Aeroplan transportues duke u ngarkuar me armë në Serbi | Foto: BIRN/Ivan Angelovski

Kanali i Vrasjeve: ‘Gypi’ 1.2 Miliard Euro i Armëve Drejt Lindjes së Mesme

Ndërkohë që Beogradi ishte në gjumë në natën e 28 nëntorit 2015, aeroplani bjellorusi mallrave Ilyushin II-76 i mbushur me armë të destinara për konflikte të largëta ndezi motorët gjigantë.

I ngritur nga pista e aeroportit Nikola Tesla, avioni çau mjegullën serbe dhe u nis drejt Jeddah të Arabisë Saudite.

Ishte një nga të paktën 68 fluturimet që vetëm për 13 muaj kanë transportuar armë dhe municione drejt shteteve të Lindjes së Mesme dhe Turqisë që pastaj i kanë dërguar armët në luftërat civile brutale të Sirisë dhe Jemenit, kanë zbuluar BIRN dhe OCCRP. Fluturimet përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të marrëveshjeve 1.2 miliard euro të armëve ndërmjet shteteve që nga viti 2012, kur pjesë të Pranverës Arabe u kthyen në konflikte të armatosura.

Në dy vitet e fundit, ndërkohë që mijëra tonë armë kanë fluturuar drejt jugut, qindra mijëra refugjatë sirianë kanë ikur në veri nga konfliktet që kanë marrë më shumë se 400,000 jetë.Por përderisa shtetet ballkanike dhe evropiane u kanë mbyllur  shtigjet refugjatëve, transporti i armëve miliarda dollarësh nga avionët dhe anijet në Lindjen e Mesme mbetet i hapur – dhe shumë fitimprurës.

Është një tregti që është sigurisht ilegale, sipas ekspertëve të armëve dhe të të drejtave të njeriut.

“Provat tregojnë drejt një devijimi sistematik të armëve te grupet e armatosura të akuzuara për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. . Nëse kjo është e vërtetë, transferet janë ilegale nën ATT (Traktati i Tregtisë së Armëve e Organizatës së Kombeve të Bashkuara) dhe ligjeve tjera ndërkombëtare dhe duhet të ndalohen menjëherë,” tha Patrick Wilcken, një hulumtues i kontrollit të armëve në Amnesty International që shikoi provat e mbledhura nga reporterët.

Por me qindra miliona euro në rrezik dhe fabrikat e armëve që punojnë jashtë orarit, shtetet kanë një nxitje të fortë që ta lënë biznesin të lulëzojë. Licencat e eksporteve të armëve, që supozohen të garantojnë destinacionin e fundit të mallrave, janë fituar pa marrë parasysh provat e shumta që armët po devijohen në Siri dhe në grupe të tjera të armatosura të akuzuara për abuzime të të drejtave të njeriut dhe mizori tjera.

Robert Stephen Ford, Ambasadori amerikan në Siri në 2011-2014, i tha BIRN dhe OCCRP që tregtia po koordinohet nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës së SHBA, Turqia dhe shtetet e Gjirit përmes qendrave në Jordani dhe Turqi, edhe pse në praktikë furnizimet e armëve shpesh e tejkalojnë procesin.

BIRN dhe OCCRP ekzaminuan të dhënat e eksportimit të armëve, raportet e OKB-së, të dhënat e fluturimeve, dhe kontratat e armëve gjatë një hulumtimi njëvjeçar që zbulon se si mijëra pushkë sulmi, predha mortaje, raketë-hedhëse, armë anti-tank, dhe armë të rënda po derdhen nga Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Mali i zi, Rumania, Serbia dhe Sllovakia drejt rajonit të trazuar.

Aeroplan transportues duke u ngarkuar me armë në Serbi | Foto: BIRN/Ivan Angelovski
Aeroplan transportues duke u ngarkuar me armë në Serbi | Foto: BIRN/Ivan Angelovski

Që nga eskalimi i konfliktit sirian në vitin 2012, këto shtatë shtete kanë miratuar dërgimin e armëve dhe municioneve me vlerë së paku 1.2 miliard euro në Arabinë Saudite, Jordani, Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe Turqi.

