Foto: Ilustrim

Qeveria ‘obligohet’ t’i mbyllë lojërat e fatit

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës e ftuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës për pezullimin e aktivitetit të kazinove dhe lojërave të fatit dhe plotësim-ndryshimi e ligjit përkatës, është zhvilluar pa debat dhe me votim të rezolutës.

Avdullah Hoti, kryetar i grupit parlamentar të LDK-së, në fjalimin e tij fillestar propozoi dy pika të rezolutës të cilat më pas ndryshuan pas konsultimit mes grupeve parlamentare.

74 deputetë sa ishin në sallë, unanimisht votuan për këto dy pika të rezolutës që Qeveria të nisë procedurat ligjore për pezullimin e aktiviteteve të të gjitha llojeve të lojërave të fatit deri në plotësim – ndryshimin e ligjit përkatës, dhe që ajo brenda 30 ditësh të sjellë në Kuvend ligjin e ri që i ndalon të gjitha llojet e lojërave të fatit për një periudhë 10 vjeçare.

Me mbi gjysmë ore vonesë, deputetët kanë filluar punimet për seancën e jashtëzakonshme. Kërkesën e LDK-së që të votohet rezoluta pa debat parlamentar e kanë përkrahur shumica e grupeve parlamentare për hirë të dy vrasjeve në kazino që kanë ndodhur javëve të fundit.

I pari që filloi fjalimin ishte propozuesi i rezolutës Avdullah Hoti, i cili tha se nga lojërat e fatit po dëmtohen, dhunohen, e vriten qytetarët pasi këto raste sipas tij nuk janë të izoluara.

Ai kishte propozuar dy pika të rezolutës të cilat u ndryshuan deri në fund të seancës.

Hoti tha se ky sektor në masën më të madhe është duke funksionuar jashtë ligjit.

Partia Demokratike e Kosovës, ka përkrahur seancën e jashtëzakonshme.

Shefi i grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi u pajtua me kërkesën e LDK-së që të votohet drejtpërdrejt rezoluta pa kaluar në debat.

“Unë e shprehi mbështetjen duke shpresuar të votohet drejtpërdrejt pa kaluar në debat në respekt të dy vrasjeve të fundit në dy kazino, në Suharekë dhe Lipjan”, tha ai.

Lëvizja Vetëvendosje, konsideroi që kjo temë është dashur të diskutohet kohë më pare.

Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të LVV-së tha se ekzistojnë qindra kazino të cilat punojnë pa licencë, e që sipas tij po mungon vullneti që të hetohen.

“Në Kosovë ka qindra kazino qe punojnë pa licence e Qeveria ose e din ose nuk e din, nëse e din shumë keq, i mbyllë sytë. Kazino ka mos të themi ngjitur më çerdhe, shkollë, xhami, e institucioneve fetare që është në shpërputhje me ligjin”, tha Konjufca.

E ‘tubimin në këtë seancë e ka quajtur të kotë deputeti i Partisë Socialdemokrate Faton Topalli duke thënë se LDK-ja së bashku me depuetët e Albin Kurtit është dashur që ta ftojnë PSD-në jo vetëm për nënshkrime por të uleshin bashkërisht dhe të ndërmerrnim nismë ligjore e cila do të ishte fundamenti i këtij debati.

“Kazinotë nuk janë vende të rrezikshme për jetë për shkak se kanë ndodh kohëve të fundit dy vrasje brenda tyre e ndoshta mund të ndodhin edhe tjera brenda tyre. Propozuesi thotë se ka rrezik që vrasjet të kthehen në fenomen. Kazinotë janë të rrezikshme për shkak të varfërisë dhe varësisë që mund të shkaktojnë lojërat e fatit. Ky është rreziku kryesor i kazinove dhe lojërave të fatit”, tha Topalli.

Ndërsa, Ahmet Isufi, kryetar i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se e përkrahin rezolutën e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Rezoluta është shumë e saktë i ka dy pika që duhet të votohen”, tha ai

Edhe Bilall Sherifi shefi i grupit parlamentar të NISMA-së,  gjatë seancës së jashtëzakonshme në Kuvend tha se e përkrahin rezolutën për mbylljen e kazinove dhe lojërave të fatit. Ai shtoi se Qeveria duhet të ndërmarr hapat e nevojshëm në vazhdim.

https://kallxo.com/sherifi-sa-lojera-te-fatit-duhet-ti-hapesh-qe-te-quhesh-qeveri-e-kazinose/

“Nisma si grup parlamentar do ta mbështet këtë iniciativë për të kaluar këtë rezolutë që pastaj Qeveria të ndërmarr në vazhdim hapat e nevojshëm”, tha Sherifi.

Qeveria e gatshme të kontribuojë në ndryshimin e Ligjit për Lojërat e Fatit

Ministri i Financave, Bedri Hamza ka shprehur gatishmërinë e ministrisë të cilën e drejton se do të japin kontributin e tyre sido që Kuvendi të vendos për ta hartuar ligjin e ri.

“Ne e përkrahim cilindo prej opsioneve që të përcaktohet nga Kuvendi ne jemi pro”, tha Hamza.

Hamza ua bëri të qartë deputetëve se në Kosovë nuk ka kazino të licencuara.

“Kam dëgjuar që në Kosovë shpeshherë flitet për kazino. Në Kosovë asnjë kaziono nuk është e licencuar. Nuk ka kazino në Kosovë”, tha Hamza.

Ministri ka treguar se Dogana dhe ATK-ja kanë licencuar vetëm vitin 2018, 270  aparate, 400 mijë lojëra keno. Gjithashtu sipas tij janë shqiptuar 185 gjoba për pika basti të pa licencuara.

“Me kundërvajtje doganore 2018 janë trajtuar 280 raste dhe janë shqiptuar gjoba prej miliona eurove prej ATK dhe Doganës. Shumë raste kanë përcjellë edhe me kallëzime penale”, tha ai.

Pas gjitha fjalimeve reagoi kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli. Ai kërkoi që të ndryshoj rezoluta dhe të bëhet nismë ligjore për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për lojërat e fatit e cila mund të propozohet nga qeveria.

“Ka një nismë ligjore që mund të jetë nga qeveria e cila e mundëson miratimin më të shpejtë të ligjit. Nëse e kemi vendos dhe jemi serioz me marr vendim kisha dëshiru që ta përcaktojmë që brenda 45 ditësh qeveria ta sjell dhe ta përfundojmë. Pas 45 ditëve Kuvendi të mbaje edhe një seancë e me shiku a pi mashtrojmë qytetarët apo po dojmë me kry deri në fund këtë punë. Të jemi të sinqertë me qytetaret boll i kemi mashtru”, tha Veseli.

E propozuesi i rezolutës Avdullah Hoti tha se rezoluta është e qartë dhe janë dakorduar që ta mandatojnë Komisionin për Buxhet dhe Financa të nis procedurat për nisjen e ndryshimit të ligjit të ri.

Veseli tha se nuk do ta lë të shkojnë në mënyrë manipulative seanca.

“Do ta ftoj secilin grup parlamentar që ta angazhoj nga një jurist që ta trajtojnë çështjen juridikisht pastaj shkojmë me vendimmarrje”, tha Veseli duke ftuar 10 minuta pauzë për konsultime të grupeve parlamentare.

E pas kësaj pauze LDK-ja ishte konsultuar me grupet parlamentare ku edhe u votuan dy pikat e ndryshuara të rezolutës në të cilën e mandatuan qeverinë të nis procedurat ligjore.