Foto: Atdhe Mulla

Me Kosovën a me Shqipërinë: Dilema e grupeve të tifozëve të Kosovës

Kosovën e ndajnë pak orë para një sfide historike në futboll.

Pas zhgënjimit që solli epoka kualifikuese për kampionatin botëror që u mbajt këtë vit në Rusi, kombëtarja e Kosovës e ndryshoi tërësisht kursin e rezultateve.

Një fitore apo barazim eventual sonte ndaj Azerbajxhanit do ta shohë Kosovën të përparojë për një nivel më lart.

Aktualisht, kombëtarja e cila nisi garat ndërkombëtare në fund të vitit 2016 pas pranimit në UEFA e FIFA, gjendet e para në grupin e vet të Ligës D të Ligës së Kombeve me 11 pikë.

Ndeshja ndaj Azerbajxhanit është vendimtare meqë Kosova prin në grupin në të cilin kombëtarja azere gjendet e dyta me dy pikë më pak.

Nga ana tjetër, kombëtarja e Shqipërisë duket se ka ngecur në transicionin mes dy trajnerëve.

Largimi i Gianni de Biasit nga kreu i ekipit dhe afrimi i italianit tjetër Christian Pannuci e ka lënë kombëtaren e Shqipërisë në kërkim të një identiteti të ri në futboll.

Në katër ndeshjet e grupit të vet, kombëtarja shqiptare u nda me vetëm një fitore duke pësuar tri humbje.

Në fushën e blertë gjërat së fundmi kanë ecur mirë për Kosovën dhe shikuesit po bëjnë radhët nëpër pikat e shitjes së biletave për ta gjetur një vend në stadiumin e saporenovuar dhe sapo-riemërtuar “Fadil Vokrri’.

Foto: Atdhe Mulla

Por, pavarësisht kësaj, kombëtarja e Kosovës ende nuk ka marrë mbështetje nga të gjitha grupet e organizuara të tifozëve të klubeve të Kosovës.

Në të shumtën e rasteve, Kosova dhe Shqipëria po i zhvillojnë ndeshjet e tyre ndërkombëtare në të njëjtën ditë prandaj Lulzoim berisha, kryetar i grupit zyrtar të tifozëve të Kosovës “Dardanët”, thotë se kjo po ua pamundëson tifozëve që të vihen në përkrahje fizike të të dy kombëtarëve.

“Intervali kohor nuk po e lejon atë gjë, sepse të njëjtën kohë luan Kosova dhe Shqipëria.  Normalisht ne e përkrahim Kosovën. Arsyeja që e përkrahim Kosovën përpara Shqipërisë kur luajnë në interval të njëjtë kohor është se luajnë në shtëpinë tonë, s’kemi kujt me ia lënë me e përkrahë”, ka thënë Berisha për KALLXO.com.

Në kualifikimet për kampionatin botëror, Kosova qe e detyruar që ndeshjet si vendas t’i zhvillojë në stadiume të Shqipërisë për shkak se asnjë nga stadiumet e Kosovës nuk i plotësonte kriteret e kërkuara nga FIFA për ndeshje ndërkombëtare.

Renovimi i stadiumit “Fadil Vokrri” gjatë këtij viti përfundimisht i ofroi strehë ekipit kombëtar të Kosovës.

Në dy ndeshjet e deritanishme si vendas kundër Ishujve Faroe dhe Maltës, biletat ishin shitur brenda orësh, me radhë të gjata të tifozëve para pikave të shitjes.

Biletat u shitën edhe për ndeshjen e sotme kundër Azerbajxhanit.

Por grupi i tifozëve nga kryeqyteti “Plisat” thonë se janë vënë në mbështetje të kombëtares së Shqipërisë.

“Ne nuk kemi qenë në tribunë në përkrahje të Shqipërisë vetëm në një ndeshje, atë me Izraelin. E kjo vetëm për shkaqe teknike. Nuk ka asnjë arsye tjetër. Aty do te jemi si përherë, për ta përfaqësuar qytetin tonë e shqiptaret, atje ku bëhen bashkë të gjitha trojet e ku nuk harrohet asnjë shqiptar që jeton kudoqoftë jashtë kufijve zyrtarë”, thotë për KALLXO.com, Albert Kastrati, kryetar i “Plisave”.

Foto: Atdhe Mulla

Sipas tij, herën e vetme kur ky grup e kishte mbështetur Kosovën ishte në një ndeshje hendbolli në në vitin 2011 kundër Maqedonisë.

“Prej kur kemi filluar ta përkrahim kombëtaren, kemi kaluar nëpër momente zhgënjimi e triumfi. Jemi zhgënjyer me rezultate të dobëta, e kemi fluturuar nga gëzimi me fitore historike. Mirëpo,  kënaqësia më e madhe që na ka dhënë përkrahja ndaj Shqipërisë është ndenja që i kemi parë shqiptarët të bashkuar”, thotë ai.

“Shqiptarët mjaftueshëm janë përballur me ndarje, pa dëshirën e tyre. Me vullnetin tonë do të bashkohemi, e ku ka më mirë se bashkimin ta fillojmë me futbollin e me tifozërinë?”, pyet ai.