Shuma sigurisht është më e madhe. Të dhënat e licencave të eksportit të armëve për katër nga tetë shtetet nuk ishin të qasshme për 2015 dhe shtatë nga tetë shtetet për 2016. Katër shtetet pranuese janë furnizuesit kryesor për Sirinë dhe Jemenin që kanë pak ose aspak histori të blerjes nga Evropa Qendrore dhe Lindore. Dhe ritmi i transfereve nuk po ngadalësohet, me marrëveshjet kryesore të miratuara në 2015.

Armët dhe municionet e Evropës Qendrore dhe Lindore, të identifikuara nga më shumë se 50 video dhe foto të postuara në rrjete sociale, tashmë janë në duart e njësive të Ushtrisë së Lirë Siriane e mbështetur nga Perëndimi, por edhe po përdoren nga luftëtarët e grupeve islamike si Ansar al-Sham, Jabhat al-Nusra e lidhur me Al-Qaedën, Shtetit Islamik në Irak dhe Levant në Siri (ISIS), grupe që luftojnë për presidentin sirian Bashar-al Assad dhe forcat Sunni në Jemen.

Shënimet në disa nga armët që identifikojnë origjinën dhe datën e prodhimit zbulojnë që sasi të mëdha kanë ardhur nga linjat e prodhimit në vitin 2015.

Nga licencat e 1.2 miliard eurove armë dhe municione të miratuara për eksport, rreth 500 milionë euro janë dërguar, sipas informacioneve të tregtisë të OKB-së dhe raporteve të eksportit të armëve.

Shpeshtësia dhe numri i fluturimeve të mallrave – BIRN dhe OCCRP i kanë identifikuar 68 të tilla në vitin e kaluar – zbulojnë një rrjedhë të qëndrueshme të armëve nga aeroportet e Evropës Qendrore dhe Lindore në bazat ushtarake në Lindjen e Mesme.

Aeroplani më i përdorur – Ilyushin II-76 – mund të bartë deri në 50 tonë mallra ose rreth 16,000 pushkë kallashnikov ose tre milionë plumba. Të tjerët, duke përfshirë Boeing 747, janë në gjendje të bartin të paktën dyfishin.

Por armët dhe municionet nuk po vijnë vetëm nga ajri. Reporterët gjithashtu kanë identifikuar të paktën tri dërgesa nga ushtria amerikane nga portet e Detit të Zi që po transferonin rreth 4,700 tonë armë dhe municione në Detin e Kuq që nga dhjetori i vitit 2015.

Një anëtar suedez i Parlamentit Evropian e quan këtë tregti si të turpshme.

“Ndoshta ato-(Bullgaria, Sllovakia dhe Kroacia)- nuk ndihen aspak të turpëruara por unë mendoj se ato duhet të ndihen,” tha eurodeputeti Boril Valero, i cili ka shërbyer edhe si raportues në raportin e fundit të BE-së për armët. “Shtetet që po shesin armë në Arabinë Saudite ose në rajonin e Lindjes së Mesme-Afrikën Veriore nuk po i bëjnë vlerësimet e rrezikut mirë dhe, si rezultat, po shkelin ligjet shtetërore dhe të BE-së,” tha Bodil Valero, anëtar i Parlamentit Evropian dhe raportues i raportit të fundit të armëve.

(SHIKONI MË SHUMË PËR LIGJSHMËRINË E TREGTISË KËTU)

Arabia Saudite – Mbreti i armëve

Transporti i armëve të Evropës Qendrore dhe Lindore mund të gjurmohet që nga dimri i vitit 2012, kur duzina aeroplanë mallrash, të ngarkuar me armë dhe municione të kohës së Jugosllavisë të blera nga Arabia Saudite, filluan të largohen nga Zagrebi për në Jordani. Shpejt filmimi i parë i armëve kroate doli nga zona e luftës në Siri.

