Ndikimi i kufizuar i Erdoganit në Ballkanin Perëndimor

Pavarësisht politikës së saj të jashtme dukshëm “neo-otomane”, Turqia e ka neglizhuar kryesisht periferinë e saj ballkanike.

Në krahasim me ambiciet e Turqisë si një lojtar i fuqishëm në Lindjen e Mesme, politika e saj në Ballkan ka qenë me mungesë guximi dhe e zbehtë. Rajoni i Ballkanit teorikisht duhet të jetë një nga fokuset kryesore të politikës së jashtme “neo-otomane” të Erdoganit. Megjithatë, Turqia ka një prani të dobët dhe besnikëri politike jokoherente. Lidhjet mes Turqisë dhe shteteve ballkanike sot janë kryesisht ekonomike dhe kulturore, me vetëm një prani politike simbolike. Në të kundërt, aktiviteti turk në vendet me shumicë myslimane të Lindjes së Mesme dhe Kaukazit karakterizohet nga një gatishmëri për t’u angazhuar politikisht dhe ushtarakisht në ngjarjet kryesore politike rajonale, të tilla si ‘Pranvera Arabe’ dhe për ta mbështetur Azerbajxhanin në konfliktin e tij ushtarak me Armeninë.

Mungesa e angazhimit politik të Ankarasë mund të shpjegohet të paktën pjesërisht me faktin se shumica e shteteve të Ballkanit nuk kanë popullsi shumicë myslimane. Shtetet ballkanike me shumicë të krishterë shpesh e shohin Turqinë me dyshim për shkak të ankesave historike që e kufizojnë bashkëpunimin në lidhjet ekonomike në vend të angazhimit më të thellë politik.

Megjithatë, kjo nuk shpjegon pse Turqia është kaq dukshëm amsente nga Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Shqipëria, të cilat kanë popullsi me shumicë myslimane dhe historikisht janë konsideruar po aq “osmane” sa vetë turqit. Prezenca ekonomike dhe politike turke është rritur në këto shtete që kur Erdoğan erdhi në pushtet. Këto lidhje kanë qenë kryesisht simbolike, me Erdoganin që i mbështet partitë politike që ndajnë lidhje ideologjike me Partinë e tij AK në Turqi. Investimet e shtetit turk janë fokusuar kryesisht në rindërtimin e trashëgimisë kulturore osmane, e cila është mirëpritur veçanërisht nga komunitetet myslimane të rajonit.

Megjithatë, investimet domethënëse infrastrukturore ose qeveritare ishin kryesisht deklarative dhe rrallë realizoheshin. Investimet private nga Turqia nuk dukej se kishin mbështetje apo drejtim nga shteti për të investuar në shtetet ballkanike me shumicë myslimane. Ndodhi krejt e kundërta, pasi investimet private turke rrodhën kryesisht në shtetet me shumicë të krishterë, siç janë Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Këto ishin ndoshta hapat e parë të Turqisë për t’u përfshirë në një rajon që kishte dominuar për shekuj me radhë në përgatitje për një angazhim më kuptimplotë së shpejti. Megjithatë, përfshirja e rëndësishme strategjike dhe e sigurisë mungoi dukshëm.

Qasja neo-osmane e Erdoganit është e përqendruar, në dukje, në fokusimin, gjetjen dhe ndërtimin e aleancave me elementë konservatorë ose myslimanë në ish-provincat osmane që tani janë shtete të pavarura në vetvete. Strategjia e tij është t’u ofrojë këtyre shteteve një nivel mbrojtjeje dhe bashkëpunimi ekonomik që do t’i jepte Turqisë ndikim vendimtar. Vetëm tri shtete të tilla kualifikohen sot në Ballkan: Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Shqipëria. Turqia i ka kontaktuar partitë konservatore dhe të majta në Bosnjë, Kosovë dhe Shqipëri. Partia më e madhe boshnjake – Partia e Veprimit Demokratik (SDA), themeluesi i së cilës njihet për simpatitë ideologjike të Vëllazërisë Myslimane – ka ushqyer lidhje të ngushta politike me Partinë AK. Ata e konsiderojnë njëra-tjetrën si parti simotra me rrënjë të përbashkëta ideologjike. Erdogan shpesh e ka vizituar ose është pritur nga kreu i SDA-së në kryeqytetin boshnjak.

