Kurti: Nuk e kemi vetëm një Kaliningrad, i dyti është Republika Srpska

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një bisedë për Këshillin Atlantik ka thënë se nuk është vetëm një Kaliningrad (enklava ruse) mes Polonisë e vendeve baltike. Sipas tij, i dyti është në Bosnje.

“Mendoj se nuk kemi vetëm një Kaliningrad mes Polonisë dhe vendeve baltike, por dy, ai është Republika Srpska që u krijua nga një gjenocid. Tani ata po e abuzojnë marrëveshjen e Dejtonit për paqe. Kremlini po shkon pas vendeve të dështuara dhe prandaj është e rëndësishme ta forcojmë Sarajevën. Republika Srpska nuk duhet të jetë e pavarur nga Bosnja por nga Serbia dhe Rusia. Lideri i saj ka lidhje direkte me Moskën”, ka thënë Kurti.

Sa i përket antarësimit të Kosovës në NATO, Kurti ka thënë se Serbia nuk duhet të konsiderohet si problem pasi kjo e fundit nuk e do atë.

Sipas tij, Kosova po punon me katër vendet tjera mosnjohëse të BE-së që janë skeptike si dhe vendi ka rritur buxhetin për ushtrinë.

 “Sa i përket NATO-s, Serbia nuk duhet të konsiderohet si problem  pasi nuk e do atë. Ne po punojmë me katër vendet që janë ende skeptike. Por jemi edhe duke rritur kapacitet dhe buxhetin për mbrojtje”, shtoi Kurti.

Sipas tij, Kosova është vend normal demokratik dhe sovran por marrëdhënia me Serbinë nuk ëshë normale.

“Ne jemi vend normal demokratik, por marrëdhënia me Serbinë nuk është normale, ne kemi probleme me një vend, për shkak të atij vendi. Ne duhet të normalizojmë këto marrëdhënie me një njohje mes vete”, ka thënë Kurti.

Kurti po ashtu potencoi se Putin dëshrion ta shohë Kosovën si shtet të dështuar pasi ai konsideron se Iraku dhe Afganistani janë dështime të Perëndimit dhe ashtu e do edhe Kosovën.