Komuna e Prizrenit përuron çerdhen e parë publike

Komuna e Prizrenit sot ka pranuar çerdhen e parë publike me kapacitet për edukimin e 240 fëmijëve.

Sipas Komunës së Prizrenit, edukimi në këtë institucion do të jetë i ndarë në 12 paralele dhe në tri gjuhë, në një hapësirë prej mbi 1,800 metrave katror.

Kjo çerdhe ishte nisur për t’u ndërtuar tri vjet më parë.

“Studimet tregojnë që fëmijët që kanë qasje në edukim të hershëm janë më të suksesshëm në arsim dhe pastaj edhe në punësim dhe në jetë. Kjo e drejtë, fëmijëve të Prizrenit u ishte mohuar nga qeveritë e kaluara për më shumë se 20 vite, ndërkaq tanimë ne kemi arritur që t’i eliminojmë barrierat e bllokadat e shumta që na janë paraqitur që nga viti 2018 dhe ta vëmë në funksion këtë çerdhe, që do të ofrojë arsim cilësor për 240 fëmijë në 12 paralele dhe tri gjuhë, në një hapësirë prej mbi 1,800 metrave katror”, ka thënë kryetari i komunës, Mytaher Haskuka.

Sipas tij, komuna e Prizrenit është në proces të hapjes edhe të tri çerdheve të reja.

Kujtojmë se premtim elektoral i kryetarit të tanishëm të Prizrenit ka qenë ndërtimi dhe funksionalizmi i katër çerdheve publike në Prizren.