Sipas një raporti të New York Times në shkurt 2013, një zyrtar i lartë kroat ofroi stoqet e armëve jugosllave për Sirinë gjatë një vizite në Uashington në verën e vitit 2012. Zagrebi më vonë filloi kontaktin me sauditët, që financuan blerjet, ndërkohë që CIA ndihmoi me logjistikën e një aeroplani që filloi më vonë atë vit.

Ndërkohë që qeveria kroate ka mohuar vazhdimisht pjesëmarrjen në dërgimin e armëve në Siri, Robert Stephen Ford, ish-ambasadori amerikan në Siri konfirmoi për BIRN dhe OCCRP informatën e Times nga një burim anonim se si u arrit marrëveshja. Ai tha që nuk ka liri ta diskutojë atë.

1_point_2_billion_ALBANIAN-01

Kjo ishte vetëm fillimi i një rrjedhje të padëgjuar më parë të armëve nga Evropa Qendrore dhe Lindore në Lindjen e Mesme, ndërkohë që transporti u zgjerua duke përfshirë stoqet e shtatë vendeve tjera. Tregtarët lokalë të armëve gjetën armë dhe municione nga shtetet e tyre dhe ndërmjetësuan shitjen e municioneve nga Ukraina dhe Bjellorusia, dhe madje tentuan të sigurojnë sistemet anti-tank të bëra nga Bashkimi Sovjetik të blera nga Britania, përderisa pasoi një pazar armësh i shtrirë në gjithë Evropën.

Para Pranverës Arabe në vitin 2011, tregtia e armëve mes Evropës Lindore dhe Arabisë Saudite, Jordanisë, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Turqisë – katër mbështetësit kryesorë të opozitës së Sirisë – ishin të papërfillshme deri në jo-ekzistuese, sipas një analize të të dhënave të eksportit.

Por kjo ndryshoi në vitin 2012. Mes këtij viti dhe vitit 2016, tetë shtete të Evropës Lindore kanë miratuar eksporte të armëve dhe municione me vlerë 829 milionë euro për Arabinë Saudite, sipas raporteve të eksportit të armëve kombëtare dhe të BE-se si dhe burimeve nga qeveria.

Jordania siguroi licenca eksporti prej 150 milionë euro që nga viti 2012, ndërkohë që Emiratet e Bashkuara Arabe kapën 150 milionë euro dhe Turqia 87 milionë euro, duke sjellë një total prej 1.2 miliard euro.

Katari, një tjetër furnizues kryesor i pajisjeve për opozitën siriane, nuk shfaqet në licenca të eksportit nga Evropa Qendrore dhe Lindore.

Jeremy Binnie, ekspert i armëve për Lindjen e Mesme për Jane’s Defense Weekly, një publikim që pranohet si burimi më i besueshëm për informacione të mbrojtjes dhe sigurisë, tha që shumica e eksporteve të armëve nga Evropa Lindore do të shkojë në Siri, dhe një pjesë më e vogël në Jemen dhe Libi.

“Me pak përjashtime, ushtritë e Arabisë Saudite, Jordanisë, dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Turqia përdorin armët dhe municionet e këmbësorisë perëndimore, në vend të atyre të dizajnuara nga sovjetikët,” tha Binnie. “Prandaj duket që një pjesë e madhe e këtyre dërgesave të këtij materiali të dërguara te këto vende janë të destinuara për aleatët e tyre në Siri, Jemen dhe Libi.”

BIRN dhe OCCRP kanë parë dokumente konfidenciale nga Ministria e Mbrojtjes së Serbisë dhe protokollet nga një seri mbledhjesh ndër-ministrore në 2013. Dokumentet tregojnë që Ministria zbuloi shqetësimet e saj për dërgesat në Arabi Saudite që do të devijonin në Siri, duke treguar që vendi nuk përdor stoqe të Evropës Qendrore ose Lindore dhe që ka një histori të furnizimit të opozitës siriane.

Forcat e sigurisë saudite, ndërkohë që janë të armatosura nga prodhues perëndimorë, njihen për përdorimin e sasive të limituara të pajisjeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Kjo përfshin kamionë ushtarakë të prodhuar në Çeki dhe disa pushkë sulmi të prodhuara nga Rumania. Por edhe eksportet e armëve të destinuara për përdorim nga forcat saudite po duken kontroverse, duke marrë parasysh përfshirjen e tyre në Jemen.

Holanda u bë shteti i parë i BE-së që ndaloi eksportet në Arabinë Saudite si rezultat i vdekjeve të civilëve në luftën civile në Jemen, si dhe Parlamenti Evropian ka thirrur për një embargo në gjithë BE-në.

Logjistikat e furnizimit: Fluturimet e mallrave dhe desantimi ajror

Armët nga Evropa Qendrore dhe Lindore janë dërguar në Lindjen e Mesme me fluturime dhe anije mallrash. Duke identifikuar avionët dhe anijet që dërgonin armë nga Evropa Qendrore dhe Lindore në Lindjen e Mesme, reporterët ishin në gjendje të gjurmonin rrjedhjen e armëve në kohë reale.

Analiza e detajuar e orareve të aeroportit, historisë së bartësit të mallrave, të dhënat e gjurmimit të fluturimit dhe burimet e kontrollit të trafikut ajror ndihmuan në lokalizimin e 68 fluturimeve që kanë dërguar armë në konfliktet e Lindjes së Mesme në 13 muajt e fundit. Beogradi, Sofia dhe Bratislava dolën si bazat kryesore për fluturimet.

Më të shpeshta ishin fluturimet e operuara nga Beogradi, kryeqyteti i Serbisë. Fluturimet ose u konfirmuan që po transportonin armë, ose ishin drejtuar në baza ushtarake në Arabi Saudite ose Emirate të Bashkuara Arabe ose po operoheshin nga bartës të rregullt të armëve.

Shumë nga këto fluturime bënë një numër ndalesash në Evropën Qendrore dhe Lindore – që nënkupton që ata kanë mundur të marrin më shumë armë dhe municione – para fluturimit në Lindje të Mesme.

Statistikat e fluturimeve në BE japin më shumë prova për shkallën e operimit. Ato zbulojnë që avionët që fluturonin nga Bullgaria dhe Sllovakia kanë dërguar 2,268 tonë mallra – baraz me 44 fluturime me aeroplanin më të përdorur – Ilyushin II-76 – që nga vera e vitit 2014 në të njëjtat baza ushtarake në Arabi Saudite dhe Emirate të Bashkuara Arabe të lokalizuara nga BIRN dhe OCCRP.

Shpërndarja e armëve

Armët e blera nga sauditët, turqit, jordanezët dhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe për Siri pastaj janë dërguar në dy qendra komanduese sekrete – të quajtura Qendra Operimi Ushtarake (MOC) – në Jordani dhe Turqi, sipas ish-ambasadorit amerikan në Siri, Ford.

Këto njësi – të përbëra nga zyrtarë sigurie dhe ushtrie nga Gjiri, Turqia, Jordania dhe SHBA – koordinuan shpërndarjen e armëve në grupet e verifikuara opozitare siriane, sipas informacioneve nga Qendra Carter me seli në Atlanta, që ka një njësi që monitoron konfliktin.

“Secili nga shtetet e përfshirë në ndihmën e opozitës së armatosur mbajti autoritetin e vendimmarrjes finale se cilat grupe në Siri do të merrnin ndihmë,” tha Ford.

Një grumbull i dokumenteve të fshehura të bartësve të mallrave që u publikuan tregojnë se si ushtria saudite furnizon rebelët sirianë.

Sipas dokumenteve të para nga BIRN dhe OCCRP, kompania moldave AeroTransCargo bëri gjashtë fluturime në verën e vitit 2015 duke bartur së paku 250 tonë municione mes bazave ushtarake në Arabi Saudite dhe Aeroportit Ndërkombëtar Esenboga në Ankara, kryeqyteti turk, që supozohet që është pika e mbërritjes për armë dhe municione për rebelët sirianë.

Pieter Wezeman, nga Instituti i Hulumtimeve të Paqes Ndërkombëtare në Stokholm, një organizatë lidere për gjurmimin e eksporteve të armëve, tha se ai dyshon që fluturimet janë pjesë e një operacioni logjistik për furnizimin e rebelëve sirianë me municione.

Nga MOC, armët pastaj transportohen përmes rrugëve në kufirin sirian ose desantohen përmes ajrit nga aeroplanët ushtarakë.

Një komandant i Ushtrisë së Lirë Siriane nga Aleppo, që kërkoi të mbetej anonim për të mbrojtur sigurinë e tij, i tha BIRN dhe OCCRP që armët nga Evropa Qendrore dhe Lindore po shpërndaheshin nga shtabet e përgjithshme të kontrolluara nga qendra. “Ne nuk na intereson për vendin e origjinës, por ne e dimë që janë nga Evropa Lindore,” tha ai.Sauditët dhe turqit gjithashtu furnizuan me armë direkt grupet islamike, jo të mbështetura nga SHBA dhe që ndonjëherë kanë përfunduar duke luftuar grupet e mbështetura nga MOC, shtoi Ford.

Sauditët janë gjithashtu të njohur se kanë dërguar material përmes ajrit, përfshirë edhe ato që dukeshin si armë serbe, tek aleatët e tyre në Jemen.

Ford tha se ndërkohë që ai nuk ishte personalisht i përfshirë në negociata me Serbinë, Bullgarinë dhe Rumaninë për furnizimin  e armëve në Siri, ai beson që CIA ka luajtur një rol aty.

“Për operimin e këtij lloji do të ishte e vështirë për mua të imagjinoj që nuk ka pasur ndonjë koordinim mes shërbimeve të inteligjencës, por mund të ketë qenë e mbyllur strikt në kanalet e inteligjencës,” tha ai.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës  mund të mos e kenë luajtur rol vetëm në logjistikë prapa dërgimit të armëve të sponsorizuar nga Gjiri nga Evropa Lindore te rebelët sirianë. Përmes Komandës së saj të Operacioneve Speciale të Departamentit të Mbrojtjes (SOCOM), gjithashtu ka blerë dhe dërguar sasi të mëdha të materialit ushtarak nga Evropa Lindore për opozitën siriane si pjesë e një programi trajnimi dhe pajisje prej 500 milionë dollarësh.

Që nga dhjetori 2015, SOCOM ka komisionuar tri anije mallrash për të transportuar 4,700 tonë armë dhe municione nga portet e Konstantes në Rumani dhe Burgas në Bullgari drejt Lindjes së Mesme me gjasë si pjesë e një furnizimi të maskuar armësh për Sirinë.

Dërgesat përfshinin armë të rënda, raketë hedhëse dhe armë anti tank – si dhe plumba, mortaja, granata, raketa dhe eksplozivë, sipas dokumenteve të prokurimit amerikan.

Origjina e armëve të transportuara nuk dihet dhe materiali i listuar është i disponueshëm në stoqe në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Jo shumë vonë pas njërës nga dërgesat, grupe kurde të mbështetura nga SOCOM publikuan në Twitter dhe Facebook një foto të një depoje të mbushur me kuti municione në Sirinë veriore, duke thënë që kanë pranuar një furnizim me armë të ndërmjetësuara nga SHBA.

SOCOM nuk konfirmoi ose mohoi që dërgesat ishin të drejtuara për Sirinë.

Të dhënat e prokurimit të SHBA zbulojnë që SOCOM ka siguruar armë dhe municione me vlerë prej së paku 25 milionë euro (27 milionë dollarë) nga viti 2014 deri në vitin 2016 nga Bullgaria për rebelët sirianë, dhe municione serbe me vlerë 11 milionë euro (12 milionë dollarë) për operacione të fshehura dhe rebelët sirianë.

Një biznes që po lulëzon

Hulumtuesi i kontrollit të armëve Wilcken tha që Evropa Qendrore dhe Lindore kanë qenë të pozicionuara mirë për të përfituar në rritjen e madhe të kërkesës për armë pas Pranverës Arabe.

“Afërsia gjeografike dhe kontrollet e shkujdesura të eksportit i kanë vënë disa shtete ballkanike në një pozicion të favorshëm për të përfituar nga kjo tregti, në disa raste me ndihmë të maskuar nga SHBA,” shtoi ai. “Evropa Lindore është duke u rehabilituar nga industritë e armëve nga Lufta e Ftohtë që po zgjerohen dhe po bëhen më profitabile përsëri.”

Kryeministri serb Aleksandar Vuçiq para pak kohësh u mburr që vendi i tij mund të prodhonte pesëfish sasinë e armëve dhe prapë mos të mbulonte kërkesën.

“Fatkeqësisht disa pjesë të botës janë në luftë dhe çdo gjë që prodhon, mund ta shesësh në cilëndo anë të botës,” tha ai.

Prodhues armësh nga Bosnja e Hercegovina dhe Serbia po punojnë me kapacitet të plotë duke shtuar edhe ndërrime ekstra dhe të tjerët nuk po pranojnë porosi të reja.

Zyrtarët e lartë të Arabisë Saudite – të mësuar për të negociuar marrëveshje multi-miliardë dollarëshe të armëve me gjigantë perëndimorë – janë detyruar të merren me një pafundësi tregtarësh të vegjël armësh që operojnë në Evropën Lindore me qasje në armë si AK-47 dhe raketë hedhëse.

Ndërmjetësues si CPR Impex LLC dhe Krupnik International në Serbi dhe Eldon s.r.o në Sllovaki kanë luajtur një rol kritik në furnizimin e armëve dhe municioneve në Lindjen e Mesme.

Inventari i secilës dërgesë nuk dihet për shkak të fshehtësisë që rrethon marrëveshjet e armëve, por dy certifikata përdoruesi dhe një licencë eksporti, të para nga BIRN dhe OCCRP, zbulojnë shkallën e jashtëzakonshme të blerjeve me shumicë për përfituesit sirianë.

Për shembull, Ministria saudite e Mbrojtjes shprehu interesin e saj për të blerë nga tregtari i armëve serb CPR Impex një numër armësh duke përfshirë qindra tanke të vjetra T-55 dhe T-72, miliona fishekë, sisteme raketore multi-hedhëse dhe raketë hedhëse. Armë dhe municione të listuara ishin prodhuar në ish-Jugosllavi, Bjellorusi, Ukrainë dhe Republikën Çeke.

Një licencë eksporti e lëshuar për një kompani të panjohur sllovake e quajtur Eldon s.r.o. në janar 2015 i dha kompanisë të drejtën e transportimit të mijëra granatë-hedhëseve, armëve të rënda dhe gati një milionë plumbave me vlerë prej 32 milionë euro të prodhuara në Evropën Lindore për Arabinë Saudite.

Analiza e rrjeteve sociale nga BIRN dhe OCCRP tregon që armët çekosllovake, jugosllave, serbe, kroate dhe bullgare po përdoreshin në trajnime dhe në betejat në Siri dhe Jemen.

“Shumimi i armëve në [Lindjen e Mesme] ka shkaktuar vuajtje të pallogaritura të njerëzve; një numër i madh i njerëzve janë zhvendosur dhe palë të konfliktit kanë kryer shkelje të rënda të të drejtve të njeriut përfshirë rrëmbime, ekzekutime, zhdukje të detyrueshme, tortua dhe dhunime,” tha Wilcken.

 

Urat Ajrore Drejt Lindjes së Mesme

Të paktën 68 fluturime mallrash nga Serbia, Sllovakia, Bullgaria dhe Republika e Çekisë kanë bartur mijëra tonë municione në 13 muajt e fundit në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordani, tre furnizuesit kryesor të rebelëve sirianë.

