KQZ - 24.04.2019

KQZ në ‘hall’ me Listën Serbe

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas dy ditësh debat nuk ka arritur të certifikojë kandidatët e Listës Serbe për kryetar të katër komunave në Veri.

Dy abstenimet e anëtarëve të  Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi dhe Nazlie Bala nuk krijuan 8 votat e mjaftueshme për t’u certifikuar këta kandidatë.

Ky refuzim i VV-së vjen pasi që 3 nga katër kandidatët e propozuar nga Lista Serbe janë pikërisht kryetarët e dorëhequr.

Ish-kryetari Zveçanit, Vuçina Jankoviq, ish-kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq dhe ish-kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, duan që të kthehen prapë në ulëset e tyre.

Lista Serbe ndryshoi vetëm kandidatin e saj për kryetar të Zubin Potokut, ku nga Stevan Vuloviq, ajo kësaj here propozoi Srdjan Vuloviq.

Zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe do të mbahen më 19 maj, ndërsa vijnë pas dorëheqjeve të katër kryetarëve në shenjë pakënaqësie për vendosjen e taksës 100% për produktet e Serbisë dhe Bosnjës.

KQZ nuk i jep dritën e gjelbër kandidatëve të Listës Serbe

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vazhduar mbledhjen e cila u ndërpre dje për shkak të dallimeve në mes të anëtarëve të KQZ-së për të votuar për certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe për zgjedhje të jashtëzakonshme në komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, kërkoi që anëtarët të kursehen nga “retorikat politike”, sepse sipas saj kjo gjë nuk është në ‘mandatin e KQZ-së’.

“Mendoj që diskutimet janë konsumuar, nuk mendoj që kemi nevojë për fjalime politike. Ne jemi institucion i cili organizon zgjedhje. Ne dje kemi pasë edhe konsultime në mes veti dhe nuk kemi arritur ndonjë konsensus. I përkujtoj të gjithë anëtarët që ne jemi të emëruar nga presidenti dhe kemi dhënë një betim. Ne jemi trup profesional jopolitik, unë nuk kisha dashtë të replikoj dikush me mua, po e qes në rivotim”, tha ajo.

Mirëpo kërkesën e Dakës për të mos debatuar më nuk e ‘respektoi’ anëtari i KQZ-së nga VV-ja, Adnan Rrustemi. Ai së pari kërkoi nga KQZ-ja që t’i japë 24 orë kohë LS për të ndryshuar kandidatët.

“Unë kam prit që në këto 24 orë Lista Serbe do të zëvendësojë këta 3 kandidatë. Unë do të doja që LS edhe në ofrimin e kandidaturave do të respektonte legjislacionin e Kosovës, dhe të distancohet nga premtimi se do të tërhiqen menjëherë. Propozoj që t`i japim 24 orë kohë LS që t`i zëvendësojë 3 nga 4 kandidatët, në të kundërtën ne do ta shfrytëzojmë të drejtën e votimit. Ne nuk do të votojmë kundër por do të abstenojmë si anëtarë të VV-së”, tha ai.

Anëtari i Listës Serbe, Stevan Veselinoviq, abstenimin e VV-së e ka konsideruar sulm politik mbi serbët e Kosovës që kanë propozuar që kandidatët në fjalë të kandidojnë për zgjedhjet në veri.

Ndërsa Daka tha që KQZ-ja nuk është institucion i cili bën kushtëzime për subjektet politike.

Sami Hamiti anëtar nga LDK tha se KQZ-ja nuk është institucion për të rregulluar skenën politike.

“Na dje kemi ndërpre takimin, në kuptimit e evitimit të të gjitha dilemave që kemi pasur. Ideja që prej këtij institucioni me rregullu gjithçka çka sillet në skenën politike është përtej kompetencave tona. Ne kemi mendimin e zyrës, unë mendoj që është momenti i duhur të procedohet në votim”, tha ai.

Certifikimi kandidatëve do të ishte rikthim në pikën fillestare

Rasim Alija, njohës i çështjeve politike në vend, në një prononcim dhënë për Gazetën Jeta në Kosovë, ka thënë që certifikimi i kandidatëve të Listës Serbe është çështje teknike dhe politike.

“Çështje e LS, përpos që është çështje teknike si proces i certifikimit, është edhe politike. Duke qenë që kandidatët e njëjtë që janë propozuar kanë dhënë dorëheqje më herët duke mos e njohur Republikën e Kosovës si autoritet, certifikimi i po të njëjtëve do të ishte rikthim në po të njëjtën pikë”, ka thënë ai.

Alia mocertifikimin e ka konsideruar të drejtë dhe logjikë deri sa nuk dëshmohet që kandidatët e LS nuk do të marrin mandatet si kryetarë komunash, e të dorëhiqen sërish.

Sipas tij, rrethanat e mbajtjes së zgjedhjeve në këto katër komuna, janë duke kërkuar arritjen e një kompromisi politik për mbarëvajtje.

“Sipas të gjitha gjasave për zgjedhjet në veri do të duhet një kompromis politik, ndryshe ka gjasa të sabotohet i gjithë procesi zgjedhor. Ndërsa ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe ligji për zgjedhjet lokale, ka mekanizmat e tij, që mund t’i shfrytëzojë LS”, shtoi ai.

Sipas tij çështja kalon tek PZAP, i cili ka 24 orë në dispozicion për të marrë vendim.

“Po i njëjti vendim mund të ankimohet nga të gjitha palët edhe në Gjykatën Supreme. Pra përpos një çështje politike e teknike, do të testohen edhe mekanizmat e drejtësisë zgjedhore”, theksoi Alia.

Kushtet e Lëvizjes Vetëvendosje për votën

Lëvizja Vetëvendosje, në mbledhjen e djeshme kushtëzoi votën e saj për certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe.

Adnan Rrustemi anëtar i VV-së në KQZ tha se kushti i parë është që kandidatët e Listës Serbe të distancohen publikisht nga qëndrimet në letrat e dorëheqjes, ku shtetit i referohen si “Kosovo i Metohija”.

“Në formën sesi kanë dhënë dorëheqje i referohen Kosovës me emërimin jokushtetues “Kosovo i Metohija”, dhe me atë përmbajtje këta kandidat humbin të drejtën kushtetuese për të qenë kandidat”, ka thënë ai.

Përveç kësaj Rrustemi ka thënë që kandidatët e Listës Serbe duhet të distancohen  nga paralajmërimet se do të tërhiqen menjëherë pas zgjedhjeve dhe se kështu do të veprojnë vazhdimisht.

Ndërsa Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq, në një reagim të tij Lëvizjen Vetëvendosje e ka quajtur ‘fashiste e shoviniste’

“Përfaqësuesit e lëvizjes fashiste dhe shoviniste Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Prishtinës sot kanë paraqitur masat e ndarjes kombëtare dhe serbët janë privuar zyrtarisht nga statusi i qenieve të lira në Kosovën e vetëshpallur”, tha ai.