qasjet e vjetruara, mungesa e një koncepti të qartë, si dhe mos qëllimi i qasjes së tematikave përkatëse”, ishte shprehur koreografi Nuha.

11 Mars 2019 - 09:03

Dorentina Kastrati 11/03/2019 - 09:03
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend