Foto: Ilustrim

Fati i paqartë i lojërave të fatit

Qeveria e Kosovës e miratoi sot Projektligjin për ndalimin e Lojërave të Fatit si rezultat i rezolutës së LDK-së, e cila në seancën e Kuvendit të 22 marsit 2019, i mori 74 vota.

Projektligji ka bërë bashkë pozitë e opozitë. Megjithatë, jo të gjithë deputetët e pozitës po e përkrahin apriori atë.

Dyshime rreth rezultateve të Projektligjit kanë edhe ekspertët e ekonomisë, të cilët madje edhe i druajnë pasojave që mund t’i ketë kjo nismë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së kabinetit qeveritar tha se do të interesohen për djemtë dhe vajzat që kanë punuar nëpër vendet e lojërave të fatit.

Arsyetimi i rezolutës

Deputeti i LDK-së, Naser Osmani, e arsyetoi nismën e partisë së tij për mbylljen e lojërave të fatit në vend.

Madje ai tregoi se në qeverisjen e kaluar në vitin 2014, Komisioni për Buxhet dhe Financa kishte nisur një fushatë kundër kësaj veprimtarie për monitorimin e zbatimit të e Ligjit në praktikë por sipas tij nuk kishte marrë përkrahje.

“Kemi bërë një fushatë, fatkeqësisht ka pasë përkrahje të mediave, por jo të institucioneve”, tha Osmani.

Edhe pse pa përkrahje institucionale, Osmani i cili mbante pozitën e zëvendëskryetarit të parë në Komisionin për Buxhet dhe Financa, tha se në atë kohë janë mbyllur 457 pika të lojërave të fatit në Kosovë nga ATK-ja.

Rritjen e kësaj veprimtarie në Kosovë, Osmani e ndërlidhi me mbylljen e bizneseve në Shqipëri.

“Në momentin kur ka filluar me u mbyll në Shqipëri këtu ka filluar hapja e tyre në vendbanime të ndryshme, në fshatra”, tha ai.

Të bësh bixhoz me të ardhmen

Deputeti, tha se do ta përkrahin edhe plotësim ndryshimin e ligjit kur të vijë në Kuvend si dhe nuk dyshon as në votat e deputetëve të koalicionit qeverisës.

“Janë bërë analiza, vlerësime psikologjike, janë marrë të dhëna në polici, gjykatë, ka një mori faktesh që kjo dukuri në shoqërinë tonë sjell shumë probleme, sidomos në familje”, u shpreh Osmani.

“Meqenëse ne shqiptarët si shoqëri jemi më shumë të lidhur me familje këtu është ngjallur instinkti i shqiptarit te deputetët që njëzëri të marrin vendim unanim për ruajtjen e familjes së shëndoshë shqiptare. Edhe nëse dikujt i prishen hesapet, burimet financiare, por ka mbretëruar instinkti i shqiptarit për ruajtjen e familjes”, tha ai.

Kurse, Ahmet Isufi kryetar i Grupit Parlamentar të AAK-së, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se do ta mbështesin ligjin në Kuvend.

“Ligji që është përgatit nga Qeveria pritet te vijë në Kuvend do ta votojmë për shkak se përcakton në mënyrë ligjore për lojërat e fatit dhe kazino. Ligji është mbi çdo koncept dhe çdo vendim tjetër”, tha ai.

Gazeta Jeta në Kosovë ka provuar të marrë qëndrime edhe nga PDK-ja dhe LVV-ja, se a do ta përkrahin edhe ligjin kur të procedohet në Kuvend nga ana e Qeverisë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, sot ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, peticionin i cili kërkon shfuqizimin e Ligjit për Lojërat e Fatit.

Muharremaj tha se pret që vendimi të merret nga ana e Kuvendit të Kosovës.

“Sot patëm takim të kryetari i Parlamentit të Kosovës. Kemi dorëzuar peticionin dhe ne presim vendimin ta marrë Parlamenti i Kosovës. Kryetari e priti shumë mirë tha se do të jemi të ftuar në Komisionin i cili do ta marrë këtë, pasi prej Qeverisë, ligji shkon në Komision për këtë punë, dhe ne do të jemi aty. Do ta japim kontributin tonë”, tha i pari i Suharekës.

Komuna e Suharekës kishte bërë të ditur se mbi 11 mijë nënshkrime janë mbledhur nga qytetarët për peticionin, i cili kërkon shfuqizimin e Ligjit për Lojërat e Fatit.

Edhe kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, i është bashkuar iniciativës së Muharremajt për nënshkrimin e peticionit për shfuqizimin e Ligjit për Lojërat e fatit.

“Nga e hëna 25.03.2019 prej orës 10:00 në sheshin “Adem Jashari” në Komunën e Lipjanit do të filloëj nënshkrimi i këtij peticioni”, kishte njoftuar kjo Komunë.

Iniciativën në Suharekë e kishte përkrahur edhe Komuna e Rahovecit. Kryetari i kësaj Komune, Smajl Latifit ka thënë se mbyllja e këtyre lokaleve është e domosdoshme për ekonominë, sigurinë dhe të ardhmen e vendit.

“Le të punojmë bashkë që në të ardhmen të mos kemi raste të vrasjeve, shkatërrimit të ekonomive e familjeve tona”, kishte shkruar ai në Facebook.

Kundërshtimet

Ndonëse rezoluta u përkrah unanimisht nga deputetët që ishin prezentë në seancën e së premtes, ajo po vazhdon të marrë kritika, duke u quajtur si vendim ad-hoc  dhe pa strategji.

Mbyllja e lojërave të fatit është kundërshtuar nga disa deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe nga Shoqata e Lojërave të Fatit.

Të njëjtit vlerësojnë se nuk do të duhej të merreshin si pretekst dy vrasjet e fundit që kanë ndodhur në kazino të komunës së Suharekës dhe asaj të Lipjanit, për t’i mbyllur këto biznese.

Milaim Zeka, deputet nga Nisma Socialdemokrate, seancën e jashtëzakonshme me kërkesën e 49 deputetëve, e sheh si “seancë të turpit”.

Deputeti Zeka për Gazetën Jeta në Kosovë tha se seanca është ftuar pa asnjë logjikë.

Sipas Zekës, edhe Koncept-dokumenti i miratuar nga Qeveria vitin e kaluar, i cili përkrah rritjen e veprimtarisë së lojërave të fatit, është bërë pa analizë.

“Qeveria është duke i luajtur dy lojëra, lojën e LDK-së dhe lojën se çfarë po thotë elektorati, a po thotë elektorati që është mirë me i mbyll apo është keq me i mbyll.  Qeveria nuk mundet me bo kalkulime mi dëmtu bizneset në bazë të kalkulimeve të votave. Në këtë rast, LDK tha se duhet të mbyllen lojërat e fatit pse janë vra dy njerëz në kazino. Njerëz janë vra në pompa të benzinës, a m’i mbyll pompat e benzinës?  Janë vra nëpër spitale, a m’i mbyll spitalet?”, shtoi Zeka.

Deputeti tregoi se nuk e ka votuar rezolutën si dhe nuk e di se a do ta votojë projektligjin e Qeverisë, pa e parë draftin e tij.

“Më vjen keq që partitë dhe deputetët po kalkulojnë vetëm te vota. Nuk ka ligje që janë të qëndrueshme për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës, kjo është për mua e dhimbshme”, tha ai.

Kritika të njëjta ka edhe deputetja e Partisë Socialdemokrate, Shqipe Pantina.

Ajo për Gazetën JnK tha se vrasje janë bërë edhe nëpër restorante, e në komunikacion, por sipas saj e rëndësishme është të gjendet një strategji e jo të veprohet pa i analizuar mirë situatat.

“Natyrisht se duhet me pasë legjislacion që i kontrollon këto lokale se shumica prej tyre punojnë pa licencë. Kjo duhet me u bo me strategji jo veç me reagim ad-hoc”, tha ajo.

Sipas Pantinës, çështja e lojërave të fatit është problem qe një kohë të gjatë.

“Unë dyshoj se edhe kjo çështje si shumë tjera kanë me u harru”, tha Pantina.

Deputetja opozitare nuk tregoi nëse do ta votojnë ose jo projektligjin, duke thënë se fillimisht do ta shohin se çfarë do të përmbajë ai.

‘Pasojat’ e mbylljes së bixhozit

Rezolutën e miratuar në Kuvendin e Kosovës nuk mbetën pa e kritikuar edhe përfaqësuesit e bizneseve të lojërave të fatit.

Kryetar i Shoqatës së Lojërave të Fatit, Istref Veliu, e sheh si të turpshme që viktimat të përdoren si arsyetim për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për mbylljen e lokaleve të lojërave të fatit.

Sipas komunikatës së lëshuar nga kjo shoqatë, thuhet se duhet llogaritur se dëmet janë shumëfish më të larta me mbylljen e bizneseve.

“Në njërën formë apo tjetrën, një shumë prej 50 milionë euro do të hiqen nga qarkullimi, pastaj rreth 4.000 familje do të mbesin pa një pagë mujore minimale prej 400 euro, do të rriten statistikat e papunësisë, rastet sociale do të shtohen, buxheti i Kosovës do të mbetet pa 20 milionë euro, ndërsa  në anën tjetër do t’i jepet mundësia që të ushtrohet veprimtaria në mënyrë ilegale, pasi që individët e caktuar  nuk  do  të  ndalen  së  luajturi  dhe  atë  në  sistemin online, që do  të  mbetet pothuajse i pakapshëm nga institucionet shtetërore”, thuhet në komunikatë.

Shoqata ka konsideruar se në vend që të veprohet me inercion dhe të mbyllen pa kurrfarë analize ligjore, ekonomike, sociale të gjitha lojërat e fatit në Kosovë, këtij procesi do të duhej që t’i paraprijë një proces gjithëpërfshirës dhe analitik në mënyrë që të identifikohen saktë nevojat shoqërore  për  rregullime ligjore.

Hekuran Murati, ekspert i ekonomisë, tha për Gazetën JnK se lëvizja nga njëri ekstrem në tjetrin vetëm sa e dëshmon se kjo Qeveri nuk ka ndonjë koncept apo strategji, por shumicën e vendimeve i merr ad-hoc, pa ndonjë analizë të mirëfilltë për pasojat.

“Megjithatë, nga draft-projektligji i publikuar para pak ditësh nga Kryeministri, vërehet se aty flitet për shfuqizim të ligjit ekzistues, gjë që nuk nënkupton domosdo mbylljen e lojërave të fatit ashtu siç është proklamuar. Me shfuqizimin e ligjit ekzistues në fakt bëhet de-rregullimi i kësaj industrie, gjë që mund të ketë pikërisht efektin e kundërt – pra në vend se të mbyllen, lojërat e fatit do të rriten pa kontroll”, tha ai.

Sipas Muratit lojërat e fatit në Kosovë kryesisht kanë si klientë masën e varfër dhe të dëshpëruar të popullit, gjë që sjell edhe më tepër probleme sociale, andaj sipas tij gjithsesi se kjo industri duhet të kufizohet në operim dhe të kontrollohet në mënyrë rigoroze.

“Mirëpo në anën tjetër, mbyllja e tërësishme dhe pa ndonjë strategji graduale dalëse është qasje e gabuar dhe mund të prodhojë kosto financiare për shtetin”, tha ai.