Milorad Dodik dhe Vladimir Putin, Foto: Faqja e Presidentit të Rusisë

Putin e lavdëron liderin separatist serb të Bosnjës gjatë vizitës së tij në Kremlin

Udhëheqësi serb i Bosnjës Milorad Dodik u takua me presidentin rus Vladimir Putin në Kremlin të martën, në një vizitë të rrallë nga një personalitet evropian që erdhi vetëm një ditë pasi ai miratoi hapur agresionin e Moskës kundër Ukrainës.

Bosnja po i afrohet më shumë zgjedhjeve të përgjithshme më 2 tetor, në të cilat Dodik po kandidon për presidencën e entitetit etnik të dominuar nga serbët e Republikës Srpska – një nga dy njësitë kryesore administrative në vend, që përfshin rreth gjysmën e territorit të saj.

“Së shpejti do të keni zgjedhje në vendin tuaj dhe ju uroj suksese”, tha Putin, sipas një transkripti të bisedës të publikuar nga faqja zyrtare e Kremlinit.

“Shpresoj se rezultatet do ta forcojnë pozitën e forcave patriotike në vend, duke na lejuar të vazhdojmë zhvillimin e bashkëpunimit produktiv dhe reciprokisht të dobishëm”, shtoi ai.

Dodik, anëtari serb i Presidencës trepalëshe të nivelit shtetëror të Bosnjës, është takuar shpesh me Putinin, veçanërisht përpara zgjedhjeve kur ai dëshiron t’i tregojë elektoratit tejet pro-rus serb të Bosnjës se e ka mbështetjen e liderit rus.

Që nga pushtimi i Ukrainës në muajin shkurt, Bosnja mbeti një nga vendet e pakta evropiane – përfshirë Bjellorusinë, Serbinë dhe Moldavinë – që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë, me Dodikun që e ka bllokuar vazhdimisht këtë vendim.

Udhëheqësi serb i Bosnjës e justifikoi këmbënguljen e tij për të qëndruar neutral duke deklaruar se Bosnja, e varur plotësisht nga gazi rus, nuk mund të përballojë të distancohet nga Kremlini për shkak të “pasojave të rënda ekonomike”, por edhe lidhjeve të ngushta kulturore me Moskën.

Ndërkohë, Moska ka refuzuar të vazhdojë financimin e zyrës së të dërguarit të paqes të komunitetit ndërkombëtar, Përfaqësuesit të Lartë, duke u tërhequr nga organi mbikëqyrës i institucionit, Këshilli i Zbatimit të Paqes ose PIC, në muajin prill.

Dodik dhe Putin duhej të pritej gjithashtu të flasin edhe për mandatin e misionit paqeruajtës ndërkombëtar prej 1,100 ushtarësh të udhëhequr nga BE, Althea, i cili është planifikuar për zgjatjen e tij vjetore në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në muajin nëntor.

Moska thuhet se po mendon nëse do të votojë kundër, por nuk janë zbuluar detaje të tjera pas takimit mes të dyve.

Dodik ka qenë subjekt i disa paketave të sanksioneve të SHBA-së dhe së fundmi është futur në listën e sanksioneve në Mbretërinë e Bashkuar për veprimet e tij përçarëse të brendshme.

Javën e kaluar, Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi një vlerësim të ri të inteligjencës, duke pretenduar se Rusia ka shpenzuar fshehurazi më shumë se 300 milionë dollarë në vitet e fundit duke u përpjekur të ndikojë tek politikanët dhe zyrtarët e tjerë në më shumë se dy duzina shtetesh.

Dodik dhe SNSD-ja e tij u tha se ishin ndër partitë simpatike ndaj Moskës dhe Putinit në Ballkanin Perëndimor, të cilat dyshohet se morën fondet që synonin t’i ndihmonin ata t’i fitonin zgjedhjet dhe të ndryshonin opinionin publik.

Pas arritjes së tij në Moskë të hënën, Dodik dha një intervistë për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve TASS, ku përsëriti pikëpamjet e tij separatiste dhe e miratoi hapur agresionin e Rusisë kundër Ukrainës.

“Për shumë vite Perëndimi nuk reagoi ndaj shfarosjes së popullsisë ruse në Ukrainë, ka pasur vrasje dhe bombardime të përditshme në Donbas,” pohoi Dodik në intervistë, duke iu referuar rajonit separatist të mbështetur nga Moska në Ukrainën lindore. E gjithë kjo ishte e qartë dhe Rusia u detyrua të hakmerrej”.

Dodik i hodhi poshtë gjithashtu pretendimet e autoriteteve ukrainase dhe organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut se Moska dhe forcat e saj po kryejnë qëllimisht krime lufte kundër civilëve dhe po bombardojnë objektiva civile, duke e quajtur luftën “operacion special” – një term që Kremlini zyrtar këmbëngul ta përdorë për pushtimin e tij në Ukrainë.

“Rusia po kryen një operacion special, qëllimi i të cilit është me të vërtetë ta shkatërrojë armikun, por ajo kryen misionin e saj në mënyrë që të ketë sa më pak viktima”, tha Dodik./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala