Poster i vendosur në qendër të Prishtinës në ditët kur qeveria e Kosovës i vendosi taksë mallrave nga Serbia e Bosnja. Foto: BIRN

‘Taksa’ politike e taksës doganore ndaj Serbisë

Vënia e taksës 100 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës u pasua nga një presion i jashtëzakonshëm i Bashkimit Evropian dhe ambasadës së SHBA-ve për revokimin e menjëhershëm të saj.

Pas këtij vendimi, ka qenë pikërisht presidenti Hashim Thaçi i cili i pari ka dhënë shenja luhatjeje, duke thënë se ky vendim mund edhe të hiqet.

“Kosova është gati të shqyrtojë heqjen e taksës për produktet serbe nëse Kosovës i jepet një rrugë e qartë drejt arritjes së një marrëveshjeje finale paqësore me Serbinë, i kam thënë gazetës “The Uashington Post”, duke kërkuar që SHBA-ja të marrë rol udhëheqës në koordinimin e inputit”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Përderisa kryeministri Ramush Haradinaj, vazhdimisht është deklaruar kundër heqjes së taksës. Ai ditëve të fundit ka zbutur qëndrimin e tij duke thënë se vendimi mund të pezullohet nëse merr garancë ndërkombëtare për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me njohje reciproke.

“Vendosja e taksës ndaj produkteve të Serbisë nuk ka për qëllim pengimin dhe prolongimin e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese me Serbinë, që rezulton me njohje. Përkundrazi, Qeveria e Kosovës do ta pezullonte përkohësisht taksën, vetëm pas garancës ndërkombëtare, se do të ulemi për ta nënshkruar marrëveshjen përfundimtare, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke”, ka thënë ai.

Edhe zëvendëskryeministri i Kosovës dhe njëherësh ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli ka filluar të tregoj shenja të ‘dorëzimit’ duke  thënë se Kosova nuk mund ta refuzojë kërkesën e Amerikës. Madje për ‘plotësimin’ e kërkesës së SHBA-ve ka thënë se do të bisedojë me kryeministrin Ramush Haradinaj.

Kërkesa për tërheqje të taksës, padrejtësi e BE-së karshi Kosovës

Presioni për taksën po konsiderohet i padrejtë dhe i njëanshëm nga njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Haki Abazi, analist i çështjeve politike në vend po e cilëson si të ‘palogjikë’ kërkesën e faktorit ndërkombëtar për heqjen e taksës.

“Nëse bashkësia ndërkombëtare është vërtetë e interesuar që të bëjë një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku njohja do të ishte pjesë e kësaj marrëveshjeje atëherë nuk ka logjikë fakti që pas fushatave agresive të Serbisë për mosnjohje dhe për tërheqjen e njohjeve të bëhet presion në Kosovë për tërheqjen e taksës pa garantuar se marrëveshja në fund do të prodhoj njohjen e dyanshme dhe ulësen në OKB”, tha Abazi gazetën Jeta në Kosovë.

Kurse, gazetari Agron Halitaj reagimet e Brukselit po i konsideron si të njëanshme sepse asnjëherë nuk është sanksionuar Serbia për shkeljen e të gjitha marrëveshjeve.

“Pas vënies së taksës për produktet e Serbisë kanë qenë të pritshme reagimet e një pjese të faktorit ndërkombëtar, veçmas të Brukselit zyrtar. Kjo për faktin se Kosova ka marrë një vendim autonom që prodhon efekte të drejtpërdrejta në Serbi. Ajo që nuk është e drejtë, është se reagimet që vijnë nga jashtë janë të njëanshme. Të njëjtit nuk kanë bërë kurrë presion mbi Serbinë, e cila ka luftuar dhe vazhdon ta luftoj haptas qenësinë e shtetit të Kosovës. Për më tepër, Serbia ka shkelur edhe marrëveshjet që vetë i ka nënshkruar dhe asnjëherë nuk është sanksionuar nga Brukseli” tha Halitaj për gazetën JnK.

Krerët institucionalë në ‘luftë’ për t’i marrë meritat e vendosjes së taksës

Vendosja e taksës prej 100 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës  ngjalli edhe një ‘luftë’ për merita mes politikanëve vendor. Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK), Enver Hoxhaj ka thënë se taksa ndaj Serbisë, ka qenë  ide ekskluzive e tij e cila ka marrë përkrahjen e kryeparlamentarit  Kadri Veseli si dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.

Njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi, thotë se tendencat e disa deputetëve të PDK-së për t’i marrë meritat për këtë vendim janë të kota.

“Kjo është iniciativë dhe kërkesë e Vetëvendosjes qysh moti dhe në fakt Thaçi dhe PDK nuk kanë asnjë meritë në këtë drejtim por si duket ata tani kanë parë një mundësi të përfitimit duke u asociuar me këtë instrument presioni dhe në rast të tërheqjes të marrin kredinë për këtë gjë edhe para publikut edhe para bashkësisë ndërkombëtare” theksoi ai.

Në anën tjetër, gazetari Agron Halitaj, ka folur për përplasjet e kryeministrit si dhe presidentin për vendimin e taksës.

“Bazuar në kompetencat kushtetuese, Thaçit i takon që të angazhohet për unitet, e jo të fus përçarje brenda partnerëve të koalicionit qeverisës. Si autoritet që e përfaqëson shtetin brenda dhe jashtë, ai e ka për obligim që t’i mbështes politikat shtetërore, e jo të shpërfaq mospajtime me to. Kushtetuta i përcakton qartë kompetencat e secilit pushtet, prandaj është gabim kur presidenti merr përsipër diçka që del jashtë funksionit të tij” tha ai.

Ndërsa debatin e meritave ai e konsideron më tepër “komik”, se sa përmbajtjesor duke thënë se vendimi është i Qeverisë dhe këtu do duhej të përfundonte gjithçka rreth meritave.

Efektet e taksës

Ndërsa vendimi ‘taksë’ në Kosovë prodhoi efekte të ndryshme, në Komunat më Shumicë Serbe, qytetarët e komunitetit serb të pakënaqur me këtë vendim organizuan protesta.

Pas këtyre protestave kryetarët e Komunave më Shumicë Serbe kanë dhënë dorëheqje të cilat ende nuk janë pranuar nga qeveria e Kosovës , nën arsyetimin se janë të paligjshme sepse përmbajnë mbishkrimin ‘Kosova e Metohija’.

Taksa solli në Kosovë dhe në Serbi  komisionerin Hahn i cili pas këtyre takimeve  ‘shuajti ’ shpresat për viza në 2018-tën.

Taksa 100 përqind e vendosur për produktet e Serbisë dhe Bosnjës ‘ paralizoi’ procesin e dialogut, sepse qeveria e Serbisë e vendosi kusht largimin e taksës për vazhdimin e dialogut.

Ndryshe Qeveria e Republikës së  Kosovës më 9 nëntor të vitit të kaluar pati marrë vendim për vendosjen e masës 10 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës duke përjashtuar këtu brendet ndërkombëtare.

Mirëpo kjo taksë nuk mbeti e tillë, dhe pikërisht një ditë pas dështimit të Kosovës për anëtarësim në organizatën INTERPOL më 21 nëntor të vitit të kaluar, kjo taksë u rrit në 100 për qind.

Përveç kësaj ky vendim parashihte edhe largimin  dhe mos të lejimin hyrjes në treg të produkteve me  etiketën ‘Kosova dhe Metohija’, gjë e cila është duke vazhduar edhe tani.

Mirëpo më vonë taksë 100% u vendos edhe për brendet ndërkombëtare.

18 Janar 2019 - 20:33

Arta Sopi 18/01/2019 - 20:33
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend