Çerdhja e fëmijëve në Lipjan - Foto: KALLXO.com

Lipjani hap tender për çerdhe të re, lënda i kthehet në rivlerësim

Komuna e Lipjanit, ka dështuar që të filloj ndërtimin e çerdhes për fëmijë. Kjo komunë ka vetëm një çerdhe publike, ndërsa për ndërtimin e një çerdhe të re për fëmijë nga qershori i këtij viti i ka filluar procedurat tenderuese.

Njoftimin për dhënien e kontratës, komuna e ka bërë në gusht të këtij viti. Grupi i operatorëve të shpërblyer me kontratë ishin “OLTAND GROUP” SH.P.K dhe NPN “Çlirimi” me vlerën e përgjithshme të kontratës  323.991,89 euro.

Ndërkaq, në shtator u publikua anulimi i dhënies së kontratës, pas ankesës së operatorit ekonomik NNP CTA.

Ankesën e këtij operatori Gjykata e Tenderëve e ka aprovuar si pjesërisht të bazuar dhe lënda është kthyer në rivlerësim.

Operatori ankues NNP CTA, në ankesën e bërë ka thënë se Autoriteti Kontraktues ka kërkuar që të dorëzohet edhe një kopje e  ofertës. Ndërsa, eksperti shqyrtues sqaron se AK-ja me rastin e dorëzimit të shkresave të lëndës nuk i ka dorëzuar kopjet e ofertave. Lidhur me këtë çështje, vërtetimin e ATK-s dhe vërtetimin e Gjykatës Themelore të cilat kërkohen para nënshkrimit të kontratës eksperti i ka kërkuar sqarim me shkrim komunës së Lipjanit.

Sipas ekspertit, komuna e Lipjanit i ka kthyer përgjigje se përveç origjinalit OE i rekomanduar për kontratë, e ka dorëzuar kopjen dhe ajo është tek Zyra e Prokurimit në Lipjan.

Sa i përket vërtetimit të ATK-së për anëtarin e konsorciumit OE “Çlirimi”, AK kishte thënë se do ta kërkojnë para nënshkrimit të kontratës, kurse vërtetimin nga Gjykata Themelore AK mendon se ka qenë në dokumentacion.

Eksperti, ka sqaruar se as vërtetimi i ATK-s e as vërtetimi i Gjykatës Themelore të OE “Çlirimi”, nuk gjenden në ofertë.

“Për shkak se AK-ja gjatë vlerësimit ka bërë shkelje procedurale duke mos ja kërkuar vërtetimet e lartpërmendura ky aktivitet i prokurimit duhet të kthehet në rivlerësim në mënyrë që vlerësimi të bëhet sipas kërkesave të dosjes së tenderit për faktin se AK-ja në kërkesë të Dosjes së Tenderit e ka vendosur që vërtetimet e lartpërmendura do të kërkohen para dhënies së kontratës”, thuhet në mendimin e ekspertit.

Operatori ankues ishte pajtuar me mendimin e ekspertit, kurse Autoriteti Kontraktues i ka propozuar panelit që të vërtetoj vendimin e tyre pasi edhe në rivlerësim të lëndës sqarimet do ti bëjnë me dokumentet të cilat ia ka prezantuar panelit.

Shkaku i disa shkeljeve ligjore të Ligjit për Prokurim Publik, OSHP-ja kishte vendosur që lëndën ta kthej në rivlerësim.

Në këtë tender kanë marrë pjesë 17 operator ekonomik ndërsa hapja e ofertave ishte bërë në korrik të këtij viti.

Komuna e Lipjanit e ka vetëm një çerdhe publike. Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeri, në debatin Jeta në Komunë, për zgjedhje komunale 2017, kishte premtuar se gjatë mandatit të tij do të ndërtohet një çerdhe me mjetet buxhetore të komunës kurse, katër çerdhe të tjera do të ndërtohen me partneritet publiko privat me bazë në komunitet.