Vendi ku ishte paraparë të ndërtohej Teatri i Operës dhe Baletit 'Ibrahim Rugova' - Foto: KALLXO.com

Shuhet ëndrra 13 vjeçare për Teatrin modern të Operës dhe Baletit 'Ibrahim Rugova'

Pavarësisht se zyrtarë të Ministrisë së Kulturës kanë deklaruar se deri në qershor të vitit 2019 do të dalin me një plan-projekt të ri për objektin e Teatrit të Operës dhe Baletit dhe se nuk kanë hequr dorë nga vendi i caktuar për ndërtimin e objektit, zyrtarë të Komunës së Prishtinës thonë se afati i lejes për ndërtimin e këtij objekti afër Fakultetit Teknik ka skaduar.

Në vjeshtën e vitit 2018, Komuna e Prishtinës kishte mbyllur edhe gropën e madhe në vendin ku ishte planifikuar ndërtimi i objektit.

Sivjet bëhen 10 vjet nga inaugurimi i themeleve të Teatrit të Operës dhe Baletit, i cili është paraparë të mbajë emrin e presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Mirëpo, objekti nuk u ndërtua kurrë.

Realizimin e planit për objektin e vështirëson edhe mungesa e komunikimit mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komunës së Prishtinës.

Zyrtarë të MKRS-së thanë për KALLXO.com se Komuna e Prishtinës fare nuk i ka informuar për mbylljen e gropës në vendin ku ishte inauguruar guri i themelit të objektit.

Një tregues ky i një komunikimi të munguar në mes të Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Kulturës kur është në pyetje çështja e investimeve kapitale në kulturë.

Insistimi i MKRS-së për vend-ndërtimin dhe skadimi i lejes

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, gjatë konferencës së fundvitit ka deklaruar se MKRS qëndron prapa premtimit  për hartimi e një projekti të ri për këtë objekt.

Ndërsa, i pyetur nga KALLXO.com rreth vendit të ndërtimit, Gashi ka deklaruar se opsion mbetet vendi i paracaktuar më parë.

Ndërsa përgjegjësinë për mbi 700 mijë euro të harxhuara për projektin e 2006 e bartin ata që kanë dështuar në realizimin e projektit.

Gashi deklaroi se ka ekzistuar një projekt me një kosto te themi 50 milionë euro për të cilin nuk ka pasur zhvillim që nga viti 2009 dhe Ministria ka vendosur që ta ndryshojë dhe vonesat për projektin e ri kanë ardhur për shkak të rëndësisë së projektit.

“Besoj që deri në maj apo qershor të vitit 2019 do ta kemi një projekt. Bëhet fjalë për projektin më të madh pas luftës në fushën e kulturës dhe nuk mund të veprojmë me shpejtësi“, ka potencuar ministri Gashi.

MKRS është treguar e rezervuar duke mos dhënë detaje rreth nismës së saj për një projekt të ri për Teatrin e Operës dhe Baletit.

Ndërkaq, Miranda Mullafazliu, zëdhënëse e Komunës së Prishtinës, në një prononcim për KALLXO.com ka pohuar se parcela-gropa pranë Fakultetit Teknik i është dhënë MKRS-së në shfrytëzim për ndërtimin e ndërtesës së Operës e Baletit, por, siç ka thënë ajo, projekti nuk është realizuar dhe afati i lejes ka skaduar.

“Për më tepër, aty ka mbetur një gropë e cila ka paraqitur rrezik potencial për banorët e asaj pjese të qytetit, për të cilën kemi pranuar shume ankesa”, ka thënë ajo, duke shtuar se gropa është mbuluar nga kompania “Tregtia” pa pagesë.

https://kallxo.com/mbulohet-me-dhe-gropa-e-destinuar-per-sallen-e-operes-dhe-baletit/

Shpresat e humbura

Në anën tjetër, drejtues të institucioneve të cilat presin me vite ndërtimin e objektit për institucionet e tyre, shprehen skeptikë se MKRS-ja do të arrijë ta bëjë vendin me një objekt modern për operën dhe baletin.

Sipas tyre, është për keqardhje që kryeqyteti nuk ka një objekt- apo sallë koncertale moderne ku do mbaheshin aktivitete kulturore, si shfaqje operash, baleti, etj.

Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës, ka thënë se më shumë beson në projektin BE-së  në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës për ndërtimin e sallës koncertale.

“Ekziston një projekt që nuk lidhet me MKRS, projekt i Komunës së Prishtinës në bashkëpunim me Bashkimin Europian dhe në besojmë në këtë projekt dhe jo në projektin e MKRS-së, për fat të keq, dhe nuk di a duhet të këtë koment kur pas dhjetë vjetëve dështimi për ndërtimin e objektit për operën, të besojmë se do të nisë këtë vit”, ka thënë ai.

Sipas Jasharit projekti për ndërtimin e një objekti të tillë nuk varet nga MKRS, i cili ka një kosto prej miliona euro, por nga vullneti politik dhe i Qeverisë së vendit.

“Pra duhet një serioziteti për nderimin e objektit të Teatrit të Operës dhe Baletit, që unë do ta kisha quajtur një qendër kulturore më disa salla, ku do ta kishin vendin edhe baleti, filarmonia, opera, pse jo edhe vend për festivale të ndryshme”, ka potencuar Jashari.

U Nis për Teatër Opere, Mbeti ‘Pronë’ e Bretkosave

Edhe ish-drejtori i Baletit Kombëtare të Kosovës, Ahmet Bahimaj, nuk beson në mundësitë e MKRS për ndërtimin e objektit për operën dhe baletin, edhe pse ka pohuar se vendi është dashur të ketë një objekt modern me dy skena për institucionet elitare kombëtare, operës, baletit, pse jo edhe teatrin.

“Edhe para 10 vjetëve isha shumë skeptik se institucionet do ta mbajnë fjalën për ndërtimin e objektit. Këtë mendim kam edhe sot, institucionet qeveritare dhe ato të komunës duhet të jenë më serioze për investimet në infrastrukturën kulturore”, ka pohuar Brahimaj.