Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Premtimet e kandidatëve për kryetar të Obiliqit për ndërtimin e çerdhes në Milloshevë

Kandidatët për kryetar të komunës së Obiliqit kanë dhënë premtimet e tyre në lidhje me ndërtimin e çerdhes në fshatin Milloshevë.

Të gjithë kandidatët kanë premtuar se këtë fshat do ta bëjnë me çerdhe.

Ajet Berisha nga Lëvizja për Bashkim ka thënë se do të ndërtojë çerdhen më së largu deri në vitin e dytë të qeverisjes.

“Unë do ta garantoj çerdhen në Milloshevë. Çerdhja në Milloshevë do të kryhet në vitin e parë ose të dytin”, ka premtuar Berisha.

Halil Thaçi nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se në shtator të vitit të ardhëm, fshati Milloshevë do të bëhet me çerdhe.

“Çerdhja në Milloshevë më së largu në shtator të vitit 2022 do të funksionalizohet”, ka thënë Thaçi.

Hanefi Musliu, kandidati për kryetar nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se në dhjetë muajt e parë do të kenë çerdhen e parë banorët e Milloshevës.

“Në dhjetë muajt e parë të qeverisjes sime do të funksionalizohet çerdhja në Milloshevë”, ka thënë Musliu.

Kurse Mehmet Krasniqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka dhënë premtim konkret rreth çerdhes ndërsa ka thënë se do ta rishikojnë në buxhetin e vitit të ardhshëm.

“Sa i përket çerdhes në Milloshevë, secili kryetar që është serioz dhe që e din si funksionon qeverisja lokale duhet ta dijë që fillimisht duhet ta implementojë një buxhet që aprovohet në fund të shtatorit dhe besoj që do të mbetet në rishikim në gjashtëmujor kjo”, ka thënë Krasniqi.

Xhafer Gashi nga Iniciativa Qytetare për Obiliq ka thënë se çerdhja do të kryhet në vitin 2023.

“Në Milloshevë çerdhja do të fillojë në vitin 2022 dhe do të kryhet në vitin 2023 kurse në 2021 do të kryhet çerdhja në Mazgit”, ka thënë Gashi.

Ndërkaq Xhelal Krasniqi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se në vitin e parë të qeverisjes ky fshat do të ketë çerdhe.

“Çerdhja në Milloshevë do të implementohet në vitin e parë të qeverisjes”, ka thënë Krasniqi.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Obiliqit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Obiliqit: Ajet Berisha nga Lëvizja për Bashkim; Halil Thaçi nga LVV; Hanefi Musliu nga PDK; Mehmet Krasniqi nga LDK; Xhafer Gashi nga Iniciativa Qytetare për Obiliq dhe Xhelal Krasniqi nga AAK. Gjithashtu kandidat për kryetar të Obiliqit është edhe Goran Danqetoviq nga Lista Serbe por i njëjti nuk ka ardhur në debat. 

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Obiliqit: Adelina Isufaj nga AKR; Anita Krasniqi nga AAK; Elza Krasniqi nga LVV; Lendita Bekteshi Memishi nga Iniciativa Qytetare për Obiliq; Linda Sadiku Krasniqi nga LDK dhe Nora Preniqi nga Lëvizja për Bashkim.