Komuna Lejon Fabrikën Duke Injoruar Nivelin Qendror

Gjakova kishte bllokuar më 7 dhjetor të 2012-ës inaugurimin e “Qendrës Inovative”, një projekt i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për mbështetje të zhvillimit në këtë qytet, me arsyetimin se nuk kishte marrë leje prej komunës.

Por kjo komunë, në krye me Pal Lekajn, ka organizuar inaugurimin e një fabrike në më pak se dy javë që atëherë, më 19 dhjetor, pa leje prej të paktën katër institucioneve të nivelit qendror – të obliguara me ligj.

Në vënien e gur-themelit pati marrë pjesë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Megjithatë, një seri problemesh ligjore në lidhje me fillimin e punës së fabrikës dalin në shesh, ka zbuluar Gazeta Jeta në Kosovë, që kur marrëveshja ishte nënshkruar mes kryetarit Pal Lekaj dhe afaristit Vegim Krasniqi më 5 qershor 2012.
 
Marrëveshja kërkonte fillimin e zbatimit të saj brenda dy javëve, por vetëm më 12 dhjetor komuna i kishte ndarë kompanisë “TCG Green Energy” — përmes votimit në asamblenë komunale — sipërfaqen prej tre hektarësh të pronës komunale.

Vendimi, megjithatë, nuk ishte nxjerrë konform ligjit për Dhënien në Shfrytëzim dhe Kompensim të Pronës Komunale, për së paku një pjesë të parcelave të ndara.

Për këtë, më 27 dhjetor, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petroviq, i shkruan drejtuesve gjakovarë. Ai kërkon që komuna ta rishqyrtojë vendimin brenda 30 ditësh.

“Vendimi për dhënien në shfrytëzim të një parcele me sipërfaqe prej 0.78.23 hektarë, pronë e Komunës së Gjakovës, për realizimin e projektit të riciklimit të mbeturinave dhe prodhimit të energjisë termike dhe elektrike, e planifikuar të realizohet sipas projektit të kompanisë TCG Green Energy- Zyra në Prishtinë, nuk është miratuar konform nenit 5 të Ligjit nr. 03/ L-226 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës, për faktin se vendimi nuk e ka përcaktuar afatin e dhënies se pronës komunale në shfrytëzim”, thuhet në letrën e nënshkruar nga Petroviqi.

Sipas ministrit, po ashtu, në përgjithësi procedurat kanë qenë jo transparente.

“Organet e komunës, me rastin e nxjerrjes së këtij vendimi nuk kanë respektuar procedurën e hapur, transparente dhe jo diskriminuese të përcaktuar me nenin 4 të Udhëzimit Administrativ Nr. 2012/02 për Zbatimin e Ligjit për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës së Paluajtshme të Komunës”, thuhet më tej në letër.

Ndërkohë ndryshon ligji për pronën 

Kur asambleja komunale kishte votuar më 12 dhjetor për ndarjen e pronës, në fuqi ishte ligji nr. 03/l-226 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës.

Në nenin 5, pika 3 të tij, thuhet: “Kuvendi i Komunës ka të drejtë të japë në shfrytëzim pronën e paluajtshme në afat më të gjatë së dhjetë (10) vjet por jo më shumë së dyzet (40) vjet pas plotësimit të kritereve të përcaktuara më ligjin për prokurimit dhe pas dhënies së pëlqimit nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave dhe pëlqimit paraprak nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e tregtisë dhe Industrisë”.

Pesë ditë pasi u votua në asamble ndarja e kësaj prone, më 17 dhjetor, ligji që e ka rregulluar këtë fushë është shfuqizuar dhe ka hyrë në fuqi ligji nr. 04/l-144 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës me të cilin komuna ka të drejtë t’i japë në shfrytëzim pronat deri në 99 vjet.

Neni 3, pika 1.4 e këtij ligji, thotë:“Afati kohor për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës së paluajtshme të Komunës – periudha kohore prej pesëmbëdhjetë (15) deri nëntëdhjetë e nëntë (99) vite, përmes konkurrimit të hapur…”

Bashkëpronari i kompanisë “TCG Green Energy”, Vegim Krasniqi, thotë se nisja e punimeve është lënë për këtë kohë që të përkojë me ligjin e ri. “Tash kemi të drejtë të shfrytëzimit deri në 99 vjet”, thotë Krasniqi. 

Kryetari Pal Lekaj ndërkohë vënien e gurthemelit vetëm dy ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri e lidh me rrethana krejt tjera.

“Investitori ka kërkuar që të vihet gurthemeli para Krishtlindjeve. Ne iu kemi përshtatur se s’kemi dashur ta humbim si investim, sepse është investim i madh për komunën tonë”, tha ai.

Por se sa do të përfitojë komuna dhe a do të ketë përqindje në kompani, Lekaj nuk tregon.

“Këto do të parashihen në kontratë. Deri tash kemi vetëm marrëveshje”, tha Lekaj.

Në dokumentin tri-faqesh të marrëveshjes midis Lekajt dhe kompanisë nuk është e paraparë që komuna të ketë përqindje.

“Komuna do të përfitojë prej heqjes së mbeturinave, ngrohjes shumë më të lirë për ngrohtoren e qytetit dhe përzgjedhjen e stafit punues që është një mundësi e mirë t’i heq nga lista kategoritë sociale e tu gjejë punë atyre që kërkojnë”, thotë Vegim Krasniqi i Green Energy.