Këto janë identifikuar përmes analizave të detajuara të orareve të aeroportit, historive të bartësve të mallrave, të dhënave nga gjurmimet e fluturimeve, kontrata armësh të rrjedhura si dhe certifikata përdoruesish e burime të kontrollit të trafikut ajror.

Fluturimet e mallrave nga Evropa Qendrore dhe Lindore në Lindjen e Mesme, sidomos në baza ushtarake, ishin shumë të pazakonta para vitit 2012, kur filloi rritja e shpejtë e blerjeve të armë dhe municioneve, sipas të dhënave të fluturimeve të BE-së dhe intervista me gjurmues të aeroplanëve.

Aeroplani që përdoret më shpesh – Ilyushin II-76 mund të mbajë 50 tonë mallra ose përafërsisht 16,000 pushkë kallashnikov AK-47 ose tre milionë plumba. Të tjerët, duke përfshirë Boeing 747, mund të mbajnë të paktën dy herë atë sasi.

Nga 68 fluturimet e identifikuara, 50 u konfirmuan zyrtarisht të kenë bartur armë dhe municione:

  • Drejtorati i Aviacionit Civil në Serbi konfirmoi se 49 fluturime u larguan ose kaluan përmes Serbisë duke bartur armë dhe municione nga 1 qershori 2015 deri më 4 korrik 2016. Konfirmimi erdhi pas disa javësh refuzime në bazën e konfidencialitetit dhe pasi që BIRN dhe OCCRP prezantoi provat e tyre, duke përfshirë fotografi që tregojnë kuti ushtrie duke u ngarkuar në aeroplanë në Aeroportin Nikola Tesla në Beograd në katër raste të ndryshme.

  • Një zyrtar në Agjencinë e Doganave Kombëtare në Bullgari konfirmoi një fluturim, të operuar nga bartësit e mallrave bjelloruse Ruby Star Airways, që ka transportuar armë nga aeroporti i largët bullgar Gorna Oryahovitsa në Aeroportin Brno-Turany në Republikën Çeke, dhe në Aqaba, Jordani.

  • 18 fluturime tjera u identifikuan që kanë mundur të transportojnë armë dhe municione bazuar në një nga tre variablat: historia e kompanive të bartjeve të mallrave me furnizim armësh; lidhje me fluturime të mëhershme armësh; ose destinacioni në një aeroport ushtarak.

  • Dhjetë fluturime u kryen drejt Bazës Ajrore Prince Sultan në Al Khajr në Arabinë Saudite dhe Bazës Ajrore Al Dhafra në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, që tregon prezencën e mundshme të armëve dhe municioneve. Gjithashtu, 14 fluturime në Prince Sultan dhe Al Dhafra janë konfirmuar që kanë bartur armë në të njëjtën periudhë nga Drejtorati i Aviacionit Civil në Serbi.

  • Shtatë fluturime të operuara nga Sllovakia dhe Bullgaria nga Jordan International Air Cargo, pjesë e Forcës Ajrore Mbretërore Jordaneze, u zbuluan që kanë transportuar armë dhe municione nga Kroacia në Jordani në dimrin e vitit 2012. Koloneli i pensionuar bullgar dhe eksperti i kundër-terrorizmit, Slavcho Velkov, i cili mban kontakte me ushtrinë, i tha BIRN dhe OCCRP që fluturimet Sofia-Amman “po transportonin armë në Arabinë Saudite, kryesisht për konfliktin sirian”. Gjithashtu, një fluturim tjetër i operuar nga kjo linjë konfirmua që ka transportuar armë në të njëjtën periudhë nga Drejtorati i Aviacionit Civil në Serbi.

  • Një fluturim u operua nga bartësi i mallrave bellorus TarnsAVIAexpt Airlines, që ka një histori të gjatë transporti armësh. Në 2014, linja ajrore u kontraktua nga tregtari serb i armëve Slobodan Tesiq që të transportonte armë dhe municione serbe dhe belloruse në bazat ajrore në Libi të kontrolluara nga grupe të ndryshme militante. Komisioni i Sanksioneve i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) hetoi rastin dhe gjeti shkelje të mundshme të sanksioneve të OKB-së, sipas një raporti të OKB-së të 2015. Gjithashtu, pesë fluturime të operuara nga kjo linjë ajrore u konfirmuan se kanë bartur armë në të njëjtën periudhë nga Drejtorati i Aviacionit Civil në Serbi.