Pavarësisht këtyre lidhjeve të ngushta dhe kontakteve të tjera, nuk mund të shmanget përfundimi se Turqisë aktualisht i mungon forca për një angazhim të madh politik në Ballkanin Perëndimor. Kjo mungesë e një pranie kuptimplote u ilustrua më së miri nga periudha e trazuar pas pushtimit rus të Ukrainës, e cila nxiti përfshirjen e madhe të aleancës SHBA-BE në politikën e brendshme të shteteve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në Bosnjë dhe Kosovë. Për sa i përket shteteve me shumicë myslimane në Ballkanin Perëndimor, u vendos një politikë e qartë frenimi në drejtim të parandalimit të ndikimit turk në rajon.

Duke e marrë parasysh faktin se politika e SHBA-së në Lindjen e Mesme gjatë epokës së ish presidentit Obama ishte kryesisht reaktive ndaj përparimeve turke, politika perëndimore e kontrollit ndaj Turqisë nuk u shtri në rajonin e Ballkanit deri vonë. Shtetet e Bashkuara e kanë parandaluar në mënyrë proaktive dhe të dukshme Turqinë e Erdoganit në rajonet e Ballkanit dhe Egjeut që kur administrata e Biden mori detyrën, duke i zgjeruar politikat e kontrollit ndaj Turqisë të miratuara nga administrata e Obama-s.

Së fundmi, zyrtarët amerikanë e bën të ditur ndërtimin e një baze ushtarake në qytetin bregdetar grek të Aleksandropolis në detin Egje, dyzet kilometra larg kufirit turk dhe ngushticës së Bosforit. Edhe Franca njoftoi për një marrëveshje bashkëpunimi për sigurinë me Greqinë kundër ambicieve turke në rajonin e Mesdheut Lindor, në një mosmarrëveshje mbi shtrirjen e Zonave Ekonomike Ekskluzive Turke dhe Libiane (ZEE) në kurriz të ZEE-së së Greqisë dhe BE-së.

Uashingtoni gjithashtu është futur në mënyrë agresive në teatrot politike në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me aktivitete kryesisht në kundërshtim me aleatët e Erdoganit. Prandaj, është e pamundur të mos shikohet ndonjë hyrje kuptimplotë e politikës së jashtme turke në zonën e Ballkanit duke mos e marrë në konisideratë historinë kontekstuale të politikës turke të kontrollit nga aleanca SHBA-BE. Kjo politikë mund të vazhdojë derisa të vijë në pushtet një regjim më i favorshëm pas zgjedhjeve të vitit 2028 në Turqi.

Politika SHBA-BE në Ballkan u bë e dukshme në maj të vitit 2023, kur SDA u largua nga qeveria nëpërmjet dekreteve të vendosura nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë. Synimi ishte i qartë: Një shtytje për ta siguruar rolin politik të Kroacisë anëtare të BE-së për ta zbatuar, të paktën përkohësisht, sundimin e pakicës përmes minoritetit të saj bashkëkombëtar kroat në Bosnje. Dekreti i vendosur është etiketuar nga komuniteti shumicë myslimane si “sundim i pakicës së aparteidit” mbi një vend me shumicë myslimane. Pavarësisht këtij, de facto, grushtshteti, zyrtarët turq kanë protestuar vetëm në heshtje dhe e kanë lënë qartazi politikën boshnjake jashtë kërkesave të vendosura nga Turqia për ta lejuar zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s.

Ajo që ndodhi më pas në Republikën fqinje të Kosovës e konfirmoi politikën e frenimit parandalues të Turqisë. Kosova – për të fituar ndikim mbi cenimin e sovranitetit të Kosovës nga ana e Serbisë në zonat e saj veriore me shumicë serbe – së fundi bleu drone Bayraktar nga Turqia. Kjo lëvizje i ka dhënë kryeministrit Albin Kurti më shumë hapësirë për të manovruar në shtytjen e tij për ta zgjeruar kontrollin e qeverisë mbi zonat separatiste me shumicë serbe në veri të vendit, e cila mbështetet, nëse edhe nuk udhëhiqet, nga Serbia fqinje. Megjithatë, besimi i sapogjetur dhe veprimi i pavarur i qeverisë së Kosovës nuk u ka pëlqyer zyrtarëve të SHBA-së dhe BE-së, duke kulmuar me kërcënimin publikisht të ambasadorit amerikan në Kosovë që statusi i Prishtinës të zbresë në atë të Palestinës në rastin më të keq dhe në Republikën Turke të Qipros Veriore, një referencë e qartë për statusin e vendit me shumicë myslimane të Kosovës dhe lidhjet me Turqinë.