Por, këshilltari komunal, Shpëtim Rudi nga Aleanca Kosova e Re, thotë se në mbledhjen e jashtëzakonshme për të nxjerrë vendimin e gjithë procedura ka qenë e përshpejtuar dhe këshilltarët nuk kanë ditur asgjë përpos emrit të kompanisë dhe shifrës së investimit.

“Kur është dalë për miratim, nuk kemi ditur asgjë më shumë se sa emrin e kompanisë, sa milionë do të investohen dhe datën e gurthemelit”, thotë Rudi. “Para votimit duhet ofruar informacione të plota për këshilltarët komunalë në lidhje me kompaninë dhe kontratën e plotë”.

Pa leje nga ministria e ambientit dhe zyra e rregullatorit

Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor pohon se kompania dhe komuna nuk i kanë nxjerrë disa nga dokumentet e nevojshme që ky projekt të mund të zbatohet.

Pa i kompletuar këto dokumente, kjo ministri nuk e konsideron legale punën në projektin e mbeturinave dhe energjisë.

“Sipas të dhënave zyrtare, komuna e Gjakovës nuk ka kërkuar pëlqimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për dhënien në shfrytëzim të tokës së saj për ndërtimin e termocentralit nga kompania TCG Green Energy, siç e kërkon Ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës së Paluajtshme të Komunës”, thotë zëdhënësja, Gëzime Hasani.

“Për më shumë, kompania nuk ka dorëzuar kurrfarë aplikacioni të nevojshëm për fillimin e punës për ndërtimin e termocentralit, përfshirë këtu pëlqimin mjedisor, lejen ujore apo lejen e ndërtimit, siç parashihet me legjislacionin në fuqi”, shtoi ajo.

 
Gurthemeli vendoset, ndonëse lejet përkatëse për fabrikën mungojnë  

 

Sipas përgjigjeve të kësaj ministrie, është anashkaluar edhe ligji për ndërtim.

“Në bazë të Ligjit për Ndërtim, MMPH është përgjegjëse për dhënien e lejes së ndërtimit për termocentrale me fuqi prej 10 e më shumë MË, që do të thotë se kompania TCG do të duhej të aplikonte para së gjithash në MMPH. Si pasojë, fillimi i punës së kompanisë në fjalë nuk mund të konsiderohet legal duke pasur parasysh mungesën e dokumentacionit bazë, të lëshuar nga MMPH”, thuhet më tej në përgjigjet e ministrisë.

Edhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë e kishte konsideruar të paligjshme nisjen e punimeve pa marrë lejen paraprakisht në këtë institucion.

“Ligji nr. 03/L-185 për Rregullatorin e Energjisë, neni 38, specifikon se ndërtimi i çdo kapaciteti të ri gjenerues, sistemeve të reja për bartjen dhe shpërndarjen e gazit, përfshirë interkonektorët, si dhe linjat direkte elektrike dhe gazsjellësit direktë për bartjen e gazit natyror, duhet t’i nënshtrohet procedurës së autorizimit e cila udhëhiqet nga Zyra e Rregullatorit për Energji”, kishte reaguar ZRRE, për këtë rast, një ditë para vënies së gurthemelit, më 18 dhjetor.

“E di që ka shumë dokumentacione për t’i kompletuar, por ne do t’i marrim të gjitha më radhë”, thotë përfaqësuesi i kompanisë, Vegim Krasniqi.

Të njëjtën përgjigje e ka dhënë edhe kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj.

Kërkon të respektohet niveli lokal, injoron atë qendror

Ministrisë së Tregtisë së cilës ia kishte ndalur punimet për shkak të mungesës së lejes komunale, tash komuna nuk i ka kërkuar pëlqim — siç ishte e obliguar me ligj — për kohën e shfrytëzimit të pronës.

Ministrja Mimoza Kusari – Lila, e cila tri javë më parë ishte obliguar që të kthehet mbrapshtë nga inaugurimi meqë e kishte bllokuar komuna e Gjakovës, konfirmon se Komuna e Gjakovës nuk ka kërkuar leje prej ministrisë që ajo drejton.

“Komuna e Gjakovës nuk ka kërkuar dhënien e pëlqimit nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për dhënien në shfrytëzim të pronës prej 3 hektarësh në lagjen ‘Kolonia’ të kësaj komune për kompaninë ‘TCG Green Energy’, e cila planifikon të hapë termocentral”, ka shpjeguar Kusari.

“Sipas nenit 5 të Ligjit Nr. 03/L-226, komuna është e detyruar të kërkojë leje nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Financave dhe pëlqimin paraprak nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, shtoi Kusari.

Derisa thotë se mbetet e përkushtuar për heqjen e barrierave ndaj bizneseve, Kusari shton se në Gjakovë për qendrën e saj nuk ishte e obliguar të kërkojë leje prej komunës meqë kishte memorandum me komunën për ngritjen e Qendrës Inovative.

Planet e kompanisë

Sipas planit të saj, kompania TCG do të shpenzojë 500 tonë mbeturina në ditë dhe prej tyre do të prodhojë 24 megavatë energji për orë.

Punën do e nis 18 muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes me Komunën dhe do të punësojë më së paku 199 veta dhe më së shumti 380.

Planifikohet investimi i 143 milionë dollarëve amerikanë.

Kompania “TCG Green Energy” ndërkaq ka bërë marrëveshje me “Synergy Energetics” për gjetjen e mjeteve. Që të dyja prezantohen nga komuna si kompani amerikane. E para është e regjistruar edhe në MTI me pronarë Vegim Krasniqin dhe Robert Istvan Hargitai-n.