 

Një pikëpyetje e ligjshmërisë

Tregtia globale e armëve është e rregulluar me tre shtresa legjislacionesh të ndërlidhura – kombëtare, të Bashkimit Evropian (BE), dhe ndërkombëtare – por nuk ka ndonjë mekanizëm formal që i dënon ata që e shkelin ligjin.

Përtej ndalesës së eksportit në shtetet nën embargo, çdo kërkesë për licencë duhet të trajtohet individualisht.

Në rastin e Sirisë, nuk ka ndonjë sanksion për furnizimin e armëve për opozitën.

Si rezultat, ligjshmëria e miratimit varet nëse shtetet kanë pasur kujdesin e duhur për disa çështje, duke përfshirë gjasat që armët do të devijohen dhe ndikimin që eksporti do të ketë në paqe dhe stabilitet.

Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Republika e Çekisë, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe Sllovakia kanë nënshkruar ATT-në, që hyri në fuqi në dhjetor 2014, dhe që liston masat që të parandalojnë tregtinë e paligjshme dhe devijimin e armëve.

Shtetet anëtare të BE-së gjithashtu qeverisen nga Pozita e Përbashkët në eksportin e armëve të 2008 që është ligjërisht e detyrueshme, që i kërkon çdo shteti të ketë parasysh tetë kritere kur u qasen aplikacioneve e licencave të eksportit të armëve, përfshirë edhe nëse shteti respekton të drejtat ndërkombëtare të njeriut, ruajtjen e “paqes, sigurisë dhe stabilitetit të rajonit” dhe rrezikun e devijimit.

Si pjesë e përpjekjeve për të hyrë në BE, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi i kanë pranuar tashmë masat dhe kanë ndryshuar ligjin e tyre kombëtar. Serbia është në proces të kryerjes së kësaj.

Eksportet e armëve në fillim vlerësohen në bazë të certifikatës së përdoruesit, një dokument kryesor i lëshuar nga qeveria e shtetit importues që garanton kush do t’i përdorë armët dhe që armët nuk janë për ri-eksportim.

Autoritetet në Evropën Qendrore dhe Lindore thanë për BIRN dhe OCCRP që ata gjithashtu kanë futur një kusht që i kërkon blerësit të marrë miratim nëse ata më vonë duan t’i eksportojnë mallrat.

Përtej këtyre kontrolleve fillestare, shteteve u kërkohet të bëjnë një gamë vlerësimesh tjera të rrezikut, edhe pse bisedat me, dhe deklaratat nga autoritetet zbulojnë pak prova për këto vlerësime.

OCCRP dhe BIRN kanë biseduar me përfaqësues të qeverive të Kroacisë, Republikës Ceke, Malit të Zi, Serbisë, dhe Sllovakisë që janë përgjigjur ngjashëm duke thënë që ata janë duke i përmbushur obligimet e tyre ndërkombëtare. Disa cituan që Arabia Saudite nuk është në ndonjë listë të zezë ndërkombëtare për armë dhe të tjerët thanë që shtetet e tyre nuk janë përgjegjëse nëse armët kanë devijuar. Tre shtete tjera nuk u përgjigjën në kërkesat për koment.

Ministria e Jashtme e Çekisë ishte i vetmi organ publik që i adresoi shqetësimet për abuzime të të drejtave të njeriut dhe devijimet, duke thënë që i ka marrë parasysh të dyja kur ka vendosur për licencën e eksportit dhe ka bllokuar transfere bazuar në atë.

 

Raportime shtesë nga Atanas Tchobanov, Dusica Tomovic, Jelena Cosic, Jelena Svircic, Lindita Cela, Olga Ceaglei dhe Pavla Holcova.