Vendi i tretë me shumicë myslimane në Ballkanin Perëndimor është Shqipëria, lidershipi politik i së cilës e ka dëshmuar besnikërinë e tij ndaj aleancës transatlantike në Ballkanin Perëndimor aq thellësisht sa që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka hasur në mospajtim të madh për herë të parë me Kurtin, duke u bashkuar me diplomatët e SHBA-së dhe BE-së për t’i denoncuar përpjekjet e Kurtit për ta marrë kontrollin e rajonit secesionist të veriut të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe BE po punojnë në parandalimin e ndikimit të politikës së jashtme turke në shtetet me shumicë myslimane të rrethuara nga kufijtë e shteteve anëtare të BE-së. Sundimi i paturpshëm i pakicës dhe parimet e aparteidit të vendosura në Bosnje dhe kërcënimet e “palestinizimit” ndaj Kosovës tregojnë, nëse jo një vendosmëri për të vepruar me vendosmëri për ta parandaluar një Turqi kundërshtare që të përfshihet me shtetet që janë të pozicionuara thellë brenda kontinentit evropian dhe botës perëndimore në përgjithësi. E thënë thjesht, Turqia është parandaluar.

Një kufizim i mundshëm është konteksti gjeografik. Turqia nuk ka opsionin e kontaktit të drejtpërdrejtë as me Bosnjën dhe as me Kosovën, pasi të dyja shtetet nuk kanë qasje në bregdet. Duhet të theksohet se në rastin e Bosnjës, ekziston vërtet një brez i vogël i vijës bregdetare sovrane; megjithatë, shteti i Bosnjës nuk e kontrollon plotësisht brezin e vogël, siç dëshmohet në vitin 2014 kur një anijeje detare turke iu mohua qasja nga pakica kroate, e cila de facto e kontrollon rripin e vetëm të vijës bregdetare të vendit. Marina turke nuk bëri përpjekje të mëtejshme për t’u ankoruar. Nga ana tjetër, Kosova mund ta kompensojë mungesën e vijës bregdetare nëpërmjet Shqipërisë, e cila, të paktën tani për tani, është e vendosur në kampin SHBA-BE.

Reagimi i Turqisë, nëse ka ndonjë reagim, mbetet për t’u parë. Një opsion i mundshëm është që Ankaraja t’i mbështesë financiarisht dhe politikisht partitë në Bosnje që konkurrojnë për mbështetjen e shumicës myslimane, duke përfshirë çdo aleat tjetër që politikat e fundit SHBA-BE në Bosnje e kanë privuar nga e drejta. Në Kosovë, Turqia mund të qëndrojë prapa Kurtit duke siguruar armatim më të avancuar për ta shfrytëzuar pozicionin e tij duke i dhënë Kosovës vetë-mbështetje për mbrojtjen e saj territoriale, një barrë që qeveritë perëndimore e bartin përmes misionit të Forcave të Kosovës. Kurti, nga ana tjetër, do të kishte shumë më tepër hapësirë për të manovruar nëse mbrojtja e Kosovës nuk do të varej nga një angazhim amerikan apo europian. Në Shqipëri, Turqia gjithashtu mund të ofrojë burime tek opozita Rama për t’i afruar politikat e sigurisë së Shqipërisë dhe Kosovës në frymën e bashkëpunimit shqiptar. Në të gjitha rastet, Turqia mund t’i përdorë ankesat kombëtare dhe fetare për të fituar më shumë ndikim.

Ndoshta në mënyrë më strategjike, Turqia mund të nxisë gjithashtu aleanca me shtetet me shumicë jomyslimane si: Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, të cilat ranë viktimë e raundit të fundit të politikave SHBA-BE që kërkojnë një zbutje rajonale me Rusinë kundërshtare dhe e gjejnë veten pa asnjë mbështetës. Turqia, në këtë drejtim, ka opsione tjera. Megjithatë, Turqia duhet të vendosë nëse dëshiron të futet fare në përleshjen ballkanike. Aleanca SHBA-BE e ka bërë atë një betejë të vështirë që në fillim. Tani, topi është qartësisht në fushën e Turqisë dhe është Erdogan ai që duhet të vendosë për lojën./National Interest

Reuf Bajrovic (@reufbajrovic) është Zëvendës President i Aleancës SHBA-Evropë dhe anëtar në Institutin e Kërkimeve të Politikës së Jashtme.

Përgatiti: Nuhi Shala