Fillimi i renovimit të stadiumit të qytetit në Gjilan. Foto: Komuna e Gjilanit

Gjilani Nis Renovimin e Stadiumit, Haziri Nuk Mban Tubim Elektoral në Stadium

Gjilani pritet ta ketë një stadium modern me kritere të UEFA-së dhe FIFA-s pasi sot u vu gurthemeli i rindërtimit të stadiumit të qytetit.

Kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri së bashku me kreun e federatës së futbollit të Kosovës,  Fadil Vokrrin dhe përfaqësuesit e dy klubeve ‘KF Drita’ dhe ‘KF Gjilani’ vunë gurthemelin e stadiumit të ri të Gjilanit që pritet të kushtojë rreth 6 milionë euro.

Sipas Lutfi Hazirit, ky stadiumit i dedikohet “Gjilanit” dhe “Dritës”, përkatësisht tifozëve “Intelektualëve” dhe “Skifterave”.

“Ky stadium i destinohet “Intelektualëve” dhe “Skifterave” dhe dy klubeve të qytetit, të cilat tashmë janë në elitën e futbollit dhe shpresoj shumë që të jenë edhe në gara ndërkombëtare. Rindërtimi i stadiumit po bëhet në këtë vend, në të cilin është vendosur nga baballarët tanë. Nuk kam dashur ta ndërroj vendin, zemrën e qytetit, e cila i dedikohet sportit”, ka thënë Haziri, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Komuna e Gjilani.

Sipas komunikatës së Komunës së Gjilanit, ky stadium është i kategorisë së katërt sipas standardeve të FIFA dhe UEFA.

“Ky stadium i plotëson të gjitha kriteret për lojëra ndërkombëtare për të gjitha grupmoshat. Ne i falemi kujtimit të punës së veteranëve të futbollit”, thuhet në komunikatën e Komunës së Gjilanit.

Ndërsa kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri ka uruar dy klubet e qytetit për stadiumin e ri modern që pritet të ndërtohet.

Ndërsa pronarët e dyja klubeve ‘KF Drita’ dhe ‘KF Gjilani’ kanë kërkuar nga kryetari Haziri që të mos mbahen tubime politike në stadium pasi që mund të dëmtohet drenazha.

Edhe pse LDK-ja në Gjilan ka kohë që e ka paralajmëruar mbajtjen e një tubimi me datën 16 nëntor në stadium, Haziri thotë se kjo është anuluar, ndërkohë që nuk di nëse kundërkandidati do mbajë tubimin në stadium.

“Përkundër përgatitjes dhe vullnetit tonë, si kandidat i këtij qytetit për kryetar komune, ju siguroj nuk do të mbajmë tubim politik në stadium, në mënyrë që t’ua lëmë këtë hapësirë futbollit dhe të mos e dëmtojmë. Për partinë tjetër unë e kam bërë aprovimin, por është vlerësim i tyre. Unë e respektoj kërkesën e dy klubeve”, është shprehur kreu i Gjilanit”, thuhet në komunikatën e Komunës së Gjilanit.

Edhe pse deri në përfundim të krejt projektit të rindërtimit të stadiumit duhet 6 milionë euro, Komuna thotë se të siguruara e të kontraktuara deri më tani janë 3.2 milionë euro.

Në Gjilan luhet një prej ndeshjeve më të rëndësishme dhe më të zjarrta të futbollit vendor ndërmjet ‘KF Drita’ dhe ‘KF Gjilani’, që cilësohet derbi më i madh në vend.