Grupi i tifozëve të klubit futbollistik “Drita” nga Gjilani, “Intelektualët”, në një përgjigje përmes emailit kanë thënë KALLXO.com se në fillim e kanë përkrahur Shqipërinë si grup me simbole të “Intelektualëve”, por pas një kohë kanë vendosur ta përkrahin këtë kombëtare së bashku me tifozërinë “Tifozat Kuq e Zi” nën emrin e tyre në mënyrë që mos të bëjnë ndasi.

“Në fillim kur kemi shkuar ta përkrahin Shqipërinë, në disa raste kemi shkuar me transparent të “Intelektualëve” por pas një kohe Shqipërinë kemi vendosur ta përkrahim së bashku me tifo grupin “Tifozat Kuq e Zi” nën emrin e tyre, për të mos bërë ndasi, por ta përkrahim së bashku në një emër, me tifo grupin zyrtar te kombëtares. Ende vazhdojmë ta përkrahim në këtë mënyrë, pasi shumë anëtarë tonë janë në tifo grupin “Tifozat Kuq e Zi”, thuhet në përgjigjen e “Intelektualëve”.

Foto: Atdhe Mulla

“Intelektualët” kanë shpjeguar se kanë qenë përkrahës të krijimit të një tifozërie të përbashkët të quajtur “Dardanët” për Kosovën. Ata thonë se në ndeshjet e para të Kosovës, tifozët “Dardanët” përbëheshin prej shumë tifo-grupeve dhe kishin një mentalitet të pastër të një tifo-grupi.

“Përfaqësuesen tonë siç e dimë të gjithë kemi qenë ndër tifo grupet e para që kemi qenë pro përkrahjes dhe krijimit të një tifozërie me emrin e përbashkët “Dardanët” ne ndeshjet miqësore që i zhvillonim në Mitrovicë, dhe atëherë grupimi “Dardanët” ishte më serioz sa i përket synimeve të një tifo grupi, sepse në të bënin pjesë edhe shumë grupime tjera, me një mentalitet më të pastër të një tifo grupi, këta ishin “Dardanët” e vërtetë sepse aty bënin pjesë thuajse të gjithë tifo grupet Kosovare”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Por pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA, ky grup thotë se gjërat ndryshuan.

“Pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, ndodhi që kryesia aktuale e këtij tifo grupi të ndërrojë qasjen e tifo grupit dhe filloi të punojë për interesa personale të personave të caktuar dhe jo për të mirën e tifo grupit dhe me disa mesazhe kundër kombit tonë”, thuhet në përgjigjen e “Intelektualëve”.

“Andaj ne vendosëm që mos ta përkrahim më Kosovën me emrin “Dardanët” por vazhduam qe në shumë ndeshje të jemi prezentë në stadium e në përkrahje individuale të përfaqësueses”, thuhet në përgjigje.

Kurse kryetari i grupit të tifozëve “Pampurat” nga Fushë Kosova, Dardan Abazi, ka treguar për KALLXO.com se si tifozëri i qëndrojnë mbrapa kombëtares shqiptare pavarësisht rezultateve që i kanë.

Por aktualisht ata thonë se pas një përleshje me Policinë shqiptare në ndeshjen kundër Izraelit, e kanë bojkotuar këtë mbështetje.

Sado që jo në mënyrë të organizuar, “Pampurat” thonë se nuk ua ndalojnë anëtarëve të grupit që individualisht ta mbështesin Kosovën.

“Sa i përket përfaqësueses së Kosovës, ne moralisht jemi ne çdo ndeshje me të, ka edhe pjesëtar të grupit tonë që e përcjellin Kosovën në stadiumin “Fadil Vokrri”. Secili e ka të drejtën me zgjedh atë që dëshiron. Mirëpo ne si grup qëndrojmë mbrapa Shqipërisë. Kosovës i dëshirojmë çdo të mirë dhe suksese të mëdha. Do të presim ditën kur këto të dyja do të  shkrihen ne një kombëtare dhe t’i shkelim kundërshtarët”, ka thënë për KALLXO.com, Dardan Abazi i njohur si “Daqa”.

Pajtim Halili nga grupi tjetër i tifozëve gjilanas “Skifterat” i cili mbush shkallët e stadiumit për klubin futbollistik “Gjilani”, ka thënë që kryesia e tyre ka marrë një vendim para një viti që mos t’i përkrahë as Kosovën e as Shqipërinë.

Halili ka treguar se e kanë përkrahur Shqipërinë, por edhe Kosovën në dy lojërat e para në mënyrë të organizuar, por sipas tyre “ka pasur shumë manipulime me bileta” dhe kjo ka bërë që ata të tërhiqen.

“Kryesia e “Skifterave” para një viti ka marrë vendim që mos t’i përkrahë tifo grupet, pasi kemi menduar që janë bërë disa shkelje. E kemi përkrahur Shqipërinë, edhe Kosovën në dy lojërat e para e kemi përkrahur në mënyrë të organizuar, por e kemi parë që ka pasur shumë manipulime me bileta dhe jemi tërhequr. Unë personalisht i përcjelli të dy ekipet por më shumë anoj kah Kosova, por ka shumë “Skiftera” që i përkrahin të dy ekipet, ka që vetëm njërën, por si “Skiftera”për momentin e përkrahim vetëm ekipin tonë të zemrës SC Gjilanin”, ka treguar Pajtim Halili për KALLXO.com.