Vetëvendosje: PAN-i le t’ia kthejë borxhin Listës Serbe për certifikimin e anëtarëve të rinj

Ndonëse ishte paraparë që pas një pauze 10 minutëshe të vazhdoj punën, KQZ ndërpreu takimin e sotëm, duke vazhduar për një orë një mbledhje larg mediave.

Pas këtij takimi të ‘fshehtë’, për media është deklaruar anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi i cili tha se në këtë takim është diskutuar për mundësinë e gjetjes së një zgjidhje.

“Në takim po diskutohen joformalishte të gjitha situatat në përpjekjen për të gjetur një zgjidhje”, tha ai.

Ai edhe një herë përsëriti qëndrimin e partisë së tij, duke thënë që kandidatët e Listës Serbe duhet të distancohen nga deklarimet e mëhershme.

“Për ta sqaruar edhe situatën e krijuar edhe qëndrimin, edhe kjo situatë është e ndërlidhur me mënyrën sesi presidenti i ka shpallur zgjedhjet, në raport me mbledhjen e sotme. Unë jam në mbrojtje të rendit republikan të Kosovës. Këtë proces zgjedhor po e bojkotojnë edhe serbët e veriut edhe vet partitë serbe, sepse asnjë subjekt tjetër nuk është paraqitur me kandidatura”, tha ai.

Tutje Rrustemi tha që për këtë çështje do t`i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese për opinion se a kanë të drejtë të kandidojnë prapë.

Rrustemi shtoi se sot është afati i fundit për certifikimin e kandidatëve për zgjedhjet në katër komunat në veri.

“Tashmë operojmë me afate të shkurtuara, mund të jetë dita e sotme dita e fundit, por KQZ-ja e ka kompetencë me e zgjat afatin. Certifikimi bëhet me 2/3 e anëtarëve të KQZ-së, e 2/3 e anëtarëve të KQZ-së janë 8 ndërkohë që ne jemi 9 anëtarët. Për sa kohë që presidenti nuk i ka emëruarat edhe dy anëtarë të tjerë të koalicionit PAN, dhe këtu politikisht le ta theksojmë që PAN-i le t`i kthej borxhin që i ka Listës Serbe, por kjo nuk mund t`i mbetet opozitës në rastin konkret”, tha ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot ka mbajtur mbledhjen e radhës në të cilën pritej të bëhej certifikimi i subjekteve politike dhe kandidatëve për zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat me shumicë serbe. Mirëpo për shkak që tre nga 4 kandidatë e Listës Serbe ishin pikërisht ish-kryetarët e këtyre komunave, dy përfaqësuesit e Vetëvendosjes në KQZ kundërshtuan certifikim e tyre.